Historia e vogëlushit që në gjashtë muajt e parë të jetës iu nënshtrua disa ndërhyrjeve me sukses. Tani, ai ka betejën më të rëndësishme, atë të zemres.
Ka kaluar më shumë netë në spital, sesa në shtratin e dhomës së tij. Ai quhet Joel dhe gjendet i shtruar në Pediatrinë e Tiranës, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza ". Është vetëm gjashtë muajsh, dhe pret që në një nga ditët e ardhshme të kryejë një ndërhyrje kirurgjikale, sa të rrallë aq edhe të zakonshme, sa të vështirë aq edhe të realizueshme. Vogëlushi duhet t\'i nështrohet një ndërhyrjeje për 2 vrimat në zemrën e tij.
Kur nëna ishte shtatzënë në muajin e dytë, që në ekot e para, mjekët dalluan tek fetusi i saj dicka që nuk shkonte, por që nuk kishte lidhje me problemin në zemër. Dëshira për t\'u bërë nënë dhe shpresa se fëmija do të lindte i shëndetshëm e bëri atë dhe bashkëshortin që të merrnin vendimin, që zonja me origjinë nga Tropoja të sillte foshnjën në jetë. Fati këtë e deshi dhe ai erdhi në jetë.
Por Joeli lindi me mungesë të anusit (atrezi anale) dhe ju desh që në ditën e dytë të jetës t\'i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale (kolostomi) në zorrën e trashë. Ndërsa në muajin e dytë, këtij të mituri i\'u desh t\'i nënshtrohej një tjetër operacioni për heqjen e dhjamit. Nga kryerja e një sërë analizash dhe ekosh mjekët dyshuan se atrezia anale mund të shoqërohej me problem në zemër. Ky ishte dyshimi i parë i cili pasoi me zbulimin e plotë të sëmundjes.
\" Shyqyr që kishte pastur këto lloj problemesh fëmija im, që doktorët të mernin vesh që kishte vrimë në zemër se në të kundërt s\'do ta kisha marë vesh akoma\"- ironizon me fatin, nëna e foshnjes. Mesa duket djali ka shpirt luftarak, pasi gjatë shtrimit në pavionin e Peditrisë kaloi pneumoni. E megjithatë tani që mushkëritë e tij u pastruan, ai pret të kalojë edhe provën e tij më të vështirë.
Kurajo e dhënë nga familjarët është e domosdoshme, por ndihma e dhënë nga shoqata "Një botë për një zemër" është e nevojshme.
"Një botë për një zemër"
Nisma e krijimit të kësaj shoqate i takon gazetarit të njohur Agim Baci, i cili shpreh vazhdimisht optimizëm duke qënë se histori të tilla, si e Joelit, i ka kaluar edhe familja e tij me dy djemtë. Që nga krijimi i saj në vitin 2010, nga mjekët pediatër trajtohen nga 250 - 300 raste në vit, ku në shumicën dërrmuese të tyre, rreth 200 të mitur, kanë nevojë për nderhyrje të kirurgëve pediatër .
"Në 25 shtator, në ditën botërore të shëndetit në zemër, synojmë t'u drejtohemi edhe deputetëve për të na mbështetur me iniciativa legjislative në këtë projekt, me qëllim që fëmijëve shqiptarë të mos u mungojë kujdesi për të patur më pas një jetë normale, si gjithë bashkëmoshatarët e tyre " tregon zoti Baci, për projektin më të afërt të shoqatës. Projekti ka në thelb sensibilizimin e të gjithë prindërve të cilët sjellin në jetë një foshnje, që duhet ta kenë të detyrueshme kontrollin e plotë të tyre. Deri pak kohë më parë, për këtë lloj sëmundje tek të miturit, pak kush dinte apo kishte dëgjuar. Sipas të dhënave zyrtare, rreth 300 fëmijë lindin çdo vit me keqformime në zemër në Shqipëri. Atyre u është kushtuar së fundmi shoqata "Një botë për një zemër", e angazhuar për t'u ardhur në ndihmë sa më shumë fëmijëve me keqformime të lindura në zemër. Në bashkëpunim me mjekët shqi! ptarë në Tiranë dhe në çdo qytet të Shqipërisë, si dhe me shoqatën \"Un Cuore, un Mondo\" që vepron pranë spitalit G.Pasquinucci në Massa Carrara të Italisë, kjo qendër synon të promovojë dhe mbështesë aktivitete dhe iniciativa direkte për të ndihmuar fëmijët me defekte të lindura të zemrës, si dhe të japë informacione për këto keqformime edhe gjatë periudhës së shtatzënisë përmes përdorimit të telemjekësisë. \"Një botë për një zemër\" synon që, përmes veprimtarisë së saj, të mundësojë dhe ofrojë informacion, shërbime ndihmëse dhe mbështetje për familjet e fëmijëve me defekte të lindura në zemër.
" Po! Një zemër është sa një botë….", thonë drejtuesit e kësaj shoqate , të cilët theksojnë, se ndajnë me publikun kënaqësinë e mjaft prindërve që mundën të gjenin zgjidhje përmes mjekëve shqiptarë apo edhe atyre italianë, që t'u dhuronin fëmijëve një zemër të shëndetshme, pasi kishin ardhur në këtë botë me disa "vese" që u rrezikonin atyre buzëqeshjen dhe ditët e gjata për këtë jetë. "Por në rrugëtimin e gjatë mbetet ende shumë. Dhe ajo që është shumë e rëndësishme, është gjetja e të gjitha rrugëve që të kemi sa më shumë diagnostikime në kohë, që të kemi sa më shumë zgjidhje në kohë. E për këtë duhet më shumë bashkëpunim nga të gjithë, sidomos nga mjekët gjinekologë, neonatalët, kardiopediatrit', theksojnë ata.
Dhe me shpresën që të japin mjekët, me forcën që ka nëna e vogëlushit për përballimin e vështirësive që ka sjellë shëndeti jo i plotë i të birit dhe me forcën e madhe që natyra i ka dhënë Joelit, të gjithë urojmë që ndërhyrja në zemrën e të miturit të shkojë sa më mirë dhe ai të lërë mbrapa përgjithmonë dhomën e spitalit. 10/1012

