Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Nënat Shkruajnë

Binde fëmijën tënd

Binde fëmijën dhe mos iu impono atij me zor! Ndërveprimi me fëmijët dhe puna me ta është art dhe shkencë.

Kur ne duam të mësojmë dhe realizojmë një mjeshtëri prej teknikave dhe profesioneve jetike, si në rastin kur duam të vëmë në përdorim një mekanizëm a vegël, respektojmë rregullat profesionale.

Kështu kur duam të nisim një makinë, respektojmë rregullat dhe ligjet e caktuara, sikurse kodin e qarkullimit rrugor dhe mënyrën e saktë të përdorimit të kategorisë së makinës apo makinerisë që duam të drejtojmë. Në mënyrë të tillë duhet të veprojmë edhe kur kemi të bëjmë me drejtimin dhe vënien në funksion të ekzistencën më të ndërlikuar të krijuar në këtë univers, njeriut, sidomos kur ai është në periudhën më të ndërlikuar të mundshme, atë të fëmijërisë, në periudhën bazë të formimit dhe zhvillimit të tij. Prandaj ne duhet të mësojmë se si përdorim paketën e rregullave përkatëse.

Na ndodh shpesh, që t’ju imponohemi fëmijëve tanë me urdhra, pa u marrë vetë me arsyetimin e direktivave që po u japim atyre, pa bërë asnjë koment dhe pa tentuar aspak shpjegimin e domethënies që synojmë përmes këtyre urdhrave. Prindi e përdor zakonisht këtë mënyrë të thatë sjelljeje, duke qenë i bundur, se ai ka të bëjë thjesht me një fëmijë të vogël që nuk kupton, i cili duhet vetëm të dëgjojë dhe bindet... Kjo është ajo që ne mendojmë, por që faktikisht është një gabim shumë i madh.

Ne nuk na vjen ndërmend, se fëmija ynë edhe pse është vetëm një fëmijë, kupton shumë më tepër sesa ne kujtojmë. Gjithsesi, le të supozojmë për një moment, se fëmija ynë i mitur nuk kupton dhe për ta bërë të kuptojë, ne i japim urdhra dhe direktiva të njëpasnjëshme. Problemi në këta rast qëndron tek fakti, se ne kështu po i shndërrojmë fëmijët tanë në makineri apo kompjutera, që programohen sipas dëshirës së pronarit ose përdoruesit të tyre. Kësisoj ne po i shndërrojmë ata në butona apo automatë, që u përgjigjen urdhrave tona. Por kush nga ne do dëshironte, që fëmija i tij të kthehej në një vegël, që thjesht zbaton urdhrat që i jepen, në butona që shtypen dhe veprojnë automatikisht. Për më tepër kush nga ne do pëlqente, që ai vetë të shndërrohej në një robot që e urdhërojnë tekat e tij.

Ashtu siç nuk duam që fëmijët tanë të shndërrohen në vegla që zbatojnë urdhra, po ashtu nuk duhet të pranojmë edhe që ne vete të shndërrohemi në kompjutera të programuar vetëm për të urdhëruar.

Raportet midis nesh dhe fëmijëve tanë duhet të jenë të natyrës humane, njeri-njeri dhe raportet humane qëndrojnë më lart sesa “Shtyp butonin, dhe risiveri (receptori) të përgjigjet automatikisht!”. Kur raportet e prindit me fëmijën e tij shndërrohen thjesht në raporte “komunikimi urdhrash” dhe “zbatimi urdhrash”, atëherë personaliteti i fëmijës influencohet negativisht dhe tek ai do të dominojë natyra e ngurtësisë dhe e mbylljes, ndrsa në krahun tjetër ai do privohet nga të gjitha atributet pozitive, që i japin njeriut dhunti dhe kapacitetet për të qenë person novator dhe me personalitet të fuqishëm.

Nëse ne kapërcejmë tek urdhrat e tillë si “Bëj!”, “Mos bëj!”, “Ha!”, “Dil!”, “Fli!”, “Mos luaj!”, “Mos e prek këtë!”, etj, kësisoj ne nuk po i furnizojmë fëmijët tanë me kapital individual, me vlera personale, falë të cilave ata përfitojnë standarde apo principe të domosdoshme për ta, me anë të të cilave fëmijët arrijnë të dallojnë të keqen nga e mira, të vërtetën nga e kota, të dëmshmen nga e dobishmja. E gjitha kjo vjen, sepse kur ne përqendrohemi tek fëmijët tanë me “Bëj!” apo “Mos bëj!”, pa arsyetuar, argumentuar dhe pa i bindur fëmijët tanë lidhur me atë që duam prej tyre, në këtë formë ne nuk do ndërtojmë dhe trajtësojmë vlera, kritere apo standarde tek ata...

Në këtë formë do kemi një fëmijë të modelit “Unë nuk pi cigare, sepse prindi im nuk do që unë të pi cigare”, apo “Unë nuk loz, sepse prindi im nuk do që unë të loz”, “Unë nuk e ha këtë ushqim, sepse babai im nuk do që unë ta ha atë”, e kështu me radhë... Teksa edukimi pozitiv kërkon prej meje, që unë t’i mësoj fëmijës tim se përse nuk duhet të pijë cigare, përse nuk duhet ta hajë këtë apo atë soj ushqimi, përse duhet të lozë në këtë vend dhe jo në atë tjetrin. Pikërisht sqarimi i “përse-së”, pra arsyetimi, është ajo gjëja tepër e rëndësishme, e cila mungon në raportet e shumicës së prindërve me fëmijët e tyre... “Përse-ja” presupozon dhe konsiston tek mbjellja dhe kultivimi i vlerave dhe kritereve në unin e fëmijëve tanë.

Prandaj unë duhet t’i kultivoj fëmijës tim, se: “Nuk duhet të pijë duhan, sepse feja jonë ka një pozicionim të prerë lidhur me duhanin, feja jonë e refuzon dhe e ndalon si shumë të dëmshëm atë; nuk duhet të pijë duhan sepse ruajtja e shëndetit tim nuk e pranon pirjen e duhanit”. Në këtë formë serviren dhe brumosen vlera dhe kritere, që njeriu duhet t’i dijë, për t’u pajisur me rigorozitet në komandimin e sjelljes së tij. E si do t’i përfitojë fëmija jonë këto kritere dhe vlera, kur ti si prind, baba apo nënë, e mëson fëmijën tënd duke iu imponuar me “Bëj!” apo “Mos bëj!”, me këta urdhra që me të drejtë humanistët i kanë quajtur urdhra tekanjozë?! Pavarësia pozitive e fëmijëve tanë është peng i diapazonit dhe hapësirave të kritereve dhe vlerave pozitive që ne si edukatorë, i ndihmojmë fëmijët tanë që të fitojnë.

Janë këto vlera dhe mendësi, ato që i pasurojnë fëmijët tanë më pavarësinë e plotë pozitive. Jemi ne prindërit ,ata të cilët përmes sjelljeve tona ditore dhe direktivave mjeshtërore që u japim fëmijëve tanë, përçojmë tek ata imazhin e duhur lidhur me arsyetimet dhe brumosjet, me të cilat duam të brumosen fëmijët tanë, sidomos kur ata i takojnë fazës së hershme të fëmijërisë, 2-7 vjeçare. I nderuar prind edukator! Mendo sikur çdo prind formulonte në një trajtë të pranueshme urdhrat që ia dikton fëmijës së vet, duke i arsyetuar dhe interpretuar me fakte reale, shkencore dhe logjike. Si do transformohej jeta jonë në një rast të tillë? Përgjigja është, kësisoj: “Jeta jonë do qe një “leksion” ditor në dobi të fëmijës sonë”. Direktivat e një edukatori pozitiv janë të natyrës: “Haje mollën, sepse ajo ka vitamina, të ndihmon të rritesh, t’i forcon kockat!” “Mos ha shumë ëmbëlsira, sepse ato t’i krimbin dhëmbët dhe kjo mund të të shkaktojë dhimbje dhëmbësh apo edhe shkuljen e dhëmbëve!” “Mos i prek telat e korrentit, sepse të godet korrenti dhe mund të humbësh edhe jetën!” “Hyr në shtëpi, sepse moti është i nxehtë dhe mund të të godasë i nxehti i rrezeve të diellit!” “Fli herët, se kjo ta ruan shëndetin!” “Mos shiko shumë televizor, sepse shikimi i tepërt i televizorit t’i dëmton sytë dhe shikimin!” “Mos loz në këtë orë të vonë, sepse i shqetëson komshinjtë!” Kështu duhet t’i mësojmë fëmijët tanë. Le t`u japim atyre arsyetime dhe argumente, që i pasurojnë ata me kritere dhe standarde të drejta, përmes të cilave ata janë në gjendje të mësojnë atë që duhet nga ajo që nuk duhet, të mësojnë nëpërmjet tyre të drejtën dhe ta dallojnë nga e gabuara, ta dallojnë të vërtetën nga e kota. Rregulli “Binde fëmijën dhe mos e impono me pahir!”, është një metodologji e pjekur edukimi, që na ndihmon së tepërmi për të realizuar shumë gjëra pozitive me fëmijët tanë.

Edukimi produktiv kërkon prej nesh si prindër dhe edukator që pse jo, të çelim me fëmijët tanë biseda, ku t’u flasim atyre dhe ata të na dëgjojnë dhe anasjelltas, t’ua shprehim dashurinë prindërore që gëzojmë për ta dhe t’ua shprehim atyre faktin, se ne i mësojmë ngaqë jemi të frikësuar dhe nuk dëshirojmë që atyre t’u ndodhë diçka e keqe. Pra lypset që ne t’i lidhim fëmijët tanë me direktivat dhe orientimet tona përmes dashurisë, ndjenjës dhe familjaritetit, si më të mirat ura lidhëse mes prindit dhe fëmijës. Kurse kur direktivave dhe urdhrave tona u mungon kjo metodologji arsyetuese, atëherë ne në mendjen e fëmijëve tanë kthehemi në egoistë të mëdhenj, që nuk mendojnë për askënd tjetër veç vetes së tyre. Ndaj ajo që kërkohet është edukimi i fëmijëve tanë me kritere, me standarde, me kandarë siç i thotë populli. Kërkohet që ne t’i edukojmë dhe mësojmë fëmijët tanë, lidhur me atë çfarë ne dëshirojmë që ata të bëhen, nëpërmjet gjuhës së bindjes, jo nëpërmjet gjuhës së imponimit dhe detyrimit, me hir e jo me pahir. Por lind pyetja, se cilat janë pra këto hapa që na ndihmojnë të arrijmë ta përdorim sa më mirë rregullin “Binde fëmijën dhe mos e detyro me zor!”? Që të arrijmë ta përdorim denjësisht rregullën “Binde fëmijën dhe mos e detyro atë me zor!, na dalin si domosdoshmëri hapat në vijim:

Hapi i parë: Përpiqu ta bindësh fëmijën tënd dhe mos e detyro atë me zor! Përpiqu ta bindësh atë me dialog, duke biseduar, duke u përpjekur në këtë formë një herë, dy, tre, katër..., dhjetë. Mos u bezdis. Prej cilësive dhe tipareve të domosdoshme dhe themelore të edukatorit të suksesshëm janë: durimi përmbajtja, rezistenca, maturia; gjëra këto që nënkuptojnë vazhdimësinë në procesin e bindjes së fëmijës, duke mos e detyruar atë me zor përmes praktikës “Unë urdhëroj dhe ti zbaton”, “Unë jam më i fortë e ti je më i dobët”, “Unë jam më i madh e ti je më i vogël“, “Ti duhet të më dëgjosh dhe bindesh pa fjalë”. Jo kështu. Pavarësisht se ti je më superior dhe më i fuqishëm, duhet të përpiqesh ta bindësh fëmijën tënd.

Siç e përmendëm edhe më lart, praktika e bindjes është një praktikë e domosdoshme dhe vetëm falë saj, do mund të zhvillohen shumë aspekte të rëndësishme pozitive në perso! nalitetin e fëmijës tuaj. Hapi i dytë: Shmangi urdhrat tekanjozë. Urdhrat tekanjozë janë ata urdhra, për të cilët nuk jepet asnjë arsyetim. Ato janë të tipit: “Mos bëj!”, “Bëj!”, “Ha”, “Ik!”, “Ulu!”, “Hyr!”.

Të gjitha këto lloj urdhrash duhen mënjanuar. Nëse do verifikosh, do konfirmosh se me të drejtë këto urdhra janë tekanjoz dhe burojnë nga tekat e tua, jo nga zemra dhe arsyeja jote prindërore. Hapi i tretë: Ti si prind nuk duhet të kthehesh në një robot, që di vetëm të japë urdhra. Kam për qëllim të jesh i vetëdijshëm se ti je edukator, je bindës, ndërton arsyetime, brumos kritere, standarde, vlera, bindje, ndjesi dhe perceptime, e mëson fëmijën tënd se si t’i ndërtojë sjelljet e tij.

Të gjitha këto metoda përmes bindjes, standardeve, kritereve, ndjenjave dhe perceptimeve, të ndihmojnë të ndërtosh tek fëmija yt sjelljen që dëshiron. Nuk është e mundur të ndërtosh një sjellje të qëndrueshme, pa e lidhur atë me kriteret dhe bindjet. Ndaj në shkencën e pedagogjisë, çdo sjellje sipërfaqësore shndërrohet në shprehi, vetëm nëse kalon nëpër disa faza: Para se sjellja të bëhet shprehi, në fazën e parë të saj ajo ka qenë mendim teorik. Më pas ky mendim apo ide teorike është shndërruar në vlerë.

Më pas vlerat janë shndërruar në bindje. Më pas bindjet janë shndërruar në ndjesi dhe perceptime. Së fundi këto ndjesi dhe perceptime janë shndërruar në sjellje dhe shprehi. Pra janë pikërisht mendimet, idetë, vlerat, bindjet dhe më pas ndjesitë ato që i ndërtojnë sjelljet. Kjo është rruga e saktë drejt formimit të sjelljes së dëshiruar. Ajo që duhet të bëj kujdes unë si prind dhe edukator, është që të përpiqem që një sjellje e caktuar e fëmijës tim, të praktikohet prej tij, duke buruar nga standardi i drejtë i ndërtuar në mendjen e tij. E pra aksioma (e vërteta) gjigante që duhet ditur është se “Prodhimi i një sjellje të caktuar, fillon faktikisht nga mendësia apo ideja që ka paraprakisht në kokë njeriu, lidhur me këtë sjellje”.

Kjo shpjegon rregullin e artë që thotë: “Para se të kultivosh tek fëmija yt një sjellje të dëshiruar, bëje fëmijën ta dëshirojë atë”. Kështu për shembull, nëse do që fëmija yt të jetë i pastër, atëherë pikë së pari të duhet ta bësh atë ta dashurojë pastërtinë, duke i arsyetuar atij se përse duhet pastërtia, çfarë të dhuron pastërtia në jetë, etj. “Përse pastërtia dhe çfarë më siguron pastërtia” ndërton tek njeriu standardin, bindjen dhe vlerën, mbi të cilën do mund të ndërtohet sjellja e qëndrueshme e pastërtisë.

Më tej bëje atë që të krenohet, se është njeri i pastër dhe kjo bëhet duke i skalitur atij në mendje bindjen e shëndoshë mbi pastërtinë, bindjen që e bën atë të gëzojë vlerësim për të... Po pate sukses në këtë, atëherë fëmija yt automatikisht do ta dojë pastërtinë dhe do ta ketë atë sjellje të qëndrueshme. Kësisoj, nuk bën që ti si prind dhe edukator të shndërrohesh në një robot ,që di vetëm të japë urdhra. Përkundrazi, ji personi tjetër, i cili para se të ndërtojë një sjellje, ndërton në favor të saj ide, vlera, kritere, kandarë, bindje, ndjesi dhe perceptime. Hapi i katërt: Mos e shndërro fëmijën tënd në pult, që zbaton urdhrat e tua. Ashtu siç nuk duhet të pranojmë, që ne vetë të shndërrohemi në robot që përçojnë urdhra, po ashtu nuk duhet të pranojmë që fëmijët tanë të shndërrohen në butona, që komandohen automatikisht nga dikush, qoftë ky dikush edhe ne prindërit e tyre. Lidhja midis nesh dhe fëmijëve tanë nuk duhet të jetë e modelit të “robotit që komandon butona automatikë”. Kush prej nesh do dëshironte, që fëmija e tij të ishte një makineri apo pajisje pa arsye, që thjesht shtypet mbi një buton dhe sakaq vepron. Asnjë nuk do e pranonte një gjë të tillë.

Përkundrazi, fëmija jonë duhet të jetë një njeri, që na përgjigjet por dhe na kundërshton, që përballet me ne dhe debaton, duhet të jetë person që na kërkon ta bindim. Zemra gjithmonë do që të prehet dhe bindet. Po kështu edhe fëmija yt nuk është një pajisje automatike, por ai është qenie humane, e cila ka një zemër, ka një arsye, që për t’u prehur dhe vepruar ka nevojë të bindet përmes arsyetimit dhe argumentimit. Për sa na përket ne myslimanëve, zemra është ekuivalentja e mendjes. Fëmija ynë e kalon procesin e bindjes lidhur me aplikimin e urdhrit që i jepet, tek ndjenjat dhe prej aty tek vetëdija e tij, në mënyrë që t’i qetësohet zemra dhe të bindet. Vetëdija nga ana e saj, që të miratojë veprimin e urdhrit me të cilin urdhërohet, ka nevojë të arsyetojë arsyet e prekshme dhe të shqueshme. Një fëmijë i tillë është njeriu pozitiv dhe marrja në konsideratë e kësaj rruge të udhëtimit të urdhrit, është faktori kyç i edukimit të cilin duhet ta marrë seriozisht në konsideratë çdo prind dhe edukator. Me pak fjalë edukimi pozitiv është procesi i përftimit të njeriut, i cili vepron dhe sillet mbi bazën e bindjes dhe pikërisht ky është njeriu, mbi të cilin bën fjalë Kurani, njeriu që kërkon të bindet, ndaj mos e shndërro fëmijën tënd në pajisje automatike apo pult komandimi. Lëre atë të debatojë dhe diskutojë me ty.

Arsyeto me profesionalizëm dhe ke për të parë se ke për ta bindur atë. Rrjedhimisht edhe ai do të të bindet ty. Puna me sjelljet dhe shprehitë vjen gjithmonë pas punës me kriteret dhe vlerat. Kjo metodologji është një metodologji e qëlluar, që nëse përdoret prej prindërve në procesin e edukimit të fëmijës, do t`u dhurojë shumë efikasitet. Kjo metodologji e suksesshme qëndron mbi rregullin: “Bëj kujdes të mos e shndërrosh fëmijën tënd në butona automatikë!” Përkundrazi ajo që kërkohet prej nesh si prindër dhe edukatorë, është që t’i reformojmë mendjet e fëmijëve tanë mbi standarde dhe kr! itere të atilla, që i influencojnë ata të binden vetëm bazuar mbi vlera dhe bindje të sakta, t`i transformojmë ndjenjat e zemrave të tyre në sensorë, që dallojnë të vërtetën nga e kota, të drejtën nga e gabuara, të mirën nga e keqja. Kështu do arrijmë të korrim prej fëmijës sonë sjelljet që dëshirojmë. Kështu ata dalëngadalë bëhen njerëz, që kanë shprehitë dhe sjelljet e tyre dinamike pozitive në përditshmërinë e tyre. Hapi i pestë: Respektoje fëmijën tënd, duke e bindur atë, pa përdorur metoda agresive dhe provokuese. Fëmijët tanë duhet t’i bindim përmes rrugës së dialogut, për të cilën bëmë fjalë dhe kurrsesi nuk duhet t’i ndalojmë nga diçka apo t’i urdhërojmë me diçka duke përdorur metoda agresive apo duke i provokuar.

Prej metodave agresive është për shembull, që t’i bërtasësh në fytyrë apo t’i thuash fëmijës: “Nëse nuk e bën këtë, do të ndëshkohesh!”. Prej provokimit është t’i thuash për shembull: “Nëse nuk e bën këtë, nuk do ta kesh këtë!”, të bësh krahasime: “Vëllai yt/motra jote etj, është më i mirë, sepse ai bën ç’i them”. Të gjitha këto metoda janë metoda agresive dhe provokuese. Duhet të ruhesh prej tyre, duke mos bërë krahasime, duke mos kritikuar, duke mos bërtitur, duke mos ndëshkuar, duke mos kërcënuar. Respektoje fëmijën tënd, duke mos e nënçmuar me këto metoda agresive, por duke u përpjekur ta bindësh atë. Distancohu sa më larg nga këto rrugë agresive dhe provokuese, pasi at! o kurrsesi nuk të qasin kah mësimi i dëshiruar i fëmijës tënd, kah edukimi i tyre ngritur mbi kritere dhe themele, mbi vlerat dhe principet që bëjnë dallimin mes së vërtetës dhe të kotës, të drejtës dhe të gabuarës, të mirës dhe të keqes, të asaj që duhet dhe asaj që s’duhet. Ndaj dhe procesi edukativ i fëmijëve tanë nuk mund të ketë kurrsesi sukses përmes bërtitjes apo çdo rruge tjetër agresive e provokuese si: krahasimi, kritika, poshtërimi, etj.

Hapi i gjashtë: Mos i bëj presion fëmijës tënd, duke e detyruar në vazhdimësi të bëjë me pahir gjëra të caktuara, pasi presioni i tepërt i shkakton atij shqetësim, stres, mbyllje dhe ftohje. Vetë procesi i bindjes, nëse është i tepruar, i shkakton presion dhe stres fëmijës tënd, gjë që me kalimin e kohës e ftoh atë me ty dhe rrjedhimisht edhe me direktivat e tua dhe çdo gjë ku ti e fton dhe dëshiron ta brumosësh me të... Prind i nderuar! Përpiqu ta bësh zakon durimin, përmbajtjen dhe nxitjen, që ta përgatisësh fëmijën tënd me sukses për sjelljen e dëshiruar. Ky rregull është shumë i rëndësishëm, “Përmbahu, brumose fëmijën, nxite atë, lavdëroje atë, sepse maturia dhe lavdërimi ia ngrenë moralin fëmijës, e përgatisin atë shpirtërisht”. Kur ti sillesh me durim dhe vetëpërmbajtje me fëmijën tënd dhe e lavdëron atë, kjo gjë realizon përgatitjen morale dhe shpirtërore të tij, si dhe e shtyn atë që të ta dëgjojë fjalën që i thua. Ndërsa kur ti që në fillim i kundërvihesh atij dhe i bën presion dhe agresion, kjo formë sjelljeje ndërton barriera midis teje dhe fëmijës tënd, gjë që të pengon të gjesh lehtësi në raportin dhe komunikimin tënd me të. Kurse kur përmbahesh me të dhe e lavdëron, kjo ta mundëson shkrirjen me të.

Nëse dëshiron që ta ngresh moralin dhe përgatitjen shpirtërore të fëmijës, atëherë mos e lër pas dore maturinë tënde dhe vlerësimin e fëmijës në procesin edukativ. Mos e tepro me urdhra, pasi kjo i bën fëmijët të ndjejnë praninë e një mbikëqyrje strikte dhe sfilitëse mbi ta. Teprimi me urdhra i jep fëmijëve të tu ndjesinë e qëndrimit tënd gjithmonë mbi kryet e tyre, për çdo të madhe e të vogël. Lëri fëmijët e tu ta jetojnë natyrshëm jetën e tyre.

I nderuar prind edukator!. Gjëja më e shpejtë, të cilën njeriu mund ta braktisë, të largohet prej saj dhe ta hedhë tutje në çdo moment, është sjellja të cilën njeriu nuk e ka ndërtuar mbi vlera, kritere dhe bindje. Nëse duam të jemi edukatorët pozitivë, duhet të synojmë që fëmijët tanë para se të edukohen me sjellje, të edukohen me ide, vlera, bindje, ndjenja dhe perceptime dinjitoze. Ndaj para se t’i imponohesh fëmijës tënd, përpiqu ta bindësh atë dhe të ndërtosh tek ai vlerat dhe bindjet pozitive. Prandaj i nderuar prind edukator: - Bëj kujdes me mendimet dhe idetë e tua, sepse ato shndërrohen tek ti në vlera, - Bëj kujdes me vlerat e tua, sepse ato shndërrohen tek ti në kritere dhe bindje, - Bëj kujdes me bindjet e tua sepse, ato shndërrohen tek ti në ndjenja dhe perceptime, - Bëj kujdes me ndjenjat dhe perceptimet e tua, pasi janë ndjenjat dhe perceptimet e tua ato që strukturojnë dhe ndërtojnë sjelljet e tua, - dhe bëj kujdes me sjelljen tënde sepse sjellja jote përcakton fundin tënd. Pra pikënisja që dikton seriozisht fundin e ecejakut tënd, janë pikërisht idetë dhe mendimet e tua. 01/12

Dita Rrustemi

/komuniteti