Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Çfarë kam mësuar si një nënë e vetme në Kosovë

Vlora Konushevci

U bë tashmë një kohë që unë jam një nënë e vetme dhe përkundër faktit që copë ramë me u integru në Evropë e me i zhdukë kufijtë fizik, kufijtë e mentalitetit të shoqërisë sonë janë shumë të ngushtë për të mos i stigmatizuar nënat e vetme.

Me sa kam kuptuar, nënë e vetme nuk është ndoshta edhe termi i duhur pasi që në legjislacion thuhet nënat vetushqyese, diku kam parë që përdoret edhe termi nëna beqare, sado që ky i fundit po tingëllon lezetshëm, unë do ta përdor termin nënë e vetme. Fillimisht, sa për sqarim, nuk njoh ndonjë nënë që zgjohet një ditë të bukur pranverore, dhe me mendje të shëndosh, pa asnjë arsye, vendos me i dhënë fund martesës dhe me e rritë fëmijën/fëmijët e vetme. Por kjo është temë për një herë tjetër. Këtë herë dua të hap një dritare në jetën e një nëne te vetme, pasi në shoqërinë tonë kjo temë nuk diskutohet, nuk shkruhet për të, e nuk trajtohet mjaftueshëm as në emisione të kanaleve tona televizive. E di që kemi telashe më të mëdha si popull; Po edhe unë jam e shqetësuar me zhvillimet në Kuvendin e Kosovës, me zajednicën, me demarkacionin, korrupsionin, shkallën e ultë të zhvillimit ekonomik, shkallën e lartë të papunësisë por te gjitha këto, në një formë apo tjetër, trajtohen nga mediumet tona të shkruara dhe elektronike.

Nuk po pretendoj që unë tash do ta bëjë namin, por thjeshtë shpresoj të hap debat dhe të ofroj perspektivën e një nëne të vetme në këtë shoqëri jo fort miqësore. Kjo, për shkak se në kontekstin tradicional, të jesh nënë e vetme është marre, nëse ti nuk jeton me babën e fëmijës supozohet se ti nuk duhet të rritesh atë fëmijë, gjithnjë sipas zakoneve të shoqërisë sonë, pasi ndarjet kanë ndodh edhe në të kaluarën, por atëherë, në pamundësi të pavarësisë financiare të gruas, fëmijët kanë mbet tek babai. Jo rrallë herë, në atë kohë, nënave as që iu është lejuar t’i shohin fëmijët e tyre por ato është dashur të martohen diku tjetër dhe të krijojnë familje të re. Disa prej jush mund edhe të mos besoni por ky është ende, edhe në këtë kohë, qëndrimi i shumicës. Kjo është aq thellë e ngulitur në këtë shoqëri sa që edhe sistemi gjyqësor e favorizon këtë zakon. Në një rast, një shoqes sime pasi që ka përfunduar një betejë të gjatë gjyqësore për kujdestari të fëmijës pas shkurorëzimit, gjykatësja (grua “intelektuale”) e rastit i ka thënë: “Ti luftove shume se unë mendova me ja besu fëmijën babës, pse çka po të vyn ty, ti je e re kah të shkojsh pjell”!!! Përderisa komente tjera të llojit: “Pse ti atij me ja rritë fëmijën?”, “Farën e tij me e rritë s’ka çka të vyn”, “Pse me ja lidh kamtë vetes, ai e ka bo, ai le ta man” ilustrojnë sa primitive e mendjengushtë është kjo shoqëri e jona.

Por, shkurorëzimet në Kosovë dita ditës po shtohen, rrjedhimisht edhe numri i nënave të vetme. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës në vitin 2014 janë bërë 1.243 shkurorëzime që krahas kurorëzimeve del të jetë diku rreth 7 %, por unë nuk e besoj që kjo shifër paraqet situatën faktike duke e pas parasysh se shumë prej çifteve ligjërisht nuk lidhin kurorë dhe këto punë “i rregullojnë ndryshe”, e për ata që duhet të shkurorëzohen në gjykatë, atëherë aty duhet “të pritet në radhë” me vite! Madje, gjatë bisedës me një avokate, vetëm në avokatinë e saj brenda muajit ajo pranon 4 padi për shkurorëzim.

Fatbardhësisht, shumica e grave sot janë financiarisht të pavarura, dhe kanë mundësi që t’i mbajnë dhe t’i rrisin fëmijët e tyre përkundër mentalitetit refuzues të kësaj shoqërie. Por të qenurit nënë e vetme nuk është e lehtë në asnjë vend të botës, e lëre më në Kosovë. Nga përvoja ime personale, besoj që shumë si unë do të bashkëndjejnë, dua të ndaj me ju disa këndvështrime dhe mendime lidhur me procesin e ndarjes/shkurorëzimit (po e përdori termin ndarje pasi që shume çifte tek ne nuk bëjnë kurorë) dhe statusin e një nëne të vetme:

Ndarja ndryshon çdo aspekt të jetës tuaj, bash çdo aspekt. Kenneth Kressel, profesor i Psikologjisë dhe një prej studiuesve të procesit të shkurorëzimit e karakterizon këtë procesi si një prej “detyrave më sfiduese që qeniet njerëzore pritet të kryejnë”. Mbledhitë për festa, ditëlindje, lindje, vdekje nuk janë më të njëjta, dinamika e tyre ndryshon dhe secili duhet të adaptohet. Procesi i ndarjes fatkeqësisht nuk nënkupton vetëm ndarjen nga partneri. Këtu ndahen shtëpitë, pushimet verore, dimërore, vikendet, Viti i Ri, Bajrami; ndahen edhe familjet (mbajnë anë), njëjtë ndodhë dhe shokët e shoqet, fqinjët, etj. Eh, kjo është shumë e dhimbshme pasi që qeniet njerëzore janë të dizajnuara të krijojnë dhe ndërtojnë marrëdhënie, dhe bazamenti i këtyre marrëdhënieve nuk zhduket vetëm me nënshkrim të një cope letre. Pikëllimi në procesin psikologjik të ndarjes shpesh është krahasuar me pikëllimin që përjetohet kur ndonjë person i dashur vdes. Në këtë rast vdes martesa, vdesin planet, vdes një formë e të ardhmes që ti ke planifikuar për vete dhe familjen tënde, vdesin ëndrrat dhe me to edhe një pjesë e identitetit tënd. Por, personi që për ju emocionalisht ka vdekur qëndron pranë jush në fushë futbolli, karate, basket, programe shkollore etj. Dhe, më besoni, pavarësisht se sa “miqësore” mund të ketë qenë ndarja, duhet goxha durim, maturi e qytetari për të krijuar një situatë të tillë, për diçka ma madhore se unë e ti, për mirëqenien e fëmijës!

Ndarjen apo shkurorëzimin nuk do t’ia dëshiroja asnjë nëne. Jam e vetëdijshme se në këtë kohë jo të gjitha familjet përbëhen prej dy prindërve dhe fëmijëve, se modeli dhe koncepti i familjes po ndryshon, por kjo nuk ka qenë rruga apo modeli që unë kam pas dëshirë të përçoj tek fëmija im. Nuk ka qenë rrugë e lehtë, dhe nuk ka kaluar pa javë, muaj e vite të gjatë e pikëllues. Por ajo ka ndodh, dhe jo të gjitha martesat prishen për arsye të “presupozuara” apo të arsyetuara siç mund të jenë abuzimi fizik (ai emocional dhe psikologjik nuk është shumë i njohur tek ne), abuzimi me substanca narkotike, tradhtia etj. Madje madje, kam përshtypjen se pikërisht ato martesa ku fenomene të tilla janë prezente rrallë herë prishen. Disa martesa prishen sepse partnerët hyjnë në to të papjekur dhe të varur; ende kanë lidhje të forta emocionale me nënën apo babën e nuk dinë të funksionojnë ndryshe; e harxhojnë shpejt dashurinë; kriza e moshës së mesme; diku në mes të udhës e kuptojnë se qenkan të ndryshëm apo nuk shohin kanale të njëjta televizive.

Pra, kur nuk jeni në frekuencë të njëjtë televizive, me rastin e ndarjes ju bëheni sundimtar i plotfuqishëm dhe absolut i telekomandës. Dhe kur vetmia ta zë frymën, dhe banesa të duket si një bodrum i zbrazët e drithërues, telekomandën do ta keni vetëm për vete, unë tash mbaj edhe nutella afër vetes!

Mund t’ju tregoj se të qenurit nënë e vetme nuk është aspak e lehtë, apo se si duhet t’u përgjigjesh pyetjeve të “vështira” kohë pas kohe të tipit: A do të kem unë ndonjëherë vëlla ose motër? Mund t’ju them që fëmijët nuk mashtrohen si dikur, dhe që me kohë kam mësuar edhe si t’i përgjigjem pyetjeve të “vështira”, por kur ti dhe fëmija yt e keni vetëm njëri tjetrin, disponimi, vlerësimi apo dashuria juaj patjetër se do të transmetohet tek fëmija, pa marrë parasysh sa të aftë jeni bërë në artin e të qenit objektiv apo në artin e mbajtjes së lotëve, fëmija e ndjen atë që ju e ndjeni. Të qenurit nënë e vetme më ka aftësuar të jem absolutisht e pavarur në të gjitha aspektet dhe mund të them që pavarësia është spektakolare. Pasi që të jesh mësuar në çift për vite të tëra dhe të marrësh vendime të përbashkëta, e gjen veten të vetme, të frikësuar, plot dyshime. Por, jeta më ka mësuar që vështirësitë vetëm sa e qesin në pah forcën marramendëse që secili e ka brenda vetes. Dhe kur me shumë sukses përfundon ndonjë projekt të rëndësishëm, bazuar vetëm e vetëm në forcat e tua, krenaria dhe lumturia të përçojnë çdo qelizë të trupit. Ani se nuk mund të mbërthesh patentin e fustanit nëse është prapa, unë tash i evitoj fustanet me patente prapa, që të mos përdredh muskujt! Aftësohesh në aspektin e menaxhimit të kohës dhe buxhetit, zhvillon edhe aftësi udhëheqëse pasi që në të shumtën e rasteve në sytë e fëmijës tuaj ju jeni një super hero, jeni personi që i rregullon të gjitha dhe i dinë të gjitha!

Nënë e vetme është status prindëror, që do të thotë se jam nënë dhe kam fëmijë por jam edhe njeri, grua, individë që ka mësuar shumë, dhe është forcuar jashtëzakonisht shumë prej kësaj përvoje, andaj kam shumë për të dhënë; Të mosqenit bashkëshorte e dikujt nuk nënkupton të pushuarit e rolit tim prindëror, e as të rolit tim si grua, si motër, si mbesë, si shoqe etj. Duke u nisur nga kjo, një nënë e vetme nuk dallon absolutisht nga nevoja primare e njeriut për të qenë i kuptuar dhe i vlerësuar. Pra edhe nënat e vetme kanë nevojë të shoqërohen me gjininë e kundërt, kanë nevojën e komunikimit lidhur me situatën aktuale, të diskutojnë mbi librat aktual, ushqimin, trendet e fundit të teknologjisë etj. Por të pranosh të takohesh, njoftohesh me dikë si një nënë e vetme është vendim që kërkon shumë maturi dhe guxim. Uroj që edhe meshkujt, që dëshirojnë t’ju afrohen nënave të vetme të jenë të guximshëm dhe të pjekur. Duhet pas parasysh që kanë të bëjnë me individë me karakter të fortë, individë që kanë kaluar nëpër shumë sfida e vuajtje, dhe individë që janë shumë vigjilent ndaj sinjaleve provokuese andaj të qenurit nënë e vetme nuk nënkupton që i kemi ulë standardet, përkundrazi veç i kemi ngrit, sepse nga kjo pozitë domosdoshmërishtë shohim më mirë, apo siç thotë populli “i kemi ba sytë katër”.

Dhe krejt në fund, por jo e fundit, ndoshta kish me qenë mirë që në raport të progresit, që tani quhet raporti i vendit, krahas indikatorëve politik e ekonomik, të futen edhe indikatorë social që masin hapjen e mendjes, në mënyrë që kjo shoqëri të jetë e detyruar të hap mendjen me “zor”!

Burimi: lajmi.net/nga Vlora Konushevci

Arta V (2 vite më parë)
Vlora,e lexova me vemendje dhe emocion artikullin tend.Duke qene dhe sociologe,edhe me mire e kuptoj kete fenomen,qe eshte ende i heshtur dhe jo i mbeshtetur prej te gjithe neve.Te deshiroj shendet dhe shume force gjate gjith jetes per ty dhe femijen tend (qe nuk e kuptova cfare gjinie eshte,se edhe kjo ka njefar rendesie),per te gjitha sfidat qe do te kalosh.Te perqafoj...
Warning: include(root/apps/site/templates/steps_tema_tregimi.php): failed to open stream: No such file or directory in /var/www/vhosts/bebaime.com/httpdocs/advCms/root/apps/site/templates/steps_tema_view.php on line 119 Warning: include(root/apps/site/templates/steps_tema_tregimi.php): failed to open stream: No such file or directory in /var/www/vhosts/bebaime.com/httpdocs/advCms/root/apps/site/templates/steps_tema_view.php on line 119 Warning: include(): Failed opening 'root/apps/site/templates/steps_tema_tregimi.php' for inclusion (include_path='.:') in /var/www/vhosts/bebaime.com/httpdocs/advCms/root/apps/site/templates/steps_tema_view.php on line 119

/komuniteti