Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Nënat Shkruajnë

Njihuni me shokët e fëmijës suaj adoleshent

Periudha e adoleshencës është periudha e ndryshimeve më të shpejta, ku ndjenjat si dashuria, urrejtja, gëzimi, hidhërimi përjetohen maksimalisht. Individi ndikohet më tepër nga këto ndryshime gjatë periudhës së adoleshencës.

Parë nga ky aspekt dhe mosmarrëveshjet mes prindërve dhe adoleshentëve janë të pashmangshme. Një nga problemet më të rëndësishme është shoqëria. Dhe në rast të qyteteve të mëdha ku rrethi social i prindërve ndryshon nga rrethi social i adoleshentit lindin probleme në zgjedhjen e shokut, kohën e kaluar me të, kohën e kaluar në internet dhe në rrjetet sociale. Megjithëse mosmarrëveshjet mes prindërve dhe adoleshentëve janë të paevitueshme, nuk është e thënë se kjo periudhë të përjetohet rëndë.

Ndikimi i bashkëmoshatarëve është më i fortë

Adoleshentët vlerësojnë më shumë fjalën e bashkëmoshatarëve të tyre dhe modeleve të zgjedhura për vete sesa fjalën e prindërve. Disa prindër nga frika e humbjes së kontrollit mbi fëmijët preferojnë të përdorin metoda të dhunshme ose ushtrojnë presion mbi to dhe si pasojë adoleshenti ose bëhet pasiv, ndahet nga shoqëria dhe mbyllet në vetvete ose reagon ashpër ndaj prindërve, i kundërshton ato dhe largohet nga familja.

Familja e adoleshentit ka nevojë për kujdes, durim dhe energji. Prindërit shqetësohen rreth ndikimit të problemeve si alkooli, lëndët narkotike, krimi, abuzimet dhe çrregullimet në sjellje. Këto faktorë mund të themi se përbëjnë shqetësimet kryesore të prindërve të adoleshentëve. Si duhet të veprojnë prindërit në mënyrë që të mbrojnë fëmijët e tyre nga këto rreziqe të mëdha?

Nëse prindërit kalojnë një kohë produktive me fëmijët do të arrijnë edhe t’i njohin më mirë ato dhe të marrin informacion të mjaftueshëm rreth shokëve me të cilët shoqërohen dhe familjeve të tyre duke ndikuar pozitivisht në zhvillimin personal të fëmijës. Një adoleshent mund të dëshirojë të qëndrojë vetëm ndonjëherë, larg familjes. Periudha e adoleshencës karakterizohet nga ndjenja egocentrike. Duhet të tregohet durim dhe të bëhen përpjekje për të kuptuar kërkesat, dëshirat dhe çfarë dëshiron të bëjë adoleshenti.

Prindërit ndonjëherë duhet të ndjekin rrugën e vëzhgimit nga larg të adoleshentit të bindur se ai po ecën me hapa përparues në rrugën e duhur. Ashtu siç ndodh në çdo çështje tjetër edhe në rastin e shoqërisë, shokëve e shoqeve të adoleshentit, duhet të ndiqet rruga e mesme, pra prindi edhe duhet t’i japë liri në lëvizje edhe duhet ta mbajë nën disiplinë. Vlerësimi i adoleshentit e bën të ndihet më mirë dhe më të sigurt.

Njihuni me shokët e ngushtë të fëmijës

Nënat dhe baballarët pikë së pari duhet t’i besojnë adoleshentit dhe të dëgjojnë kërkesat e tij për sa i përket shoqërisë dhe t’i shpjegojnë qartë situatën nëse bëhet fjalë për një gjendje shqetësuese. Fjala që e shqetëson më shumë adoleshentin është “ne kemi besim tek ti por nuk i besojmë botës jashtë”. Adoleshentët mund të frikësohen nëse e konceptojnë botën jashtë si një rrezik. Prandaj për t’i treguar adoleshentit sigurinë e botës jashtë, sa e sigurt dhe sa e rrezikshme është ajo, si mund të mbrohet nga këto rreziqe duhet t’i japim shembuj pozitive, mbresëlënës dhe jo të vendosim vetëm rregulla.

Njohja me shokët e adoleshentit dhe familjet e tyre lehtëson pak ndjesinë e sigurisë së prindërve ndaj fëmijës. Zakonisht adoleshentët e edukuar mirë dhe me një karakter të forte bëjnë zgjedhje të duhura për sa i përket shoqërisë. Adoleshenti duhet të ndajë me familjen e tij emrat e shokëve, shoqeve dhe duhet t’i informojë prindërit rreth numrave të telefonit dhe adresave të shtëpive të tyre.

Krijoni një ambient të sigurt

Adoleshenti gjithnjë duhet të tregohet i kujdesshëm në rast të qëndrimit në shtëpinë e personave të cilët prindërit nuk i njohin mirë, kalimit të natës në një vend tjetër, bërjes së një udhëtimi me shokët. Nuk duhen harruar ambienti dhe faktorët rrezikues. Adoleshenti duhet të mësojë të mbrohet nga rreziqet ashtu siç prindërit janë treguar të kujdesshëm në mbrojtjen e tij. Një nga përgjegjësitë e prindërve është të krijojnë një ambient të besueshëm dhe të sigurt për fëmijën. Le të vendoset bashkërisht me prindërit me pak elasticitet rreth kohës që adoleshenti do të kalojë jashtë familjes dhe të pyetet qetësisht rreth faktorëve që kanë ndikuar në kalimin e orarit në rast se adoleshenti mund të vijë vonë në shtëpi./Start/ 02/2012

Dita Rrustemi

/komuniteti