Ngritja në këmbë e fëmijës dhe hedhja e hapave të parë është një nga çastet më emocionuese për çdo nënë dhe baba.
Ndërkohë që faza të tjera të zhvillimit si mbajtja e kokës drejt, ulja ndenjur, e të tjera, nuk mbahen mend mirë prindërit arrijnë ta fiksojnë mjaft mirë kohën kur fëmija i tyre ka hedhur hapat e parë.
Ndryshimet individuale gjatë fazave të zhvillimit deri në ecje janë të pakta. Nëse një fëmijë tre muajsh nuk arrin të mbajë kokën, nuk ka filluar të kthehet në moshën 6- 7 muajsh apo nuk arrin të qëndrojë ulur në moshën 7 - 8 muajshe, atëherë duhen filluar menjëherë ushtrimet. Por për ecjen nuk kemi një kufi kaq të ngushtë. Fëmijët zakonisht fillojnë të ecin në moshën 12-13 muajshe, por ka prej atyre që ecin që 9 muajsh dhe prej atyre që mund të vonojnë deri në 17 -18 muajsh.
Fazat e zhvillimit pas muajit të 8-9 të fillojnë të tregojnë ndryshimet e para. Ka fëmijë të cilët në fillim ecin këmba dorazi pastaj ngrihen në këmbë duke u mbajtur. Ka prej atyre të cilët vetëm se mbahen nga duart e nënës dhe ecin menjëherë pa qenë nevoja të ecin këmba dorazi. Ka edhe shumë të tjerë që fillojnë menjëherë të ecin pa bërë asnjërën prej gjërave të mësipërme.
Struktura gjenetike, mesatarja e gjatësisë dhe peshës, lindja para kohe dhe të tjerë, janë disa nga faktorët që mund të ndikojnë në vonesën e të ecurit. Sigurisht se edhe kontrolli i vazhdueshëm i familjes, moskrijimi i hapësirave për fëmijën apo frika e fëmijës janë disa nga shkaqet e vonesës në të ecur.
Pra këtu mund të themi se një fëmijë, i cili nuk ka shfaqur probleme apo mangësi në fazat e zhvillimit dhe paraqitet krejt normal në vizitën neurologjike, mund të presë deri në moshën 18 muajshe për të ecur. Por nëse ekzistojnë probleme në fazat e zhvillimit dhe mjeku ka dyshime për këtë, atëherë duhen bërë të gjitha analizat e nevojshme.
Në shumicën e rasteve prindërit pyesin se çfarë duhet të bëjnë për ecjen sa më të hershme të fëmijëve të tyre. Do të ishte më e drejtë të thoshim se nuk ekziston një përgjigje e saktë për këtë. Do të ishte më e drejtë të thoshim se nuk ekziston një përgjigje e saktë për këtë pyetje. Krahas kësaj nuk ekziston asnjë argument se rrethorët ndikojnë pozitivisht në lehtësimin e ecjes. Madje ndonjëherë mund të krijojnë dhe efekte negative në fazën e zhvillimit të muskujve të fëmijës. As këpucët ortopedike nuk sjellin ndonjë avantazh, më e mira është që fëmija të ecë zbathur në shtëpi, në këtë mënyrë ai do të ndjejë dyshemenë duke e shtypur me këmbë. Prekja e dyshemesë, pengesave të ndryshme me shputën e këmbës dërgon nxitje shumë pozitive në tru. 04/2014


