Pëlqeje në
E pelqej BebaIme.com në Facebook

Vogëlush #Udhëzues shëndeti - sëmundjet > Infeksionet e fytit, si të dalloni nëse fëmija juaj është i sëmurë


Përmbajtja


Cilat janë infeksionet më të shpeshta që prekin rrugët e frymëmarrjes

Dhimbja e fytit është shenja më e shpeshtë e infeksionit që mund të godasë një nga zonat e këtij organi, nga bajamet tek faringu. Përgjegjës janë në përgjithësi viruset dhe bakteret, por ndonjëherë dhimbja e fytit mund të jetë një reagim ndaj irrituesve si: pluhuri, tymi, smogu (ajri i ndotur) dhe ajri shumë i thatë.

Infeksionet e fytit, të tilla si bajamet/tonsilitis, janë të rralla tek fëmijët nën një vjeç. Ato janë më të zakonshme tek fëmijët që sapo kanë filluar shkollën dhe që ekspozohen në një shkallë më të madhe ndaj baktereve. Mjafton të hapësh gojën e fëmijës dhe dallohet një fyt i skuqur, me bajamet që mund të jenë skuqur gjithashtu. Nxirrini gjuhën jashtë fëmijës dhe bëjeni të thotë: “Aaaaaa”, për t’i parë fytin.

Fëmija ka dhimbje kur gëlltitet, mund të thotë se e ka fytin e tharë, mund të ketë temperaturë, kollë, ulje zëri. Nëse është një dhimbje e zakonshme fyti që nuk shkakton gjendje të keqe fizike të përgjithshme, është e mjaftueshme që fëmijës t’i jepen pije të freskëta dhe në përgjithësi ushqim të lëngët. Në të kundërt, po pati temperaturë, dhimbje të theksuar dhe vështirësi në frymëmarrje, është e nevojshme të thirret pediatri, që do të japë kurën më të përshtatshme.


Infeksioni i bajameve

Këto organe të vogla në formë bajamesh që gjenden në fund të fytit formojnë një unazë të vërtetë mbrojtëse. Detyra e tyre është të pengojnë bakteret dhe viruset. Pra nuk është për t’u habitur që bajamet skuqen dhe kjo ndodh shpesh tek fëmijët mbi dy vjeç.

Bajamet, që janë të vogla në lindje, zhvillohen në vitet e para të jetës, për të ndihmuar trupin të mbrohet nga infeksionet. Është normale pra, që një fëmijë në moshë parashkollore mund të ketë gjatë dimrit 4-5 episode të mprehta të bajameve. Pjesa më e madhe e skuqjeve të bajameve është me origjinë virale (rreth 70 %).

Shfaqet me temperaturë të lartë (38.5-39 gradë), dhimbje fyti dhe skuqje të lehtë të bajameve. Këto shenja lehtësohen që nga dita e dytë për t’i lënë vendin ftohjes, kollës së thatë dhe pastaj rrjedhjes së ujshme të hundëve. Kura parashikon pothuajse ekskluzivisht përdorimin e mjekimit kundër temperaturës për ta ulur atë. Brenda një jave shqetësimi zhduket.


Bakteret

Vetëm 30 % e bajameve bëhen nga bakteret. Por t’i dallosh nuk është gjithmonë e thjeshtë: temperatura shkon mbi 39 gradë dhe vazhdon për të paktën dy ditë; bajamet duken të zmadhuara dhe shumë të skuqura. Gjëndrat në anë të nofullave janë rritur.

Pediatri mund të sigurohet për tipin e bakterit, duke vendosur një pambuk në fund të fytit. (Kujdes! Ky është një veprim që i lejohet vetëm mjekut të specializuar dhe jo familjarëve).

Është e rëndësishme të përjashtohet prania e një bakteri veçanërisht të rrezikshëm si Streptokoku betahemolitik i grupit A. Ai është i vetmi që mund të shkaktojë, për fat të mirë shumë rrallë, probleme të rënda si temperatura reumatike, ose infeksioni në veshka. Gjithashtu, duke dalluar bakterin, pediatri mund të përshkruajë antibiotikun më të mirë, pasi ka bërë antibiogramën (analizë e rekomanduar nga mjeku). Më parë mjaftonin disa shqetësime të bajameve dhe mjekët vendosnin t’i operonin.

Sot mjekët përpiqen t’i ruajnë sa më shumë të jetë e mundur këto organe mbrojtëse të vogla, por shumë të dobishme. Heqja bëhet vërtet e nevojshme kur: bajamet zmadhohen, aq sa bëjnë të vështirë frymëmarrjen dhe gëlltitjen; inflamacionet bakteriale janë më shumë se 7 në një vit dhe antibiotikët nuk iu bëjnë asgjë; formohen çibanët e qelbëzuar të bajameve, që shkaktojnë temperaturë të lartë dhe dhimbje fyti.


Infeksionet e kraharorit

Te fëmijët e vegjël kanalet e kalimit të ajrit, sinuset, veshët, hunda dhe fyti janë një sistem i vetëm, sepse tubat janë shumë të shkurtra.

Infeksionet e kraharorit mund të shkaktohen nga çdo lloj infeksioni në rrugët e sipërme të frymëmarrjes. Këto infeksione janë gjithmonë serioze. Rrugët e ajrimit janë aq të ngushta, sa që frymëmarrja bëhet e pjesshme dhe mund të zhvillohet pneumonia.

Nëse frymëmarrja e fëmijës vështirësohet, thërrisni menjëherë mjekun.


Kolla

Kolla është një veprim që pastron fytin nga irritimet e tilla si sekrecionet mukoze, pluhuri apo duhani. Kolla mund të jetë edhe si pasojë e irritimeve nga gripi, të ftohurit, bajamet apo infeksioni në kraharor.

Duhet të trajtohet shkaku i kollës dhe jo vetëm kolla, e cila është thjesht një shenjë. Ka dy tipa kollash: kolla e thatë dhe kolla me gëlbazë. Të dyja pengojnë gjumin. Tek një bebe e vogël, mukusi që mund të jetë në fundin e fytit mund të shkaktojë të vjella. N

ëse dyshoni se fëmija ka astmë, duhet të kërkoni menjëherë ndihmë mjekësore. Nëse ka ndonjë infeksion të brendshëm si për shembull, të bajameve, ky duhet trajtuar më vete. Mos e lini fëmijën të vrapojë, të marrë frymë rëndë dhe shtrijeni anash apo përmbys për të fjetur. Kjo pengon mukusin që të rrjedhë poshtë fytit. Jepini shumë pije të ngrohta.


Laringu

Infeksioni i laringut shkaktohet nga të ftohtit dhe fyti i tharë. Në qoftë se nuk çon në bllokim të rrugëve të frymëmarrjes, nuk është problem serioz.

Shenjat më të përgjithshme janë humbja e zërit dhe ngjirja. Fëmija mund ta ketë të vështirë dhe të dhimbshme të gëlltitet, mund të ketë kollë të thatë dhe ethe të lehta. Shumica e rasteve të laringitit nuk zgjasin. Fëmija duhet të pushojë mundësisht në një mjedis të lagësht, ku të qarkullojë ajri.

Jepini shumë lëngje dhe mos e lini të flasë shumë. Nëse temperatura vazhdon, ka nevojë për antibiotikë. Sigurohuni që nuk është i nxehtë dhe nëse vini re shenja të bllokimit, lajmëroni mjekun.


Bronkitet

Rrugët e gjera të ajrit në mushkëri quhen bronke dhe ato më të voglat bronkiole. Bronkitet dhe bronkolitet ndodhin kur infeksionet virale çojnë në mbushjen e tyre me mukus, apo bllokimin e tyre. Bronkoliti është më serioz, sepse mund të sjellë vështirësi në frymëmarrje dhe vihet re më shumë tek bebet dhe fëmijët e vegjël.

Bronkiti zakonisht nuk është serioz tek fëmijët mbi 1 vjeç. Është një mahisje e bronkeve që paraprin ose i bashkëngjitet mahisjes së rrugëve të frymëmarrjes (grip, trakeit ose laringit). Një sëmundje tipike gripi, shfaqet shpesh gjatë dimrit, kur fëmijët jetojnë në mjedise të mbyllura dhe thithin ajrin e ndotur të qytetit. Në shumicën e rasteve shkaktohet nga viruse, por mund të shkaktohet edhe nga baktere ose irritues të tjerë (tymi, ajri i ndotur).

 

/gazeta-albania




Shto Koment

kthehu
Kontakt
© Beba Ime 2010. Kjo uebfaqe përmban informata të një natyre të përgjithshme dhe është e dedikuar vetëm për nevoja edukative. Nëse keni shqetësime për shëndetin tuaj apo për shëndetin e fëmiut tuaj, duhet gjithmonë të konsultoheni me mjekun apo me personel tjetër profesional medicinal.