Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Si ta ndihmoni fëmijën kur i mungon vetëbesimi në shkollë

21.12.2016 - Disa fëmijë shfaqin një lloj sigurie jashtë shkollës, por demonstrojnë një mungesë besimi në vetvete brenda kuadrit shkollor.

Duhet thënë se është shkolla në mënyrë të veçantë, vendi ku vihet re mungesa e besimit në vetvete tek fëmijët, pasi aty, ata i nënshtrohen gjykimit të mësuesve dhe krahasimit me bashkëmoshatarët.

Kjo është shpesh një nga shkaqet e vështirësive në shkollë.

Këshilla

Luftoni ndrojtjen e fëmijës

Në shtëpi, kërkoni rregullisht mendimin e tij dhe jepini atij fjalën në bisedë. Nëse duhet, kërkoni nga motra ose vëllai që janë më të lirshëm, të respektojnë radhën e tij në bisedë. Dilni të blini me të duke e shtyrë t’i kërkojë shitësit atë që kini nevojë.

Kufizoni kërkesat tuaja të forta ose shqetësimin për perfeksion.

Nëse fëmija ka ndjenjën se ju prisni shumë prej tij, ai mund të ndjehet i shtypur, i dekurajuar dhe për pasojë, i dështuar. Duhet ndonjëherë që prindërit t’a lënë fëmijën me të vetën, të ulin kërkesat, me qëllim që ai të ndiehet më i sigurt.

Së fundi, fëmija imiton prindërit e tij dhe nuk ndodh rrallë që ai të mbajë mbi shpatulla mungesën e tyre të vetëbesimit. Ju takon prindërve të punojnë me vetëbesimin tuaj ose t’i kërkoni fëmijës që t’ju ngjajë në cilësi të tjera.

Sigurojeni për dashurinë tuaj

Një fëmijë nuk duhet të imagjinojë që dashuria juaj lëkundet në funksion të arritjeve të tij. Ju nuk jeni mësuesi i tij dhe akoma më pak shefi i tij.

Sigurojeni fëmijën për karakterin e pakushtëzuar të dashurisë tuaj dhe shpjegojini se fakti që e doni shumë, ju bën të dëshironi që ai të përparojë në të gjitha fushat.

Vlerësoni arritjet e tij

Inkurajoni përpjekjet e tij dhe përgëzojeni kur bën përparime. Shpërblejini rezultatet e mira dhe mos e dënoni për dështimet. Notat e këqija janë tashmë një ndëshkim, kështu që duhet shmangur dyfishimi i dënimit.

Nga ana tjetër, provoni aktivitete të ndryshme jashtëshkollore, ku ai tregohet i aftë, gjë që do ta ndihmojë të rrisë besimin në vetvete.

Nëse kalon në panik kur bën detyrat

Mungesa e besimit në vete mund ta bëjë të ngecë një fëmijë që e di mësimin, por që ka bllokim kur vihet para provës, e cila e bën të shqetësohet e të humbasë mendjen.

Flisni për këtë gjë me mësuesen, para se ajo të mendojë që fëmija juaj nuk mëson. Mësojini fëmijës disa teknika të relaksimit si: të mbyllë sytë disa minuta përgjatë provimit dhe të imagjinojë një ngjarje të këndshme që do ta ndihmojë të ndalojë panikun dhe do të lejojë kujtimet ta ngrenë në sipërfaqe.

Të mos bëhen krahasime me vëllezërit apo motrat

Një fëmijë mund të ketë mungesë të besimit në vetvete, sepse ai ka një vëlla ose motër tepër të aftë. Përmbahuni në krahasimet midis fëmijës me mungesë në vetëbesim me vëllanë apo motrën që ia del më mirë dhe mos i bëni privilegje këtij të fundit.

Të drejtat dhe detyrat e secilit nuk duhet të jenë të lidhura me rezultatet shkollore.

Rregulli i artë: Vetëbesimi tek fëmija, varet shumë nga besimi i të tjerëve tek ai.

Përshtati: Brikena Dervishaj

/komuniteti