Foshnja e vockël që deri dje mbaja në duar tani ka mbushur 3 vjeç, megjithëse netët e kaluara pa gjumë, dhimbjet e gjoksit nuk më duken aq të largëta. T’ia nxjerr gazrat, ta pastroj, ta ushqej, ta vë në gjumë dhe ja tani ecën këmba dorazi.
Tani shëtit në majë të kolltukëve. Koha kalon aq shpejt saqë njeriu harron atë që ka përjetuar. Tani teksa dëgjoj shoqet e mia me fëmijë më të vegjël se unë përpiqem të kujtoj dhe mendoj të shkuarën.
Njëra nga shoqet ankohet se fëmija nuk ia merr biberonin tjetra është shumë e lodhur, e sfilitur sepse qëndron zgjuar gjithë natën për shkak të gazrave. Kur rritet pak fillojmë të ankohemi se na rri gjithë ditën ngjeshur duke menduar se vetëm fëmija ynë e bën diçka të tillë. Nuk është ashtu, çdo gjë që përjetojmë është pjesë e një procesi natyral. Në fillim duhet të ndihemi mirë dhe të falënderojmë Zotin që kemi një fëmijë të shëndetshëm dhe më pas të mos i hiperbolizojmë gjërat por të pranojmë gjendjen ashtu siç është.
?’është e vërteta kur filloni të pranoni problemet ato nuk ju shqetësojnë më si më parë. Dhe e gjithë kjo është krejt normale. Tre muajt e parë fëmija sigurisht që do të ketë gazra por do t’i kalojnë sapo të fillojë të sillet, të lëvizë vetë. Nuk ushqehet me shishe apo nuk merr biberonin? Le të mos e marrë, pa mendohu pak, nuk do të shqetësohesh për ta mësuar të heqë dorë nga biberoni. E vetmja gjë që do të bësh është t’ia heqësh gjirin kur të duket e përshtatshme. Dhe tashmë është 18 muajsh, vogëlushi nuk rri në një vend, është shumë i lëvizshëm? Pritej diçka e tillë. Kjo periudhë kalon duke iu ngjitur këmbëve të nënës. Dhe e di mirë që do të turfullosh duke thënë “mjaft më, rri një minute rehat”. Unë nuk mund të shkoja as në banjë kur ai ishte zgjuar. Shumë e mërzitshme, e sikletshme po ja që kështu është kjo punë. Ne jemi nëna dhe fëmija ndihet i sigurt dhe i qetë vetëm pranë n! esh. E di mirë që nëna e tij e kupton, mbron , ushqen. Nëse mendoni kështu më besoni se do t’ju kalojë dhe ajo ndjenja e mërzisë së mëparshme.
Mos u merakosni shumë dhe mos u frikësoni nga sindroma e moshës 2-vjeçare. Edhe ajo është një shkallë që do të kalohet. Në vend të fjalëve “pse është kështu fëmija im?” ka ardhur koha të thoni “vogëlushi/a im/e po rritet”. Respektojeni atë, ai e ka më të vështirë se ju. Përpiqet ta tregojë hallin e tij me gjuhën që sapo ka filluar t’i zgjidhet, nuk e keni kuptuar akoma? Mund të zemërohet menjëherë. Përqafojeni fort dhe mos i bërtisni apo zemëroheni me të.
Dhe pa kaluar shumë kohë të gjitha harrohen. Vogëlushi juaj do të fillojë të luajë. Madje do të thotë “ik mami ti, hajde më vonë”. Dhe kur e kuptoni se nuk jeni e dëshiruar ndiheni aq keq saqë as ju vetë nuk e kuptoni. A nuk ishin këto momentet që kishit ëndërruar, imagjinuar muaj të tërë? Jemi shumë të çuditshëm. Duam edhe të marrim frymë lirisht edhe të ndjejmë frymën e fëmijës sonë në faqe. Tani buzëqesh kur i hedh një sy të shkuarës. Përpiqem të kujtoj mërzitë, lodhjet, krizat e gjumit por nuk mundem. I paskam harruar të gjitha sepse koha kalon. Mbrapa mbesin vetëm kujtimet e bukura dhe aroma e këndshme e fëmijës. 02/2012


