Femrat e moshës së re e kanë humbur dëshirën për të pasur fëmijë herët, ndërsa numri i atyre që lindin pas të 35-ave është trefishuar.
Nëse planifikoni të bëheni nënë dhe keni njeriun e duhur në krah, atëherë mos u mendoni shumë gjatë të keni një fëmijë në moshën tuaj më të mirë. Ekspertët britanikë të pjellorisë këshillojnë që femrat të lindin të paktën një fëmijë përpara moshës 35 vjeçe. Ata thonë se planifikimi familjar nuk ka të bëjë vetëm me shmangien e shtatzënisë, por mbi të gjitha u tregon femrave për rreziqet e shtyrjes së lindjes së fëmijëve.
Studiuesit e Universitetit të Newcastle thonë se femrat nuk duhet domosdoshmërisht ta përdorin karrierën si një justifikim për të mos lindur fëmijë, duke qenë se puna nuk lehtësohet aspak me kalimin e moshës. Profesoreshë Meri Herbert, një nga biologjistet më në zë të riprodhimit në Britani, tha: “Mesazhi më i rëndësishëm për femrat është që të bëjnë fëmijë përpara se ora biologjike të shkojë fiks. Unë do të shqetësohesha shumë nëse ime bijë nuk do të kishte një fëmijë përpara moshës 35 vjeçe”.
Pothuajse gjysma e të gjitha bebeve lindin nga gra të moshës 30 e lart, teksa numri i femrave që lindin fëmijë në fund të të tridhjetave të tyre është trefishuar periudhën e fundit. Teksa femrat e moshës madhore përballen me rreziqe më të mëdha sesa femrat e reja gjatë kohës që përjetojnë shtatzëninë, po ashtu edhe fetusi që ato mbajnë në bark. Femrat në moshë të madhe kanë më shumë gjasa ta humbin fëmijën pa e lindur akoma, po ashtu kanë shtatzëni të ndërlikuar dhe bëjnë fëmijë nën peshë.
Megjithatë, lindjet janë dyfish më shumë të përhapura te femrat që i kanë kaluar të 35-at sesa te të rejat, ndërkohë që përkeqësimi i gjendjes së vezëve të tyre çon në një rrezik më të madh të lindjes së fëmijëve me sindromin Down dhe çrregullime të tjera gjenetike.
Me pak fjalë, mosha e tyre i bën ato më të prirura drejt artritit, depresionit, kancerit dhe atakut të zemrës, ndërkohë që sjellin në jetë fëmijët e tyre.
Specialistja Judith Rankin shprehet se femrat nuk e kuptojnë rrezikun e vërtetë që u kanoset nëse lindin fëmijë në moshë të vonë. Edhe pse shkencëtarët kanë shumë kohë që po i përcjellin këto mesazhe, duket se femrat nuk po tregohen shumë të ndjeshme ndaj tyre. Planifikimi familjar shpesh shihet si një mënyrë për të shmangur shtatzëninë tek adoleshentet, për të shpëtuar femra të caktuara nga shtatzënia kur ato nuk janë të gatshme dhe kur një fëmijë nuk përshtatet me mjedisin e tyre shoqëror dhe ekonomik. Por të planifikosh familjen është më shumë se kaq. Në planet e së ardhmes duhen përfshirë edhe idetë se kur është biologjikisht më mirë të lindin fëmijët. Nëse femrat nuk janë në gjendje të përcaktojnë rrezikun që u kanoset nga vonesa e shtatzënisë, atëherë ato mund të pendohen keqazi më vonë për vendimin që kishin marrë.
Ndërkaq, shifrat zyrtare tregojnë se vetëm një nga 40000 femra që përdorin mënyrat artificiale mund të jetë në gjendje të lindë një fëmijë të shëndetshëm. Po ashtu, edhe metodat mjekësore të shtatzënisë bëhen më pak të suksesshme me kalimin e moshës së duhur.
Doktorët e pjellorisë e shohin si të trishtueshme skenën e një çifti që e ka shtyrë për shumë kohë bërjen e fëmijëve dhe pas kaq viteve u drejtohen klinikave të dëshpëruar që nuk po mund të kenë një pasardhës. Karriera duket se është faktori që i bën femrat të mendohen dy herë rreth shtatzënisë, por profesor Herbert shprehet se asnjë karrierë nuk bëhet më e lehtë me kalimin e kohës.
Megjithatë, shkencëtarët e inkurajojnë lindjen e fëmijëve në çdo moshë, sepse të jesh prind është një dhuratë unike që jeta i bën njeriut. 09/2013

