Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Ju lutem, mos “e shtrydhni” fëmijën tim!

Rudina Çupi

Vogëlushja ime është në klasën e parë. Sot u mbush kupa; u shkëputa nga punët e mia të shumta. Shkoj në terrenin e saj të ri. Në shkollë. Në “shtrydhësen” gjigante “të frutave”. Ajo përditë nga pak ia merr gjallërinë dhe limfën vogëlushes sime. Epo, në djall! Shkolla është bërë e pashëndetshme! Aty u mësohet të mos hanë ushqime fast-food, tip sanduiçi. Por askush nuk e vëren se vetë shkolla është një panine e madhe që ia merr frymën fetës së hollë të proshutës. E zgërlaq. Fëmijën.

Ajo hyn në derën e shtëpisë. Si frutë e shtrydhur. Pa energji. E gërmuqur nga çanta shumëkilogramëshe. Më kujton gratë që mbajnë në kurriz turrën e druve. (Është më e dëmshme që “i mban” apo që “i mbart”?) Lidhur me dy litarë. Që fëmijët “të jenë të parët”, në shkollë ushtrohen vetëm me laps e stilolaps 7 orë. Mirë që kanë shtuar një orë fizkulturë. Pasdite, ka 4 fletore matematike dhe 4 abetareje për të plotësuar. 7 orë në shkollë dhe 3 orë në shtëpi = 10 orë. (Unë punoj 7 orë në ditë: 9 me 4.) Në shkollë mësohet edhe “Stop shfrytëzimit të fëmijëve”. E kush po i shfrytëzon, në këtë rast? Sarkazëm e gjallë!

Që sa ka hyrë ajo në shkollë, unë kam mësuar të masazhoj. (Edhe mua më është shtuar “ora e fizkulturës”). Muskuli mes gishtit të madh dhe atij tregues i forcohet, i bëhet dru. (Nga lodhja vajza provon të shkruajë me të majtën. Por, përgjithësisht mësueset janë kundër “të majtës”.) Ndonjëherë i fërkoj edhe vetullat, se i tejlodhen sytë, duke lëvizur kokën për të kopjuar nga njëra anë në tjetrën. I fërkoj edhe qafën. Edhe pak dhe do filloj t’ia mat gungën e qafës me reçipetat e mia.

Ajo nuk hyn më e lumtur në derë kur vjen. Kur ishte në kopsht nuk i pushonte goja. (Unë ndonjëherë hyja në banjë, që t’ia ulja pak ritmin. Tani përfundoj përsëri në banjë: mërzitem se ajo nuk më tregon asgjë.) Tregonte aq shumë, sa ua përsëriste edhe të atit kur vinte nga puna, ose kukullave të saj të vëna në rresht. Dhe, meqë ra fjala, edhe pse i kam blerë kukulla të tjera për dhomën e re, ato kanë mbetur të paprekura. E paprekur kthehet edhe pakoja e biskotave që i jap me vete. Madje kanë mbetur të paprekura edhe librat me përralla që lexonim para gjumit. Ndonjëherë fle mbi fletore, mbështet kokën mbi bërryl dhe fle me bishtin e stilolapsit në gojë. Si biberon. E vë në shtrat dhe herë pas here e përgjoj. Ka filluar të flasë natën.

Pikërisht në këtë pikë i thashë vetes: “U mbush kupa! Shëndeti, mbi të gjitha!”. Se, të them të drejtën, më vjen të qaj kur shoh se brenda dy javëve e kanë shndërruar nga degëz e lulëzuar, në thupër. Ia kanë zhvoshkur gjethet e lulet: i kanë mohuar lojën, lodrat, përrallat, fantazinë, fjalën dhe dashurinë. Ia kanë zëvendësuar të gjitha këto me detyra. Detyra. Detyraaaaaa. Që u rëntë pika! (Çne pika, u rënçin të gjitha shenjat e pikësimit!)

“Merr këmbët e lër mendtë e shko në shkollë.” i them vetes (lër mendtë, se, mos o Zot, bën ndonjë sherr). Sapo i afrohem korridorit, ulërima e mësueses më alarmon, më grafullon gjakun përpjetë. Mendoj: “Ç’krim të ketë bërë ai vogëlush i gjorë, për të ngrënë këtë ulërimë tigri?” Zëri i saj është bërë zë tenori. Ushtrohet çdo ditë.

Fus vetëm hundën dhe një cep syri në të hapurën e derës, që të mos ndërpres. Shumica e fëmijëve janë në kanotierë. Janë 25 fëmijë në një klasë gati 3.5 m x 3.5 m. Në dy minutat që ndenja pas dere (sepse aq kohë u duhej të më pikasnin) dëgjoj: O mësuese, të pi pak ujë? / O mësuese, të shkoj pak në banjë? / O mësuese, Eri nuk e ngriti dorën kur foli. / O mësuese, ma shih pak fletoren. / O mësuese, Ana nuk tha “Të lutem”. / O mësuese, a ta mbaroj në shtëpi detyrën? / O mësuese, a të vizatoj se mbarova? / O mësuese, Mira më tha budallaqe. O mësuese, Endri më tha që e preka, por unë nuk lëviza fare. / O mësuese, të lutem më vër dhjetë, se mami i ka qejf. / O mësuese… (nuk i mbaj mend të gjitha) Ishte për të vënë tabelën “Nuk jam këtu!” ose “Momentalisht mësuesja është jashtë shërbimit”. Tani e kuptova atë çka më kishte thënë vajza para ca ditësh: “O ma, ti mos u bëj mësuese!” “E pse?” – e pyeta. “Sepse do fillosh të marrësh frymë si mësuesja ime: h-h-hhhhhhhhëh!”

Bisedoj nja dy fjalë me mësuesen. Ajo është e ngrohtë e dashamirëse. Që në fillim të ngjit. Ishte hequr pak, nga hera tjetër që e kisha parë, dita e parë e shkollës. Një nga një fëmijët, rregullisht na ndërpresin. Ajo ndihet në siklet ndaj meje dhe ngaqë fëmijët zhurmojnë e ngaqë mësueset e tjera nxjerrin kokat nga dyert e klasave të tjera. Nuk ma bën zemra t’i them magazinën time të meraqeve. E këshilloj se po t’i vendosë bankat ndryshe, në dy rreshta si në teatër, në dy rreshta përballë si në konkurs apo në dy tavolina të rrumbullakëta, ndoshta do e ketë më të lehtë. Ajo shqyen sytë e më thotë se do ta provojë. E pyes nëse ia del me 25 vetë. Përgjigja dihet. Vendi i punës është më i rëndësishëm se e vërteta. Largohem duke e përqafuar e duke i rrahur shpatullat. Pak si masazh do i jetë dukur: lehtësues. Largohem prej saj me hidhërimin në grykë, se një mësues i shtypur nuk mund të nxjerrë veçse fëmijë të ndrydhur. Mësuesja është personi pothuajse i vetëm jashtë familjes që është më i afërti me fëmijën. Askush nuk e përkëdhel, ndihmon apo mbështet atë. mësuesen. Të gjithë i kërkojnë llogari. Ajo është si një fëmijë, por pa lirinë.

Ngjitem lart te drejtoresha. Se drejtoreshat zakonisht rrinë lart. Dhe mendojnë se vetëm nxënësit duhet të përgjigjen. Sidomos pyetjeve të mia (të prezantimit, të herës së parë) prej prindi të kujdesshëm, që do t’i kishte zili dhe një gazetar: A keni ju “pasaportën e shkollës”? (Çfarë?!!!) Më qartë: çfarë keni prioritet ju si shkollë? (Transportin dhe drekën.) Edhe shkollat ku paguhet në lekë e jo më me 250 euro për fëmijë, kanë të paktën edhe mëngjesin të përfshirë, përveç transportit. Cila është fryma/filozofia e shkollës suaj? (Si të gjitha shkollat e tjera.) A e keni planin e veprimtarive vjetore, apo kemi parimin se fëmija vjen në shkollë për t’u mbushur me dije si të jetë thes? (Do bëhet dalëngadalë.)Domethënë, aktivitetet janë vetëm 3 gjithsej: Viti i Ri, 7-8 marsi dhe 1 Qershori? (Po.) A funksionon regjistri elektronik? (Jo, se kushton shumë. Po presim të bëhet i detyrueshëm e të jetë në sistem notash për të gjitha shkollat. ) A keni bord shkolle dhe këshill prindërish, se dua të kontribuoj vullnetarisht të bëj pjesë? (Të shohim nëse do të zgjidheni.) Cila është mosha mesatare e mësueseve? (35 vjeç.) A do të thotë kjo që gjysmat janë pensioniste dhe gjysmat të sapodala nga bankat e shkollës? (Si të gjitha shkollat private.) A i keni CV-të e mësuesve në sajtin e internetit? (Jo. Pse?) Dua të di në sa trajnime kanë marrë pjesë dhe cili është kualifikimi i tyre. Po ju vetë, si shkollë jobuxhetore, a nuk keni marrë ndonjë mësues të huaj të trajnojë mësuesit tuaj? (Nuk ia vlen investimi, se mësueset, sapo t’i trajnosh, të ikin gjetiu.) A bëni ju mësime të hapura? Nëse po, do pranonim të vinim me dëshirë. etj. etj. Dhe më përcolli me premtimin se te kjo shkollë “prindërit dëgjohen”.

Dhe ja ku erdhi koha për ta vërtetuar. Pata fat. Dera ishte e hapur. Çdo gjë që mund të kishte menduar, ndoshta edhe: “erdhi kjo e bezdisura”, i duhej ta mbante në mendje.

– Na premtuat që në shkollën tuaj numri maksimal i fëmijëve do të ishte 18 për klasë.

– Po, aq janë përgjithësisht.

– Klasa e parë ka 25 fëmijë.

– Nuk mund t’i ndaj, se janë familjarizuar kaq shumë me mësuesen, sa nuk do duan të shkojnë me mësuese tjetër.

– Mund të fusni dy mësuese në klasë e më pas ndarja të bëhet graduale.

Toni im i zërit çuditërisht ishte i butë me vullkanin që kisha poshtë fytit. I thashë se nuk ka kuptim që ata që penalizohen, të jenë pikërisht fëmijët e klasës së parë. Ata janë shkëputur dhunshëm nga bota e fëmijëve, si e prerë me thikë futen në botën e përgjegjësisë e detyrimit; të gjithë duan vëmendje nga mësuesja, por ajo është vetëm një, kanë nivele të ndryshme, kanë edhe teka; janë në dilemë nëse duhet ta pranojnë apo jo këtë shtypje të realitetit, nuk kanë mësuar ende rregullat e qëndrimit në klasë, dhe kanë detyra më shumë se fëmijët e çdo klase tjetër. I thashë se më vinte keq që ajo i theu premtimet që i kishte dhënë vetë sa pa kaluar një javë. A ka fillim të mbarë kur fillon me zhgënjime? Ajo thotë se prindërit e tjerë janë të kënaqur. Por ky arsyetim më duket si “përça e sundo”?!!

Përgjigja e saj më lë të kuptoj se nuk po qëndroj e detyruar. Nuk di nëse ky ishte një ironi apo presion, ngaqë e di se vajzës së madhe ia kam ndërruar shkollën çdo vit, për shkak të pakënaqësisë që kishim në shkollat ku shkonte. Duket sikur më thotë:“Nuk keni nga përplasni kokën! Është kudo njëlloj! Ankohuni po deshët. (ose po ditët se ku)”. Ajo po më trajton sikur ne prindërit kemi më shumë teka se fëmijët. Por, a është tekë t’i thuash jo mbingarkesës? (të librave, të bankave, të detyrave, të detyrimeve të drejtoreshës) Pse duhet ta durojmë mbingarkesën e klasës (si udhëtarët e linjës së autobusit të Autotraktorëve)? Ata që bëjnë vlerësimin e shkollave private, a nuk duhet që së paku të llogaritin thjesht një element teknik: ajrin për frymë për fëmijë?

Kur me arsyetime të përcipta drejtoresha mu përgjigj në mënyrë të kamufluar se nuk lëvizte nga e saja, mu desh t’i tregoja anën tjetër të medaljes – paratë. Paguaj taksat dhe gëzoj të drejtën për t’i shkolluar dy vajzat e mia në shkollë shtetërore, por nuk e konsumoj këtë shërbim e as nuk marr ndonjë rimbursim nga shteti që në shkollë private të paguaj më pak. Çdo vit, për të dyja vajzat, i paguajmë shkollës 500 euro në muaj x 9 muaj (+ regjistrim e të tjera) » 5 000 euro në vit, (më zë frika të llogaris që këtë shifër më duhet ta mbaj në kurriz derisa ato të mbarojnë… doktoratën); shto këtu kurset sportive apo artistike pasdite, pasi unë nuk mendoj se fëmija është thes për t’u mbushur me dije. A duhet të pranoj “të ma gllabërojnë djersën”, duke paguar për krap e duke marrë cironkë? Ku të ankohem kur më mohohet e drejta e “klientit” kur paguaj vlerën maksimale e marr shërbimin minimal? Kur nuk kam as zgjedhje, as zgjidhje?

 

Burimi: zhurnal.mk

Jona Bele (9 vite më parë)
jam shume dakort! Nuk ka kontroll per asgje as per sasi e as per cilesi.

/komuniteti