Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

/Java e 14 e shtatëzanisë

Si po rritet fëmija juaj

Flokët janë lajmi më i madh gjatë kësaj jave! Fëmijës tuaj janë duke i dalë shumë flokë, jo vetëm në kokë dhe në vetulla por në të gjithë trupin e tij. Ai është i mbuluar me një shtresë pushi shumë të hollë, të quajtur lanugo, i cili zakonisht zhduket para lindjes. Disa muskuj gjithashtu kanë filluar të punojnë tashmë. Këtë javë fëmija mund të kapë me dorë, mund të shohë, të rrudhë vetullat, të ngërdheshet dhe madje të thithë edhe gishtin e madh të dorës së tij.

Zhvillimi i fetusit – java e 14 e shtatëzanisë

Nga maja e kokës deri në fund të vitheve të tij, fëmija juaj është rreth 8 centimetra i gjatë dhe peshon 40 gram. Trupi i tij është tani duke u rritur më shpejt se koka. Këtë javë, lëkura e tij e hollë si pergamenë fillon të mbulohet me lanugo (flokë shumë të hollë si push që zakonisht zhduken para lindjes). Megjithëse vetullat e tij po fillojnë të rriten dhe flokët në majë të kokës kanë filluar të mbijnë, këta flokë mund të ndryshojnë si në cilësi ashtu edhe në ngjyrë pas lindjes.

Tashmë, fetusi mund të shtrëngojë me dorë, mund të shohë, të rrudhë vetullat, dhe të ngërdheshet. Ai madje mund të jetë në gjendje të thithë gishtin e tij të madh të dorës. Studiuesit besojnë se këto lëvizje dhe lëvizje të tjera korrespondojnë me zhvillimin e impulseve të trurit.

Nëse ju ende nuk keni lënë një takim për testin e serumit maternal (i njohur njëkohësisht edhe si testi i trefishtë ose triple test), ju mund ta bëni një gjë të tillë tani. Testi ju jep më shumë informacion për fëmijën tuaj, dhe ekzaminon për sindromën Down apo edhe defekte të tjera të lindjes. Gjithashtu, mjeku juaj obstetër mund tu rekomandojë një amniocentezë midis javës së 15-18 të shtatëzanisë për femrat mbi 35 vjeç, dhe për ato që kanë një historik të lindjes me difekte. Nëse jeni mbi 35 vjeç, hidhini një sy artikullit tonë se si e ndikon mosha shtatëzaninë.

Si po ndryshon jeta juaj

Ndoshta ju tashmë po ndiheni më të kthjellëta e më të gjalla se gjatë tre muajve të parë dhe i keni hedhur pas krahëve simptomat e hershme të shtatëzanisë. Disa gra pa fat mund të konstatojnë se vazhdojnë të kenë pështjellime, kështu që nëse ju vazhdoni të jeni ende shumë sëmurë, kontaktoni me mjekun tuaj ose maminë për këshilla. Shumica e femrave i konsiderojnë tre muajt e dytë si fazën më të lehtë të shtatëzanisë pasi gjumi juaj është i shëndetshëm dhe barku juaj nuk është aq i madh sa të pengojë lëvizjet tuaja. Bëni maksimumin tuaj gjatë këtyre muajve të mesëm për tu kënaqur me veprimtari të tilla si noti, ecjet në ajër të pastër dhe aerobi me impakt të ulët.

Kjo është gjithashtu një kohë e mirë për të renditur disa mënyra praktike veprimi me partnerin tuaj, duke diskutuar mbi lejen tuaj të lindjes dhe duke menduar mbi kujdesin e nevojshëm për foshnjën tuaj, nëqoftëse keni ndërmend të ktheheni në punë pas lindjes. Zbuloni se ç’do të thotë të qënit një prind i punësuar. Bisedoni me prindër të tjerë në punën tuaj ose mundohuni të kontaktoni me organizata të kësaj fushe për këshilla dhe mbështetje.

Nëse jeni të vetme (pa partner), kjo është gjithashtu një kohë e mirë për të rekrutuar mbështetje. Ju mund ti kërkoni mamisë tuaj seanca të posaçme në lidhje me periudhën para lindjes, nëqoftëse ndiheni të ndrojtura për të ndjekur klasat e çifteve, apo për të kontaktuar me organizata që punojnë me grupe me prindër të vetëm.

/komuniteti