Ne synojmë dhe duam që familjet tona të jenë si ato të parajses. Në një shtëpi dhe familje të tillë, të gjithë pjesëtarët e saj rendin për tu kthyer tek foleja dhe streha familjare për kënaqësinë që u fal ajo.
Për fat të keq, shumë njerëz të tjerë e kërkojnë prehjen kudo tjetër, por jo në familje. Në një familje të lumtur, secili ndjen kënaqësi kur takohet me të tjerët, bisedon dhe kalon kohën me ta. Në një familje të tillë, burri relaksohet kur bisedon dhe pleqëron me të shoqen, vëllai ndihet mirë kur ulet dhe qan hallet me të motrën, djali i hap zemrën prindërve dhe vëllait etj... pasi e ndjen që janë njerëzit më të afërt dhe që e kuptojnë më mirë. Nëse arrijmë të kemi një familje të ngjashme, kemi siguruar të ardhmen e vendit ku jetojmë dhe të gjithë njerezimit. Nëse familja është e fortë dhe e konsoliduar, është e ! mundur që të gjithë fushat e tjera të rregullohen dhe zhvillohen.
Gjuha e përdorur në familje
Vallë cila është gjuha që përdorim sot në familjet tona? A dominon në marrëdhëniet familjare gjuha e komandave dhe urdhrave, apo gjuha e logjikës dhe ndjenjave?
Padyshim që gjuha që duhet të mbizotërojë, është ajo e logjikës. Nëse nuk do të flasë racionalist dhe logjikisht babai me fëmijët e tij, kush do ta bëjë këtë?
Megjithatë, gjuha themeltare, me të cilën duhet të fillojmë është ajo e ndjenjave dhe emocioneve. Mandej, folu me gjuhën e logjikës dhe interesit reciprok.
Shpesh herë, valët e zemrës interferojnë në ato të trurit dhe mendjes, duke mos e lënë të gjykojë drejt. Shumë prej nesh i kanë ndrydhur ndjenjat. Zemra e tyre u ngjan një pusi të thellë, por të mbyllur hermetikisht. Që në temën e parë, ne kemi bërë thirrje që secili të fillojë me veten. Askush mos të presë që pala tjetër të ndryshojë.Gjëja që i prek më shumë njerëzit është gjuha e ndjenjave. Nëse do u flasësh duke u bazuar vetëm tek arsyeja dhe interesi, nuk do të kesh sukses me ta. Argument më të mirë se dështimi i shumë prindërve me fëmijët e tyre me këtë mënyrë nuk ka. Sado të përdorësh arsyetimin e fortë dhe logjikën, nuk do arrish në rezultatet e duhura me djalin dhe vajzën tënde, pa u falur atyre dashurinë dhe dhembshurinë e duhur, pa i përkëdhelur, pa u thënë se i do.
Me zhvillimin ekonomik dhe teknologjik, është vënë re një prapambetje e theksuar në aspektin emocional dhe social. Sot, marrëdhëniet e ngushta, fjalët e ëmbla dhe të ngrohta, duket sikur janë kufizuar vetëm mes një mashkulli dhe femre që duhen. Ne kemi harruar se Zoti e ka bërë familjen institucionin ku shkarkohen dhe derdhen ndjenjat.
Qëllimi për të cilin na krijoi Zoti i lartësuar është që të vendosim rregullin në tokë. Padyshim që ky mision është tejet i vështirë. Vetë qiejt dhe toka e refuzuan një përgjegjësi kaq të rëndë. Kjo, sepse ky mision ka armiq të shumtë. Por meqë cilësitë kryesore të Zotit janë dhembshuria dhe mëshira, na pajisi me botën e ndjenjave dhe emocioneve, të cilat do na e lehtësojnë barrën e rëndë. Këtë botë emocionale dhe sentimentale, Zoti e mishëroi tek familja. Vetëm në jetën familjare njeriu ndihet i qetë, i paqtë dhe në prehje. Thotë Zoti në Kuran:”Zoti u ka dhënë shtëpitë si banesa (ku ndjeheni të qetë).” (Nahl, 80)Të rinjtë, sidomos ata në moshën 18 vjeçare, kanë një botë të pasur ndjenjash, emocionesh dhe energjie. Të gjitha këto duhet të kanalizohen në një drejtim dhe shumë prej të rinjve i shkarkojnë dhe kanalizojnë në kotesi. Sakaq, secilit prej nesh, Zoti i ka dhënë familjen për ti kanalizuar ndjenjat dhe energjitë e tepërta. Dashuria mes anëtarëve të familjes është diçka e rrënjosur thellë nga vetë Zoti që na ka krijuar. Brenda familjes, aspekti sentimental është katër dimensional: Dy bashkëshortët që duan njëri-tjetrin, nënë që do fëmijët e saj, baba që do fëmijët e tij dhe fëmijë që duan prindërit e tyre. Dashuria dhe ndjenjat për njëri-tjetrin mes këtyre kategorive është e ngulitur thellë në botën e brendshme të secilit, që ditën që i krijoi Zoti. Përderisa do të ketë diell që lind dhe perëndon, bota sentimentale mes këtyre katër kategorive nuk do të ndryshojë. Sentimentet dhe ndjenjat brenda pjesëtar! ëve të familjes, i kanalizon energjithë dhe ndjenjat e tepërta. Po ashtu, pjesë të rëndësishme në kanalizimin e ndjenjave sentimentale luajnë dhe të afërmit e tjerë, xhaxhallarët, dajat etj...
Përse të mos jetë gjuha e ndjenjave ajo që dominon marrëdhëniet djalë baba? Zakonisht, prindërit dhe sidomos babai, i flet fëmijës me gjuhën e interesit, pak a shumë si kjo e mëposhtmja:
“Kur kemi qenë në moshën tënde, nuk jemi sjellë kështu. Ne ishim të ndërgjegjshëm për interesat tona dhe mësonim shumë. Sakaq ti nuk mëson, pasi nuk di as interesat e tua. Ne nuk duam gjë prej teje, nëse mëson e bën për vete, nëse merr nota të mira, ti vetë do të përfitosh. Unë nuk të kërkoj asgjë...”
Në fakt, çdo fjalë e thënë është e drejtë, por problemi qëndron në atë se kjo është gjuha e interesit.
Sakaq, djali, edhe pse nuk ia thotë me gojë përgjigjen, ajo i vlon në kraharor DHE sikur i thotë:”E kush u ka thënë se dua të mësoj dhe të marr nota të mira?! Për mua njëlloj është. As që dua t’ia di fare.”
Fjalët që i thotë babai, janë të nevojshme, madje të domosdoshme. Pra, unë nuk kam asnjë problem me përmbajtjen, por e kam me mënyrën dhe gjuhën e përdorur.
Njeriu është qenia e vetme, edukimi thelbësor i të cilit kërkon dhjetë dymbëdhjetë vjet. Këlyshi i luanit është i aftë të gjuajë dhe të sigurojë ushqimin brenda një viti. Pra, luaneshës i lipset vetëm një vit për ta mësuar dhe edukuar këlyshin e saj. Kurse njeriut i duhet një vit e kusur vetëm që të mësojë të të flasë dhe të ecë. Për tu mësuar me jetën, njeriut i duhen mbi dhjetë vite. Njeriu lind dhe rritet në një ambient familjar, ku familja është institucioni i cili do kultivojë tek ai vlera. Bashkë me qumështin e gjirit, nëna do të pajisë me dhembshuri dhe dashuri, me qëllim që ta refuzosh ashpërsinë dhe ngurtësinë kur të rritesh. Misioni yt reformator dhe rregullues kërkon që të mos ushtrosh dhunë dhe të bësh shkatërrim në tokë. Vitet e tjera të jetës kanë nevojë për një kredit të pasur vlerash, dhembshurie, ndjenjash, dashurie etj... Misioni yt si njeri nuk ka asgjë të përbashkët me kafshë si l! uani, majmuni etj... të cilët thjesht duhet të riprodhohen, ushqejnë dhe të ngordhin. Misioni që të ka ngarkuar Zoti është sa fisnik ashtu dhe i vështirë, prandaj kërkon dhe aq vite parapërgatitje. Prandaj, prej babait dhe nënës kërkohet që ti orientojnë dhe udhëzojnë fëmijët e tyre, por jo me gjuhën e komandave dhe urdhrave, por me gjuhën e ndjenjave dhe emocioneve. Fjalët që i thotë babai fëmijës, ndërkohë që ky i fundit thotë qoftë dhe me vete:”Aha, tani do të fillojë predikimet!” janë të pavlera.
Një baba tjetër, i thotë djalit:”Unë jam i interesuar të ti jap të gjithë përvojat e mia jetësore. Ti ke një shans të artë, pasi do të marrësh të gjithë përvojat e mia. Prandaj, ulu dhe dëgjo çfarë do të them unë!”
Çdo fjalë është e drejtë dhe e qëlluar, por mënyra si i thuhen dhe gjuha e përdorur është gjuhë e arsyes dhe interesit, larg asaj të ndjenjave. Ajo që lipset është që po të njëjtat fjalë, të mbështillen me emocione dhe ndjenja.
Një nënë i thotë vajzës së saj:”Nuk më pëlqejnë aspak lidhjet me këto farë shoqesh. Ti je e mbetur në klasë nëse vazhdon të shoqërohesh me filanen.”
Unë e kuptoj që për shumë lexues këto fjalë janë kushedi sa herë të dëgjuara dhe unë do u jap të drejtë prindërve dhe nënave të tilla. Megjithatë, e përsëris që këto fjalë do të merren në konsideratë nga fëmijët vetëm nëse i ofrohen të mbështjella me ndjenja dhe sentimente. Ka shumë rëndësi si ta nisim dhe vazhdojmë bisedën me fëmijët tanë.
Sakaq, vetë vajza ia kthen:”Ato janë shoqet e mia dhe siç i dua janë.” Ndoshta një zë i brendshëm mund edhe të thotë:”Po ti moj mama, me çfarë shoqesh je shoqëruar kur ke qenë si unë?”
Unë u bëj thirrje si prindërve ashtu dhe fëmijëve që ta ndryshoni gjuhën me të cilën komunikoni me njëri-tjetrin. Unë u bëj thirrje që të fokusohemi më shumë tek gjuha e zemrës, që para se të flasim me arsye të flasim pikërisht me zemër. Të rinjtë, teksa rriten, merren me sport dhe u zhvillohen muskujt, mësojnë gjuhë të huaja dhe zanate të ndryshme, duket sikur kanë ndryshuar dhe janë të tjerë. Në fakt, janë po ata që kanë qenë të vegjël, thjesht të lipset një përkëdhelje në kraharor, një fjalë e butë dhe e dashur, që të zbulosh sa të mirë janë. Mos u mashtro nga pamja e tij e jashtme, mos të duket i ngurtë dhe i ashpër, mos të mashtrojë fakti se ai nuk flet. Nga brenda ai është i pastër qelibar, por thjesht ka nevojë për një gjuhë dashurie dhe dhembshurie. Me qëllim që të mbërrish tek arsyeja dhe logjika e tij, duhet të kalosh fillimisht nga zemra. Dikush thotë:”Foli zemrës time që të të dëgjoj! K! alo nga zemra e mandej tek mendja, që të të kuptoj!” Nëse këtë e themi për djemtë, për vajzat është dyfish më e kërkuar. Imagjinojeni një person i cili shkon të hapë derën e shtëpisë me çelës dhe ajo nuk hapet. Ai do e provojë dhe për disa minuta, mandej do të kërkojë një mënyrë tjetër për të hapur derën. Do të ishte çmenduri dhe marrëzi nëse ai do të rrekej ta hapë derën po me atë çelës për vite të tëra. E njëjta gjë vlen edhe në komunikimin me fëmijët tanë. Nëse ke vite që rrekesh ti mbushësh mendjen duke përdorur logjikën dhe interesin e tij vetja dhe kjo nuk ka funksionuar, atëherë ndrysho mënyrë, ndrysho gjuhë. Provoje njëherë gjuhën që po të sugjerojmë në këtë temë./Perktheu: Elmaz Fida/ 01/2012


