Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Nënat Shkruajnë

Pesë hapa për edukimin nëpërmjet dashurisë

Lexues i dashur! Pasi kemi folur në shumë artikuj të tjerë mbi nevojat psikologjike të fëmijës dhe rëndësinë e plotësimit të tyre, në këtë artikull do të fokusohemi mbi edukimin e fëmijës nëpërmjet dashurisë, gjë e cila bëhet duke respektuar pesë hapa:

1 – Pranoje fëmijën tënd dhe tregohu tolerant me të!

Ndër sjelljet e çuditshme të disa njerëzve është se janë tejet tolerantë me njerëz e huaj, duke i pranuar dhe u ofruar hapësira të konsiderueshme, me gjithë gabimet e tyre, ndërkohë që u mungon kjo sjellje dhe komunikim pozitiv me fëmijët dhe bashkëshortet/tët e tyre, të cilët i duan.

Të pranosh gabimet dhe shkarjet e fëmijëve, si dhe disa sjellje të bezdisshme të tyre (kokëfortësia, e qara, hedhja e sendeve, hapja e sirtarëve …) është një formë e shprehjes së dashurisë së vërtetë. Ajo është një urë që të shpie në korrigjimin e sjelljeve të padëshiruara.

Mbi të gjitha, ajo është një tregues se dashuria jote për fëmijët është e pakushtëzuar me një sjellje të caktuar, sidomos në moshën para dhjetë vjeçare, moshë e formimit, edukimit dhe orientimit. Dashuria konsiderohet si një ndër kolonat më të fuqishme të orientimit dhe edukimit pozitiv, e praktikuar mrekullueshëm nga i dërguari i Zotit a.s me fëmijët dhe nipërit e tij, duke na ofruar modelin më të mahnitshëm të dashurisë dhe edukimit.

2 – Ji tolerant me gabimet dhe korrigjoji me butësi!

Gabimet e vogla në jetën tonë familjare janë të shumta. Kështu, fëmijët bëjnë gabime në mënyrën e ngrënies, veshjes, ndërveprimit me gjërat përreth etj… Sakaq prindërit i shohin dhe konstatojnë gjatë gjithë kohës këto gabime. Ka prej tyre që i pranojnë dhe orvaten ti korrigjojnë me zemërgjerësi të madhe. Ka të tjerë që pozicionohen negativisht, nuk i tolerojnë aspak, i ndëshkojnë dhe reagojnë me dhunë dhe ashpërsi. Kjo është një sjellje e cila duhet evituar me fëmijët.

Gabimi është një sjellje njerëzore dhe gabimtarët më të mirë janë ata që pendohen. Gabimi më i madh është fokusimi tek një sjellje e gabuar e fëmijës dhe përgjithësimi i saj tek personaliteti i tij, duke e etiketuar me nofkën përkatëse. Nëse një fëmije i bie gota nga dora, babai e ironizon duke i thënë se është dështak, një kokë dembeli dhe një injorant. Kjo mënyrë komunikimi është hipnotizimi dhe programimi më i dëmshëm.

Një edukues pozitiv është ai që vendos ti konsiderojë gabimet e shumta të përditshme, si gabime të vogla dhe që nuk ia vlen tu kushtosh vëmendje. Ai fokusohet tek puna serioze për korrigjimin e këtyre sjelljeve me forma dhe rrugë të ndryshme, në vend që të përqendrohet tek kjo sjellje. Të heqësh dorë nga fokusimi dhe përqendrimi tek disa gabime duke i hedhur në koshin e plehrave, i fal edukuesit rehati dhe qetësi shpirtërore, si dhe i mëson ushtrimin e durimit, maturisë dhe vetëfrenimit, cilësi thelbësore për një edukues pozitiv.

3 – Solidarizohu me ata që i do!

Të solidarizohesh me fëmijët është një mënyrë sipërfaqësore, besojnë disa. Në fakt, ajo është një metodë e qartë e mënyrës së menduarit dhe prodhimit të sjelljeve pozitive të cilat realizojnë objektivat e njeriut.

Të solidarizohesh me fëmijën konsiderohet si një formë edukimi tepër efikase, pasi ndihmon në fokusimin e shëndoshë në realizimin e objektivave dhe distancimin nga reagimet hakmarrëse, të cilat shpesh herë janë motivi i vetëm i një sjellje të caktuar me pasoja fatale. Si shembull, mund të marrim një baba i cili e rreh djalin e tij të vogël duke e goditur me një dërrasë mbi të cilën janë ngulur gozhda.

Prind i dashur! Provoje të solidarizohesh me djalin tënd dhe do të vëresh rezultate të mrekullueshme, qetësi shpirtërore dhe rehati e cila do të mbushë jetën tënde dhe të familjes.

4 – Vlerësoji njerëzit që do!

Sjellja më e keqe brenda familjes është injorimi i familjarëve dhe njerëzve të dashur. Injorimi prodhon mungesë respekti, gjë e cila vjen si pasojë e mos shprehjes së vlerësimit tonë me fjalë apo me sjellje pozitive.

Fëmija ka nevojë të ndihet i vlerësuar dhe kjo është një nevojë emergjente, të cilën mund t’ua plotësojmë me sjellje të vogla të cilat nuk duan më shumë sesa të mendojmë dhe ti ushtrojmë me çiltërsi. Këtu mund të fusim një lëvdatë, një buzëqeshje, mirënjohje dhe pranim i arritjeve të tjerëve.

Faleminderit, Zoti ta shpërbleftë me të mira, të lumtë, mashalla…. janë shprehje pozitive, të cilat po të shoqërohen nga buzëqeshje dhe fytyrë e çelur, i plotësojnë nevojat e të tjerëve për vlerësim dhe respekt.

Kujt i plotësohen nevojat për vlerësim, jeton i lumtur dhe ka gatishmëri për çdo lloj të mire, është i prirur drejt të mirës, e do vlerësuesin, është objektiv me të dhe i pranon këshillat dhe sugjerimet e tij.

5 – Fol miqësisht dhe me butësi me personat që i do!

Ashpërsia gjatë bisedës me fëmijët dhe komunikimit me ta, tallja dhe ironizomi i tyre, është një metodë tepër negative e përdorur nga disa prindër. Pasojat negative dhe afatgjata të saj janë tepër fatale.

Mungesa e miqësisë dhe butësisë në komunikimin me fëmijën, e bën të ndihet i fyer, i pavlerë, i demoralizuar dhe i persekutuar. Ashpërsia e shtyn fëmijën ose drejt vetmbylljes ose brishtësisë dhe dobësisë së përgjithshme. Ajo mund ta motivojë të adaptojë dhe sjellje hakmarrëse, të cilat shfaqen në forma të ndryshme si kokëfortësi, belbëzim, urinim të pavullnetshëm, dhunë dhe agresivitet, si dhe mbetje pas në mësime.

Prandaj miqësia dhe zemërbutësia është themeltare në procesin edukativ me fëmijët tanë. Një buzëqeshje, një fjalë e ëmbël, një përqafim… e motivojnë fëmijën ti përmbahet rregullit në mënyrë pozitive.

O nënë dhe motër! Kur rregulli depërton në jetën e fëmijës tënd, do të ndalen dhe lotët e tu dhe të tët shoqi. Asokohe do të pushtoheni nga qetësia shpirtërore dhe do u qetësohen nervat. Me qëllim që fëmija të bëjë atë që kërkon ti, duhet të jesh e vendosur, por jo e ashpër dhe e bezdisshme. Ashpërsia, bezdia dhe lëkundja në shpalljen e vendimeve, shkakton kriza zemërate dhe tensioni tek fëmija.

Hiqe dhe anuloje fare ndëshkimin fizik nga mënyrat e kultivimit të rregullit në jetën e fëmijës tënd. Kjo formë mund ta detyrojë të heqë dorë momentalisht nga një sjellje problematike, por nëse duam që t’ia çrrënjosim këtë sjellje për një kohë afatgjatë, na lipset edukimi pozitiv. Ndëshkimi fizik nuk i shkakton dhimbje vetëm trupit, por edhe shpirtit. Ai i shkakton fëmijës tension pasi nuk e kupton përse i derdhet atij e gjithë zemërata dhe inati.

Herën e ardhshme, nëse fëmija hedh ushqim përtokë, e derdh mbi tapet, kafshon fëmijën që ka ardhur për vizitë etj… merr një frymëmarrje të thellë dhe zbatoji këshillat e mëposhtme. Kështu, fëmija do të motivohet për sjellje të rregullta.

Sigurohu se fëmija që akoma si ka mbushur akoma dy vjeç, nuk e kupton gabimin që po bën. Nëse i bërtet dhe çirresh në fytyrë, do të qajë, por sërish nuk do të kuptojë. Është më mirë ti thuash “Jo, mos e bëj këtë” dhe ta heqësh që andej. Fëmija është i aftë ta kuptojë domethënien e fjalës “jo” para se të mësojë kuptimin e “përse”.

Analizoji gjërat që bën sipas nivelit të tij të perceptimit. Nëse ai e derdh ushqimin nga pjata në mënyrë të befasishme dhe e hedh përtokë, ndalu pak dhe mendo pak më gjatë mbi shkakun që e shtyri të sillet ashtu. Ti mund ti kesh mësuar para disa ditësh si ti nxjerrë kubet nga kutia, e për rrjedhojë, ai thjesht ka dashur ta praktikojë diçka të tillë edhe me ushqimin.

Ndërgjegjësohu se fëmija yt i vogël bën vetëm ato gjëra që dëshiron ai. Nëse hyn në “luftë” me të, je e humbur, pasi ai nuk dëgjon veçse ato që dëshiron. Në vend që të kacafytesh me të duke o orvatur ti mësosh rregullat e lojës, mendo diçka që e bën ta pëlqejë rregullin. Provo ti japësh urdhra në formë loje duke i thënë për shembull; A mund ti grumbullosh këto lodra para se të numëroj dhjetë? Kjo formë është shumë herë më e mirë sesa urdhrat dhe komandat.

Provo metodën e mbështetjes në vend të ndëshkimit. Kur fëmija është i përfshirë nga kriza nervozizmi dhe zemërate, këshilla ime është që ta lësh në dhomën e tij derisa të qetësohet. Por, ndonjëherë atij i lipset mbështetja jote, ndikimi dhe kontrolli gjatë kësaj krize, gjë e cila e ndihmon të dalë nga kjo situatë. Nëse ndjen se ai dëshiron të qajë në prehrin tënd, përqafoje dhe ulu me të derisa të qetësohet, në vend që ti kërkosh të shkojë në dhomën e tij.

Mësoji fëmijës aftësitë dhe shkathtësitë sociale. Mund t’ia nisësh ndërkohë që ai bashkëpunon dhe ndërvepron me të tjerët në mënyrë pozitive. Ta shpërblesh, nuk do të thotë që gjithmonë ti jepet diçka materiale. I vogli lumturohet dhe gëzohet qoftë dhe me një buzëqeshje prej teje, një fjalë lëvduese, një fjalë të ëmbël, një përqafim plot dhembshuri.

Mësoji fëmijës aftësitë dhe shkathtësitë sociale, gjë të cilën mund ta startosh ndërkohë që vëren se ai manifeston dëshirë për bashkëpunim dhe ndërveprim pozitiv. Shpërblimi nuk nënkupton gjithmonë diçka materiale. Të vegjëlve u bëhet qejfi edhe me një buzëqeshje, një fjalë të ëmbël, një përqafim të ngrohtë, një fjalë vlerësuese etj…

Ofroji fëmijës tënd modelin e duhur. Fëmija mëson nëpërmjet sjelljeve të shëndosha të prindërve teksa ndërveprojnë me fëmijën dhe me të tjerët. Nëse dëshiron të të ndihmojë në rregullimin e dhomës, ofroi modelin e mirë duke e ndihmuar ti më parë në rregullimin e dhomës së tij. Nëse gabon karshi fëmijës, kërkoji falje dhe pranoje gabimin, kështu ai mëson se pas një gabimi duhet kërkuar falje, se kërkimi i faljes është më pozitiv se fshehja e gabimit, qoftë dhe nga frika.

Shpjegoja si duhet ti bëjë disa gjëra në mënyrën e duhur. Nëse dëshiron që ai të veshë çorapet për shembull, në vend që të presësh në këmbë derisa ti veshë, më mirë tregoja si duhet ti veshë praktikisht. Në vend që ta presësh në këmbë e ti thuash kur i vesh keq:”Jo nuk vishen ashtu” më mirë ulu dhe thuaji:”Po, kështu vishet. Kështu duken më bukur. Hajde tani, vishe vetë pjesën që të ka mbetur.”

Nëse ke vendosur rregulla të caktuara për sjelljen e përditshme, mos hiq dorë prej tyre dhe mos bëj lëshime. Edhe yt shoq duhet ti dijë këto kufizime dhe rregulla. Nëse ai do i lejojë ti shkelë këto kufij, fëmija do të hutohet duke mos ditur cilit ti besojë.

Bota është e madhe dhe ndonjëherë hutuese. Fëmijës i duhet kohë e gjatë për të kuptuar konceptin e sjelljes korrekte dhe pozitive të kërkuar prej teje. Nëse nuk reagon sipas dëshirës tënde, përpiqu të “bësh Pazar” me të. Kështu, nëse ka ardhur koha e gjumit dhe ai vazhdon të luajë plot pasion me lodrat, jepi dhe pak kohë duke i thënë:”Mirë, të kanë mbetur dhe pesë minuta para se të shkojmë të flesh gjumë.”

Komuniko me fëmijën me butësi dhe dashuri. Ai nuk është një makinë e cila ecën nga të duash ti pa bërë asnjë gabim. Ai rritet, mëson, gabon dhe nxjerr mësime nga gabimet. Prandaj lipset ta inkurajosh për sjellje korrekte të cilat e bëjnë të dashur tek njerëzit. Për këtë i lipset ndihma dhe mbështetja jote. Shpjegoja gjithçka me detaje, që ti kuptojë gjërat dhe të përballet me përgjegjësi. 10/2012

Besa Lara

/komuniteti