Procesi i lënies së pelenave dhe të shkuarit e fëmijës vetë në banjë është shumë i vështirë. Nënat shpesh mund të përjetojnë një luftë nervash dhe të kthehen dhe një herë tek pelenat. Para se ta mësoni fëmijën me banjën duhet të dini: A jeni gati ju për këtë? A është gati fëmija juaj? Dhe a keni kushte të përshtatshme për ta realizuar?
Ai ishte vetëm 2-vjeç. Natën zgjohej duke qarë, kërkonte të flinte pranë nënës ndërsa ditën vazhdonte me prapësitë e tij. Nëna kishte afërsisht një muaj që përpiqej ta mësonte me banjën. Por ai vazhdonte të lagte dhe refuzonte të shkonte në banjë. Më në fund nëna vendosi t’ia lidhë dhe një here pelenat. Fatkeqësisht një fëmijë i pjekur si nga fizike ashtu dhe mendore nuk kishte arritur të mësohej me banjën. Nga ana tjetër kemi një nënë të pastër dhe të padurueshme. Me frikën se mos fëmija do të bëjë pis e çonte në banjë rreth 20-25 herë brenda 15 minutave dhe kur fëmijës i shpëtonte, ajo i bërtiste dhe e qëllonte. Kjo periudhë ishte shndërruar në një ankth të keq si për fëmijën ashtu dhe për nënën. Fëmija ndihej më i frikësuar dhe i zemëruar ndaj nënës. Dhe sikur për inat të saj e bënte në mbathje edhe kur flinte, refuzonte të shkonte në banjë. Si mund ta mësojmë fëmijën me një zakon të! rregullt të shkuarjes në banjë? Siç e thamë dhe më lart për ta bërë këtë duhet të kemi gati fëmijën, nënën dhe ambientin.
A jeni gati?
Kjo është një periudhë e lodhshme që kërkon pak durim. Fëmija gjatë kësaj periudhe përfton edukimin e tij themelor. Zhvillohet mekanizmi i kontrollit brenda një bashkëveprimi të trupit dhe mendjes. Dhe kjo nuk është shumë e lehtë. Nëna duhet të jetë e vendosur, energjike dhe të ketë kohën e mjaftueshme. Nuk është e drejtë të ktheheni edhe një here aty ku ishit dhe t’i vendosni pelenën me mendimin se “nuk mundem më”. Nuk duhet të ketë kthim mbrapa. Prandaj më e mira do ishte që nëna të zgjidhte një periudhë të qetë gjatë së cilës të merrej me fëmijën.
A është gati fëmija juaj?
Pjekuria e fillimit të mësimit të fëmijës me aftësinë e shkuarjes në banjë ndryshon nga një fëmijë tek tjetri. Por një fëmijë me zhvillim normal mund të fillojë marrjen e edukatës së banjës në moshën 1,5 -2,5 vjeç. Marrja e kësaj edukate para ose pas kësaj moshe mund të shkaktojë çrregullime në sjellje dhe mund të jetë më e vështirë. Nëse fëmija juaj mund të qëndrojë i thatë për dy orë, shqetësohet kur e bën të madhen, jep shenja me fjalë ose gjeste dhe nëse nuk lag gjatë gjumit të drekës atëherë mund të themi se është gati për marrjen e edukatës së banjës.
A keni ambient të përshtatshëm?
Kur lind një vëlla tjetër, fillimi i kopshtit, ndryshimi i shtëpisë , divorcimi i prindërve janë periudha kur fëmija e ndjen veten të pasigurt. Në këtë rast ky edukim duhet shtyrë. Krahas kësaj edhe ndarja e fëmijës nga nëna dhe qëndrimi i tij me një person tjetër (gjyshi, gjyshja apo dado) ndikon negativisht tek fëmija.
Si duhet të veprojmë?
Si fillim fëmija duhet të përdorë një oturak me të cilin mund ta lejoni të luajë.
Flisni me fëmijën. Shpjegojini se tashmë është rritur dhe duhet të heqë pelenat ashtu si vëllai apo motra më e madhe . Kërkoni mbështetjen e familjarëve të tjerë. (gjyshi, gjyshja duhet ta nxisin fëmijën).
Pelenat hiqjani ditën dhe natën. mos i lidhni pelenë natën. Lidhja e pelenave natën mund t’i japë mesazhin se mund të lagë natën. Dhe kështu mund të vështirësoni punën në fitimin e këtij zakoni edhe gjatë ditës.
Shkoni bashkë me të në banjë. Prisni pranë tij dhe shpjegojani si proces.
?ojeni fëmijën në banjë çdo 1,5–2 orë dhe sidomos pas ushqyerjes. Dhe lavdërojeni kur e bën. Mos qëndroni më shumë se 5 min në banjë. Në rast se nuk e bën atëherë buzëqeshini dhe dilni nga banja duke thënë “siç duket nuk të ka ardhur akoma”.
Zgjojeni nga gjumi 1 orë pasi të ketë fjetur. Mos kini frikë se do ta zërë sërish gjumi. Nëse ju kërkon pranë qëndroni pranë tij dhe mbajani dorën derisa ta zërë gjumi.
Kur të ndihet i qetë do të shkojë vetë dhe nuk do t’ju kërkojë nga pas. Pas një fare kohe do të shkoje vetë madje do të mbyllë edhe derën.
Dhe mos harroni, ju duhet kohë. Maksimumi brenda 6-8 muajve fëmija do të fitojë aftësinë e shkuarjes vetë në banjë. Nëse fëmija nuk e fiton këtë aftësi deri në moshën 5-vjeçare kërkoni ndihmë profesionale. 02/2012


