Fëmijët e parë i përgatisin më mirë për jetën se vëllezërit apo motrat që vijnë pas tyre. Në të njëjtën kohë, ato janë dhe ndihmësit më të afërt të nënës dhe babait. Por, disa familje e kalojnë pak dozën duke i ngarkuar me shumë përgjegjësi fëmijët e mëdhenj.
Duke harruar se edhe ai është fëmijë, prindërit i kërkojnë llogari për prapësitë e motrës apo vëllait më të vogël dhe e krahasojnë me të. Ngarkimi i fëmijëve të parë me më shumë përgjegjësi se ç’mund të mbajnë mbi supe krijon shqetësime dhe probleme të ndryshme.
Një nga personat më të rëndësishëm që ndikojnë në zhvillimin e një fëmijë është dhe vëllai apo motra e madhe. Tek shumë familje shohim se fëmijët e parë janë ndihmësit më të mirë të nënës dhe babait. Në këtë bashkëpunim ndikojnë dhe gjinia, mosha dhe veçoritë e fëmijës kur lind. Sa më shumë të ndërgjegjshëm të jenë prindërit për fëmijën e madh aq, më i shëndetshëm do të rritet ai. Ky ndërgjegjësim apo bashkëpunim fillon para se të lindë fëmija i dytë, me përgatitjen psikologjike, me marrjen bashkë te shumë gjërave të nevojshme për fëmijën e dytë. Ngarkimi me detyra si sjellja e rrobave të të voglit, dhënia e ushqimit, luajtja së bashku ndikon pozitivisht si në marrëdhëniet mes dy fëmijëve ashtu dhe në zhvillimin e ndjenjave si dashuri, dhembshuri, ndarja me të tjerët, ndihmesa, empatia tek fëmija i parë.
Më pas, ndihma e vëllait të madh në detyrat e vëllait të vogël, pastrimi bashkë i dhomës, shkuarja bashkë në shkollë etj, krijon një marrëdhënie të shëndetshme mes dy fëmijëve. Marrëdhëniet mes vëllezërve apo motrave janë proceset më të rëndësishme të socializimit të cilat i përgatisin fëmijët në mënyrë më të mire përballë marrëdhënieve me fëmijët e tjerë. Krahas kësaj ngarkimi i fëmijës së parë me përgjegjësi të papërshtatshme për moshën krijon çrregullime të lidhura me stresin e tepërt. Këto shqetësime mund të shfaqen me shenja të ndryshme si: agresivitet i tepruar, çrregullime të gjumit, çrregullime në ushqyerje, mbyllja në vetvete, humbje e ndjeshmërisë, shqetësime fizike (rrahje të shpeshta zemre, tharje e gojës, dhimbje barku), hiperaktivitet, çrregullime të përqendrimit dhe të mësuarit.
Në familjet e shëndetshme dhe marrëdhëniet mes fëmijëve janë të shëndetshme. Në familje mbizotëron një atmosferë e qetë e lidhur ngushtë me dashurinë, vlerësimin, mirëkuptimin dhe ndihmën reciproke. Fëmijët ja kalojnë shumë mirë bashkë edhe në mungesë të prindërve. Sigurisht që mes tyre mund të ketë dhe grindje, ngacmime të njëri-tjetrit, kjo është normale. Fëmijët mësojnë të kontrollojnë veten brenda këtyre marrëdhënieve. Nëse prindërit mirëkuptohen me njëri-tjetrin dhe shkojnë mire edhe fëmijët do të kenë marrëdhënie të shëndetshme mes tyre.
Edhe vëllai i madh mund të gabojë
Asnjëherë nuk duhet harruar se fëmijët mund të bëjnë gabime prandaj duhet të tregohemi të kujdesshëm kur i ngarkojmë me përgjegjësi. Fëmija nuk duhet akuzuar kur bën një gabim por të mbahet një qëndrim qetësues.
Ndërkohë që kërkojmë diçka nga fëmija të marrim parasysh dhe të vlerësojmë dhe veçoritë, tiparet, karakterin, kapacitetin mendor, aftësitë. Duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm dhe të mos rrezikojmë ndërkohë që përpiqemi të zhvillojmë anët e dobëta të fëmijës.
Gabime të cilat shkaktojmë lëndime, plagosje e bëjnë fëmijën të ndihet fajtor. Fëmija i cili rrëzon vëllanë më të vogël pa dashje e ka shumë të vështirë t’ia dale përballë ndjenjës së fajit të lindur nga gabimi.
Fëmijët nuk duhen krahasuar me njëri tjetrin dhe të mos aktivizohen ndjenjat e xhelozisë. Xhelozia ndikon negativisht tek vetëdija e përgjegjësisë dhe bën të mundur bërjen e më shumë gabimeve nga fëmija.
Krahas kësaj dënimi i fëmijës së madh për gabimin e motrave apo vëllezërve më të vegjël është një gabim i bërë në familjet me shumë fëmijë. Fëmijët e mëdhenj duhet të vlerësohen, nxiten me çmime për fjalët dhe sjelljet e mira. 02/2012


