Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Nënat Shkruajnë

Fëmijët mes dheut dhe ujit

Jeta e fëmijëve tonë është shndërruar e gjitha në filma vizatimorë. Të gjithë lidhjet ata i kanë realizuar me televizorin apo kompjuterin, duke e minimizuar në maksimum kontaktin me natyrën, pemët, lulet, dheun dhe ujin.

A e keni parë sa të lumtur janë fëmijët kur luajnë me dheun e tokës dhe ujin?

Edhe ne të rriturit kemi një kënaqësi të veçantë kur këmbët tona prekin dheun dhe kur notojmë në ujë. Kjo na bën të kujtojmë origjinën tonë.

Nëse keni një fëmijë të bezdisshëm në familje, fëmijë që nuk lë dy gurë bashkë, lëreni të luajë me dheun dhe ujin. Të jeni të sigurt se rezultatet do të jenë befasuese.

Loja me rërën, dheun dhe ujin, zhvillojnë imagjinatën dhe kreativitetin tek fëmijët. Lëvizjet e shpeshta dhe ulja e tensionit bën që fëmija të zhvillojë aftësi në punën me dorë.

Në disa shkolla të përparuara, janë krijuar ambiente të posaçme ku nxënësit përdorin baltën, dheun dhe ujin si punë praktike dhe kreative. Sakaq, në disa vende balta përdoret edhe si kurë popullore.

Nëse para fëmijëve do të vinin lodrat e botës në njërën anë dhe dheun e ujin në anën tjetër, do të shihni se ata do të preferojnë të luajnë me dheun e ujin. Uji e dheu, janë mjete edukative për fëmijët tanë.

U caktoni fëmijëve një ditë në javë për ti nxjerrë të luajnë në natyrë, mes bimëve, pemëve, dheut dhe ujit. Atëherë do ta pikasni ndryshimin e madh që ka ndodhur në humorin e tyre dhe gjendjen shpirtërore. A e keni përdorur ndonjëherë dheun dhe ujin si mjete edukative? Cili është komenti dhe mendimi juaj lidhur me këtë? 05/2012

Dita Rrustemi

/komuniteti