Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Shtatzënat dhe ngasja e makinës

A guxoj të vozis makinë gjatë shtatzanisë?

Shtatzënat këshillohen që të mos vozisin më gjatë se 2-3 orë

Natyrisht që guxoni. Shtatzënat mund të vozisin përderisa ndihen mirë!

Është shumë e rëndësishme që të ndëgjoni trupin tuaj, nëse ndjeheni të ligësht, keni marramendje, keni neveri, më mirë mos vozisni, sepse shkaku i këtyre simptomave mund ta humbisni vëmendjen, dhe kështu e rrezikoni veten dhe foshnjen tuaj, si dhe pjesëmarrësit tjerë në trafik.

Megjithatë, nëse vozitja ju ofron kënaqësi, dhe nuk ndjeni asnjëlloj neverie, atëherë nuk keni arsye që të mos vozisni.

Deri në cilin muaj mund të vozis?

Nëse deri më tani keni vozitur rregullisht makinën, nuk keni arsye të mos vazhdoni edhe më tej me shprehitë e zakonshme. Megjithatë, nëse në fillim të shtatzanisë ndiheni të lodhura, dhe keni të përziera, në atë periudhë nëse nuk ndiheni edhe aq mirë, shmangni vozitjen sepse mund të ndikojë në koncentrimin dhe fokusimin tuaj. Poashtu, pas muajit të shtatë, gjithnjë e më me vështirësi do të lëvizni, prandaj është e mundshme që në situata kritike gjatë vozitjes të reagoni më ngadalë, kështu që më së miri është që gjatë tremujorit të tretë të kënaqeni duke ju vozitur të tjerët.

Nënës së ardhshme i këshillohet që të mos vozisë më gjatë se 2-3 orë, dhe pas kësaj preferohet që të pushohet minimum 2-3 orë, para se të uleni përsëri për të vozitur. Natyrisht është shumë me rëndësi që të vendosni rripin e sigurimit, të pini shumë ujë dhe të bëni pauza të shpeshta!

Vërejtje: Shmangni vozitjen nëse e keni stomakun shumë të madh, gati për të prekur timonin.

Para shtatzanisë e kam vozitur makinën tërë kohën, por tani kam frikë. Si ta përballojë këtë frikë?

Është shumë normale që e keni një dozë frike nga vozitja, sepse tani jeni përgjegjëse edhe për foshnjen në stomak. Nëse edhe më parë keni qenë nën stres gjatë vozitjes, sigurisht që tani gjendja do të përkeqsohet edhe më shumë.

Mundohuni që të qetësoheni dhe të lironi nga koka mendimet negative. Merrni masa (para së gjithash vendosni rripin e sigurimit) dhe kënaquni gjatë vozitjes.

A me lejohet ta vë rripin e sigurimit, dhe nëse po si ta vendos?

Gjithmonë vendosni rripin e sigurtë!

Pa marrë parasysh nëse voziteni nëpër qytet apo udhëtoni për rrugë më të gjatë, patjetër vendosni rripin e sigurisë, nëse vozisni ju apo të tjerët!

Nëse jeni në dilemë se mos rripi i sigurimit mund t`ju lëndojë frytin, përgjegjja është jo, sepse ai mbron nënën dhe foshnjen, por e rëndësishme është që ta vendosni në mënyrë të drejtë!

Vendosja e drejtë e rripit të sigurisë gjatë udhëtimit në shtatzani nënkupton vendosjen e tij në pjesën e poshtme nën stomak, ashtu që të kalojë përmes tërë legenit, ndërsa të sipërmin, diagonalin, përmes krahëve dhe në mes gjoksit (rripi kursesi nuk guxon të kalojë mbi stomak). Asnjë nga pjesët nuk bën të jenë shumë të ngushta, por as shumë të lira. Vendosja e pjesës së poshtme mbi mitër mund të rris shtypjen në mitër dhe paraqet rrezik nga lëndimet përmes mitrës dhe frytit në të, kështu që keni kujdes që pjesa e poshtme e rripit të kalojë gjithmonë nën stomak.

A mund të shkaktojnë dëme jastëqet me ajër?

Jastëku me ajër, gjatë rasteve të ndeshjeve fryhet vetëm në pjesën e kokës dhe boshtit të gjoksit, prandaj në princip, nuk paraqet rrezik për foshnjen. Jastëku me ajër dhe rripi i sigurimit do të ju mbrojë juve dhe foshnjen tuaj në raste të ndeshjeve eventuale.

Gjithashtu, nëse vozisni, qëndroni sa më larg timonit (minimum 25 cm), respektivisht duhet të jeni të larguara nga air bag-u sa më shumë në raste të aktivizimit, që të mos ju bëjë shtypje.

A iu preferohet shtatzënave udhëtimi i gjatë me makinë?

Për nënat e ardhshme udhëtimi me makinë, paraqet një nga mjetet e udhëtimit më të mira, megjithëse, udhëtimi i gjatë më shumë se 6 orësh, paraqet lodhje të tepërt. Për këtë, nëse udhëtoni në rrugë të gjata, është e rëndësishme ta organizoni rrugën nëpër etapa.

Gjatë udhëtimit bëni pauza çdo 1,5 – 2 orë. Shëtitni minimum 5 – 10 minuta ashtu që të ju qarkullojë gjaku. Edhe gjatë vozitjes bëni ushtrime të thjeshta për këmbë (rrotulloni shputat dhe gishtërinjtë).

Poashtu, duhet ti shmangeni udhëtimeve në kohë të nxehtë, prandaj më së miri është të udhëtoni në mëngjes. Nëse keni klimë në makinë, rregullojeni ashtu që temperatura të jetë 4-5 gradë më e ulët se sa jashtë.