Mosmarrja e mjaftueshme e hekurit veçanërisht tek fëmijët e moshës 6-24 muajsh mund të shkaktojë anemi dhe të ndikojë negativisht në zhvillimin e trurit.
Gjatë kësaj periudhe prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm t’u japin fëmijëve sasinë e mjaftueshme të hekurit.
Hekuri është një element i domosdoshëm për një zhvillim të shëndetshëm të fëmijëve dhe trurit të tyre.
Mosmarrja e mjaftueshme e hekurit gjatë moshës 6-24 muajsh shkakton anemi apo zhvillim të mangët të trurit. Gjatë kësaj periudhe vihet re një zhvillim shumë i shpejtë i trurit dhe nëse nuk merret sasia e duhur ky zhvillim frenohet ose ndikohet negativisht. Si rezultat dëmtohen funksione si leximi, mësimi, kuptimi, aftësia e gjykimit, zgjuarsia sociale, zgjuarsia matematikore. Dhe kjo është pika më kritike. Mungesa e oreksit apo probleme të tjera të lindura nga mungesa e hekurit sidomos gjatë kësaj periudhe (6-24 muajsh) mund të zgjidhen më vonë duke marrë hekur shtesë. Por dëmtimet e krijuara në tru nga kjo mungesë nuk riparohen siç duhet.
Fëmijët të cilët kanë anemi të lindur nga mungesa e hekurit paraqesin shenja si mungesë oreksi, nuk janë të qetë dhe nuk arrijnë të thithin gjirin, lodhen më shpejt. Duke filluar që nga muaji i gjashtë prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm të përdorin mishin e kuq në trajtë mishi të grirë brenda supave. Edhe dhënia e vezës apo bishtajoreve ndikon pozitivisht në marrjen e mjaftueshme të hekurit. 03/2012


