Në moshën 2-vjeçare fillojnë “jo”-të dhe “dua”-të e para. Si duhet të sillen nëna dhe babai para rebelimit të fëmijëve? Psikologët: Nuk u duhet plotësuar çdo dëshirë qe kane.
Gjithçka fillon në moshën 2 vjeçare: është periudha e kapriçiove, mosha e “dua” dhe “jo”-të që përsëriten me insistim. Kjo është mosha kur fëmijët nisin të shkelin rregullat, të protestojnë, të përplasin këmbët dhe të gjuajnë me shqelma. Përballë këtyre sjelljeve të reja, nëna dhe babai ndihen të humbur dhe të zhgënjyer. Më vonë, pasi situata është qetësuar paksa, fillojnë të shqetësohen, sepse ky është një sinjal i një të ardhmeje me karakter të dhunshëm, ose pasojë e mungesës së përkushtimit me devotshmëri të rolit të tyre. “‘Jo’-ja e parë është një shfaqje tipike dhe natyrore i pothuajse të gjithë fëmijëve nga mosha 2 deri në 3 vjeç, madje ndonjëherë duke filluar edhe pas moshës 1 vjeç. Duke qenë se rriten dhe fitojnë më shumë autonomi, fillojnë të vënë në provë veten dhe të tjerët, si dhe të përballen me botën që i rrethon”, shpjegon një pediatër.
Sipas pediatërve, prindërit nuk kanë pse alarmohen, megjithatë është e udhës të vendosin disa rregulla që nuk duhen shkelur në asnjë mënyrë. “E para asnjë prind nuk duhet të bjerë në kurthin e fëmijës, për t’i plotësuar çdo tekë e dëshirë. Një shembull tipik është ai i mamave që kanë filluar punën prej pak kohësh ose i baballarëve që duke u ndjerë në faj për mungesën, përpiqen t’i bëjnë qejfin fëmijës që të fitojnë dashurinë e tij. Në kundërshtim me atë që mendohet, mbajtja e fëmijës në krahë nuk është një sjellje që krijon varësi. Është vërtetuar edhe shkencërisht se duke e mbajtur fëmijën në krahë, i dhuroni më shumë dashuri”. Por çfarë ndodh kur një prind është shumë tolerant? Nëse nuk ndërhyhet, fëmija i llastuar, nëse mund të quhet kështu, do të ketë probleme sidomos në moshë shkollore: rrezikon të mos pranohet nga bashkëmoshatarët, sepse është shumë egoist dhe arrogant. ! Mund të mos durohet nga mësuesit, sepse është i bezdisshëm dhe aspak i këndshëm, gjë që sjell pasoja edhe në rendimentin shkollor dhe shoqëror. Duke u rritur, fëmija me huqe do të bëhet një “i rritur” i trishtuar dhe aspak i motivuar, i paaftë për të përballuar problemet dhe në raste ekstreme, mund të rrezikojë të krijojë varësi ndaj drogës. Për të shmangur rreziqet, gjeni një mënyrë që fëmija juaj të zbatojë disa rregulla të thjeshta, si për shembull të qëndrojë në sediljen e pasme të makinës, të mos zihet dhe të rrihet me fëmijët e tjerë, të shkojë për të fjetur dhe të zgjohet në një orar të caktuar. Përveç atij, këto rregulla duhet të zbatohen me përpikëri edhe nga ju. Kur ai shikon rregull, do të sillet në të njëjtën mënyrë.
Si duhet të sillemi kur fëmija qan?
Fillimisht lëreni të qajë, ndërkohë që përpiquni të bëni dallimin se çfarë është, nevojë apo dëshirë. Fëmija qan nga nevoja kur ka dhimbje, uri, frikë, gjumë, ose kur është bërë pis; nëse qan sepse dëshiron diçka, atëherë jeni ju që vendosni për t’ia plotësuar ose jo dëshirën; nëse qan për kapriçio, gjëja më e mirë që mund të bëni është ta injoroni. Nuk ka nevojë të silleni në mënyrë agresive me të, ose ta gjuani.
Po kur gjuan derën, bërtet, ose shtrihet në tokë, ç’duhet bërë?
Fëmijët bëjnë kapriçio për të tërhequr vëmendjen e prindërve, për t’i futur ata në kurth, në mënyrë që të marrin, apo bëjnë atë që dëshirojnë. Prindërit nuk duhet të bien kurrë pre e kapriçiove të tyre. Të rriturit duhet t’i ledhatojnë e t’u falin dashuri që ata të kapërcejnë momentin e vështirë kur kundërshtohen nga prindërit. Nuk duhet pretenduar një marrëdhënie e barabartë me fëmijën deri sa ai është ende i vogël. Është ende herët për të folur për rregulla në moshën 2-vjeçare. Prindërit mund të fillojnë t’i shtyjnë fëmijët drejt disiplinës rreth moshës 4-5 vjeçare. Rreth moshës 14-16 vjeç, mund të filloni vendosjen e rregullave dhe ndëshkimeve.
Çfarë duhet bërë kur prindërit nuk kanë kohë të lirë për të qëndruar me fëmijët?
Është e rëndësishme që t’i mësoni fëmijës të luajë vetëm. Pas moshës njëvjeçare, fëmija mund të qëndrojë vetëm 15 deri në 20 minuta. Duhet të jeni të duruar, sepse fëmija duhet të mësohet gradualisht me faktin që jo të gjitha gjërat që kërkon, mund t’i ketë, siç ndodh në botën e të rriturve. Mos u ndjeni në faj, nëse e lini vetëm në dhomë, teksa qëndroni në kuzhinë duke gatuar. Edhe kur jeni në punë, merreni në telefon dhe flitini. Pritja ndihmon shumë në rritjen e fëmijës. Shmangni qëndrimet e vazhdueshme me të, duke hequr dorë nga hapësirat tuaja: fëmija duhet të mësohet që të ketë besim te ju edhe pa ju pasur gjithmonë pranë. 08/2012

