Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Perimet dhe fëmijët mund të bëjnë së bashku

Fëmijët nuk i kanë qejf ushqimet e komplikuara

Nëna e di që fëmija do të jetë i shëndetshëm, nëse ai ha pesë racione frutash dhe perimesh në ditë sipas rekomandimeve. Por gjithashtu, e di se fëmija nuk i ka qejf. Çfarë duhet bërë?

Problemet me pemë dhe perime paraqiten zakonisht pas ditëlindjes së dytë, kur vogëlushët fillojnë të shprehin shijen dhe dëshirën personale. Atëherë shujtat bëhen kohë për lojë për fëmijët dhe momente të sfidave të vërteta për prindërit.

Hapi i parë është shmangja e stresit dhe nervozës, sepse për fëmijën qetësia e prindërve varet njëjtë sikurse edhe ushqimi. Për këtë është e rëndësishme të mbani në mend që 5 porcionet në ditë duhet të jenë qëllim dhe jo rregull. Ky qëllim ndoshta nuk do të jetë i mundur të arrihet çdo ditë. E rëndësishme është që të mos e humbni durimin dhe të mos shqetësoheni nëse vogëlushi ha shumë pak. Suksesi qëndron tek këmbëngulja: organizmi nuk mund ti ruajë përbërësit e nevojshëm nga pemët dhe perimet dhe eliminon ato të cilat nuk janë asimiluar. Për ketë janë të mjaftueshme sasitë e vogla, të cilat duhet të jenë të shpeshta.

Psh. mjafton një filxhan kafeje me supë nga perimet, tre bajame, një lajthi, dhe rrush të thatë. Nëse kësaj i shtoni një pjesë të hudhrës apo një pjesë karrotë gjatë ditës, ju mund të jeni të kënaqura.

Ngjyrat në tryezë

Kuptojeni të gjithën si një lojë dhe shfrytëzoni ngjyrat për përgjigje në këtë pyetje “çfarë të përgatis sot?”. Ndani në 5 shujta kryesore sipas ngjyrave: e bardhë, e verdhë, portokalli, e kuqe, e gjelbër dhe e kaltër në të vjollcë.

Ja udhëzimet për organizimin e shujtave sipas ngjyrave:

Shujta e bardhë: ngjyroseni mëngjesin në të bardhë duke i ofruar fëmijës një jogurt me yndyrë të plotë me drithëra. Këtë shujtë të bardhë përmbusheni me mollë, dardhë dhe banane. Alternativë e mirë është edhe frapeja nga qumështi yndyrë plotë me këto fruta.

Për drekë dhe darkë shërbeni perime të prera në shkopinj (të bardha apo me ngjyra më të qela si psh. kopër, çikore (belge), lakër, hudhra, selino, rrepë) me salcë, fëmijët këtë e adhurojnë.

Idetë për salcë:

• Vaj ulliri, kripë dhe uthull balsamiko apo limon

• Djathë krem me pak borzilok (apo ndonjë bimë tjetër aromatike)

• Fasule të përziera apo të bluara (mund të përgatitet edhe si krem)

• Salcë guakamole (avokado i pjekur, kripë por mund ti shtoni edhe domate dhe qepë që të bëhet më i pasur)

• Jogurt standard apo keçap (në vend të keçapit mund të përdorni edhe salcë domatesh nga shishet sepse janë më të shëndetshme)

Mundohuni të shtoni rregullisht hudhër, qepë dhe patate salcave.

Këshillë plus: pasuroni purenë e patateve duke i shtuar në të ndonjë perime.

Shujta e portokalltë: portokalli i shtrydhur me limon apo limonadë e freskët janë zgjidhje e shpejtë për konsumim të vitaminave. Mund ta pasuroni me karrotë dhe mollë (vetëm se përziejini mirë). Për drekë dhe darkë përgatitni kungull të bluar në formë pureje apo shërbejeni të pjekur nga furra. Shija e ëmbël e kungullit zakonisht fëmijëve u pëlqen. Përveç kësaj, ngjyrën e portokalltë mund t`ia shtoni edhe qofteve duke grirë karrotën në mish.

Shujta e kuqe: salca e domateve për pasta (makarona) mund ti pëlqejë secilit fëmijë. Përgatiteni nga domatet e freskëta (më së miri ato të pjekura sepse janë më të buta) dhe hidheni në bukë apo në pica. Për shkopinj të kuq mund të përdorni speca, rrepë të kuqe, lakër të kuqe, domate. Përgatitet lehtë edhe pureja nga thjerrëzat e kuqe, të cilat janë kombinim shumë i mirë me oriz apo me pasta, por edhe në formë supe.

Shujta e kaltërt - vjollcë: lëngje nga frutat e malit për mëngjes apo përzierja e frutave të thata, arrave, bajameve, lajthive dhe kumbullave të thata me jogurt nga boronicat.

Shujta jeshile: lloje të ndryshme perimesh me gjethe jeshile, mund të shërbehen për supë darke (shija do të jetë edhe më e mirë nëse i hidhni karrotë, kungull dhe domate). Nga bizelet, patatet dhe jogurti apo djathi i freskët mund të përgatitni krem shumë të mirë dhe ta shërbeni me perime të prera.

Çfarë bëjnë tjetër nënat

Strategjia e preferuar e nënave për ti dhënë fëmijëve perime, përveç asaj me ngjyra, është “maskimi”. Në këtë mënyrë, perimet mund të gjenden në qofte, në pure, në salcën e pastave, të bluara me oriz apo në mish të bluar, të pjekura në furrë me djathë.

Megjithatë, jo të gjitha janë dakord me këto “truke”. Disa nëna janë të ashpra kur është kjo në pyetje, ato mbështeten në instinktet e mbijetesës së fëmijëve të tyre, duke mos ofruar ndonjë gjë tjetër përveç perimeve. Por, për cilëndo mënyrë që të përcaktoheni, e rëndësishme është që të mos harroni të jeni të durueshme.

Mbani në mend thjeshtësia është baza e suksesit, sepse fëmijët nuk duan ushqim të komplikuar. Keni parasysh që frutat dhe perimet më të shëndetshme janë ato sezonale, të cilat duhet ti konsumoni sa më të freskëta. Vaji i ullirit (ai ekstra i virgjër) është mëlmesa më e mirë.

Natyrisht, nuk ka kurrfarë kontraindikacione për përdorimin e perimeve të ngrira, të cilat janë një ndihmë e vërtetë për familjet e zëna me punë.