Prishtinë, 16 maj – Një gjinekolog dhe një anesteziolog kanë rrezikuar jetën e një gruaje. Për këtë ata janë shpallur fajtor nga Gjykata e Qarkut e Prishtinës dhe janë dënuar me burgim me kusht.
Gjinekologu Durgut Aliu është dënuar nga një trup gjykues i udhëhequr nga gjyqtarja Hajrie Shala me tetë muaj burgim me kusht, ndërsa anesteziologu Dukagjin Kryeziu me katër muaj. Nëse Durguti nuk kryen ndonjë vepër penale tjetër brenda dy vjetësh ai mund të mos e vuajë dënimin.
Të dy këta mjekë janë shpallur fajtorë për veprën penale të trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor. Viktimë e tyre kishte qenë vite më parë Sanella Kanjizha, e cila kishte hyrë në një operacion në spitalin privat “Lindja” në Prishtinë dhe si pasojë kishte humbur foshnjën në muajin e nëntë të shtatzënisë. E akuzuara e tretë, Hamide Osaj, mjeke në QKUK, është liruar nga akuza për shkak të vjetërsimit të veprës penale.
Ndërkohë prokurori i Qarkut të Prishtinës, Haxhi Dërguti, ka hequr dorë nga akuza për mashtrim në detyrë kundër tre punonjësve shëndetësorë me arsyetimin se kjo akuzë nuk është vërtetuar.
Aliu dhe Kryeziu janë dënuar për shkak se më katër maj të 2007, në klinikën private “Lindja”, në Prishtinë, kishin operuar me anestezion të plotë të dëmtuarën Sanella Kanjizha pa iu bërë asnjë analizë paraprake. Ajo ishte në muajin e nëntë të shtatzënisë.. Si pasojë e kësaj pakujdesie, të dëmtuarës i është shkaktuar dëm i rëndë i shëndetit, çka kishte rezultuar me vdekjen e foshnjës në barkun e nënës. 05/2012
Molla S.

