Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Nënat Shkruajnë

Babai model

Prindi duhet të jetë model për fëmijën

Me qëllim që babai të kryejë rolin e tij si prind, kërkohen prej tij tre gjëra: e para të jetë prind model për fëmijën, e dyta, të interesohet dhe t’ju kushtojë vëmendje fëmijëve dhe e treta, të interesohet dhe të përkujdeset për ta.

- E para të jetë prind model për fëmijën. E dyta, të interesohet dhe t’ju kushtojë vëmendje fëmijëve. E treta, të interesohet dhe të përkujdeset për ta. Rolet që luajnë shumë prindër me fëmijët e tyre janë të ndryshme. Kështu, kemi prindër edukues, por kemi edhe prindër përbindësh, të cilët ushtrojnë dhunë dhe terror ndaj fëmijëve. Duke vënë në përdorim sferën e tij emocionale, prindi mund të influencojë më shumë tek fëmija, seç mund të influencojë duke ushtruar dhunë. Ti mund të depërtosh tek zemrat e fëmijëve të tu me dhembshuri dhe dashuri, por kurrë me forcë dhe dhunë. Me qëllim që ai të bëhet një model i mirë për fëmijët, lipset që t’ju kushtojë atyre kohë, mund dhe vëmendje. Mos thuaj se jam i mbytur në punë dhe skam kohë të merrem me fëmijët. Nëse ndonjëri prej tyre merr rrugë të keqe, ty do të duhet të merresh me të dhe ti kushtosh kohë më të madhe se koha që lipset për edukimin e tij. Jo vetëm kaq, por koha që do të duhet ti kushtosh djalit apo vajzës nëse marrin rrugë të keqe, do të ndikojë në punën dhe aktivitetet e tjera, do të jesh i stresuar dhe i tensionuar. Prandaj, kushtoja këtë kohë tani, pa ndikuar në angazhimet e tua dhe pa të shkaktuar stres.

- E dyta, fëmija, djali apo vajza, kanë nevojë për mundin dhe përpjekjet e tua. Nëna, nuk ka nevojë të përpiqet dhe të mundohet për të fituar dashurinë dhe simpatinë e fëmijës. Kjo, për shkak se gjatë shtatzanisë janë shkëmbyer hormone mes të dyve. Shtoji kësaj periudhën e mëkimit dhe përkujdesit që tregon nëna gjatë këtij stadi. Sakaq, babai nuk e ka pasur këtë privilegj. Kështu, marrëdhëniet e ngushta mes babait dhe fëmijës, lindin dhe forcohen nga mënyra si e trajton prindi fëmijën. Nëse ai e puth, e përqafon, e përkëdhel, luan e dëfren me të etj... Në të kundërt, ti nuk je baba për fëmijën. Në këto dy tema, ne do të fokusohemi më shumë në rolin e babait, pasi atij i duhet të shtojë përpjekjet për ti forcuar marrëdhëniet me fëmijën e tij.

- E treta, fëmija ka nevojë për vëmendjen e babait. Shumë etër të thonë se jam shumë i zënë me punë dhe angazhime dhe nuk kam kohë për fëmijët. Një baba që qëndron disa ditë larg fëmijëve dhe kur kthehet u kushton vëmendje, është më i mirë se babai që nuk largohet nga shtëpia por nuk u kushton aspak vëmendje fëmijëve. Edhe pse jeton me ta nën një strehë, ai duket sikur jeton në një botë krejtësisht tjetër. Një ide që mund t’ju japë babai, një stimul, mënyra si i trajton, si u flet, si i dëgjon, një përrallë para gjumi etj... janë thelbësore për edukimin dhe rritjet normale të fëmijës. Unë si baba, çdo ditë përgatis përrallën apo tregimin para se djali im të flejë gjumë. Ndonjëherë nuk jam përgatitur dhe nuk kam çfarë ti tregoj, kështu detyrohem të sajoj diçka nga ana ime dhe gjer tani ka funksionuar shumë mirë. Sa herë që ndodhem larg familjes, kur komunikoj me ta, kam përgatitur diçka për ti thënë, diçka që të mos e harrojë gjithë jetën. Recetë për fëmijë të mirëedukuar

Këshilla më e efektshme dhe dobiprurëse për ti edukuar sa më mirë fëmijët, është që mos flasësh me gojë, por me vepra. Nuk ka nevojë që të mbajmë predikime në familje. Fjalët i merr era, kurse veprat gdhenden thellë në ndërgjegjen e fëmijëve.

Ka shumë fëmijë që thonë se fjalët që ua thotë babai, u hyjnë nga njëri vesh dhe u dalin nga tjetri. Nëse kërkon të kesh ndikim tek fëmijët e tu, mos u fol fare, thjesht tregoju dhe demonstroju vepra, ji model i mirë për ta. Fëmijët ndjekin dhe hetojnë gjithçka, asgjë nuk u humbet atyre. Veprat dhe lëvizjet e tua si prind model, janë më të dobishme se njëmijë predikime dhe ligjërata.

Nëse shtëpia nga brenda është e përçarë dhe e shpërbërë, këshillat dhe ligjëratat janë të padobishme. Nëse e gjithë bota jashtë është e shpërbërë, kurse familja është e fortë dhe manifeston sjellje model, ka shpresë për përmirësim. Prandaj, nëse e besoni dhe e doni Zotin, kapuni fort pas familjes.

Fëmijët imitojnë më të rriturit në gjithçka. Nëse ti o prind e ngre zërin, i bërtet gruas, e ofendon dhe e rreh, dije se fëmijët e tu nuk do e respektojnë gruan kur të rriten. Nëse ti pi duhan, të jesh i sigurtë se edhe djali yt do të pijë duhan, e më vonë edhe drogë. Nëse ti je egoist, i tillë do të jetë edhe fëmija yt. Nëse ti je i rrëmbyer, këtë sjellje do e mësojë edhe fëmija yt.

Për fëmijën, ti je modeli më i mirë dhe të imiton në çdo të madhe dhe të vogël. A ke menduar ndonjëherë mbi vlerat që duhet të kultivosh tek fëmijët e tu? A dëshiron që fëmija yt të jetë i ndershëm, i dëlirë, i moralshëm dhe me duar të pastra? Nëse përgjigja është po, atëherë ji model i mirë për të. Edhe për gjërat më të parëndësishme, fëmijët veprojnë sipas asaj që shohin prindërit. Nëse ti je mësuar të pish ujë pa gotë, direkt nga broka, dije se edhe djali apo vajza jote në të njëjtën mënyrë do të pijnë. Nëse ti ke lidhje të mira me Zotin, nëse shkon mirë me gruan dhe nënën e tyre, nëse je i dhembshur dhe dashamirës etj... të tillë do të jenë edhe fëmijët tuaj.

Mos lakmo dhe mos prit që fëmijët të jenë të mirë, nëse ti nuk je i tillë. Nëse kërkon të kultivosh dhembshurinë tek fëmijët e tu, shko bashkë me ta dhe vizitoni një jetimore. Vepra është këshilluesi më i mirë. Nëse dëshiron që ai të lutet sa më shumë, manifestoja lutjet e drejtuara Zotit bashkë me gruan tënde, në sytë e fëmijës. Thotë profeti Muhamed a.s:”Çdo fëmijë lind me natyrë të pastër (fitra).” A e kupton se çfarë dhurate të madhe po të bën Zoti? Ai po ta jep fëmijën të pastër dhe të dëlirë, tabula rasa, me qëllim që ta edukosh sa më mirë. Nëse këtë natyrshmëri të pastër të fëmijës, e mbush me edukatë të mirë, kur të mbushë moshën e pjekurisë.

Djali dhe vajza jote, i marrin vlerat prej teje, ti je burimi i vlerave dhe i burrërisë tek ata. Një prind që pi duhanin, u dërgon mesazh në pavetëdijen e fëmijëve, si djalit dhe vajzës, se të jesh burrë dhe model i mirë, duhet të pish duhan. Në vartësi të edukimit që do u japësh fëmijëve, do të jetë edhe shpërblimi yt.Unë nuk po u kërkoj të mos gaboni kurrë, pasi kjo është diçka ideale dhe e pamundur. Është normale që të gabojmë, por në raste të tilla duhet ta korrigjojmë gabimin. Nëse këtë identitet nuk e zhvillon dhe nuk e gjen tek ti o baba, do e kërkojë diku tjetër. Një fëmijë pa identitet të qartë dhe të zhvilluar, i ngjan një pëlhure ku çdo njeri shkruan një fjalë dhe në fund nuk merret vesh asnjë. A je model i mirë për fëmijën tënd ti o prind? A mundohesh ti korrigjosh gabimet për hatër të fëmijës? A përpiqesh ta respektosh veten për hir të fëmijëve.Raste të tilla ndodhin kushedi sa herë në shtëpitë tona, ku nëna apo babai u premtojnë gjëra fëmijëve dhe nuk e mbajnë premtimin. Ata duhet ta dinë se u regjistrohen si gënjeshtra. Kështu, prindërit ngulisin në mendjen e fëmijëve domosdoshmërinë e gënjeshtrës.

Shumë baballarë u kërkojnë fëmijëve të tyre të përgjigjen në telefon dhe ti thonë telefonuesit se babai nuk ndodhet në shtëpi. Prindër të tjerë u flasin fëmijëve për mashtrimet, hilet dhe marifetet që përdorin për tua hedhur të tjerëve. Kështu ata kultivojnë mashtrimin tek fëmijët e tyre. Inxhinierët e ndërtimit që ndërtojnë pallate të cilat shemben nga tronditjet më të lehta, janë edukuar në familje të tilla. Ngjaret e rënda dhe tragjike, e kanë burimin tek familja. Ofroja fëmijëve të tu modelin më të mirë të prindit, lëri të shohin tek ti cilësitë dhe tiparet më të mira. Fëmija do të rritet dhe edukohet ashtu siç je ti. Nëse kërkon të jetë njeri i ndershëm, i dëlirë dhe i moralshëm, duhet të jesh ti o baba i tillë. Një baba i tillë e kupton djalin dhe vajzën me një shikim në sy. Babai që interesohet dhe përkujdeset për fëmijët, i kushton vëmendje si shëndetit fizik të tyre, edhe atij psikologjik. Ai e dallon menjëherë vajzën e tij kur është e stresuar dhe e mërzitur. Të interesohesh dhe të përkujdesesh për fëmijët, nuk do të thotë t’ua nxish jetën dhe t’i përgjosh në çdo hap, duke cenuar privatësinë e saj. Interesimi në këtë rast bëhet me butësi, maturi dhe edukim. 11/2011

Dita Rrustemi

/komuniteti