Fëmijë të lindur para kohe apo shtatanikët siç thirren ndryshe po shtohet gjithnjë e më shumë në vendin tonë. Mund të duket e habitshme por ky problem po kthehet në fenomen dhe shifrat janë alarmante.
Vetëm në maternitetin e ri të dhënat janë tregojnë se në 100 lindje, 9 prej tyre janë lindje të para kohshme. Ndërsa në rritje është edhe numri i foshnjave të lindur me deformime. Gjinekologia dhe drejtoresha e maternitetit “Koço Gliozheni”, Rubena Moisiu këtë problem madhor e lidh me një ndër shkaktarët kryesor që është pikërisht ndotja e mjedisit.
“Të dhënat tregojnë se gratë shtatëzëna të cilat jetojnë në qytete të mëdha dhe ato industriale si Tirana, Elbasani dhe Kruja kanë 3 herë më shumë riskun të lindin përpara kohe për shkak të ndotjes”, thekson Rubena Moisiu duke shtuar se rekomandon shmangien e disa ushqimeve për nënat shtatëzën! ë dhe në anën tjetër i apelon ato të mos lëvizin gjatë piku të trafikut ku ndotja nga karburantet është e lartë.
Më tej mjekët shpjegojnë se një foshnje e lindur para kohe konsiderohet kur lind para javës së 37 të shtatzanisë. “Konsiderohet që java e 24 e shtatzanisë është koha më e hershme kur foshnja është mjaft e zhvilluar që të mund të mbijetojë, por me ndihmën e mjekëve në mënyrë intensive. Foshnjat e lindura para javës së 24 të shtatzanisë në shumicën e rasteve nuk janë të zhvilluara mjaftueshëm që të mbijetojnë”, theksojnë gjinekologët.
Foshnjet e parakohshme janë zakonisht të vogla dhe të zhvilluara pamjaftueshëm, me peshë trupore më të vogël se 2.500 gramë. Foshnjat ekstremisht të pazhvilluara janë ato, të lindura para javës së 28 të shtatzanisë, dhe janë posaçërisht shumë të ndjeshme. Organet e tyre janë të pazhvilluara që të funksionojnë mirë jashtë barkut të nënës. Për këtë lindjet e parakohshme, në raste të caktuara ,janë të rrezikuara që foshnja mund të ketë disa probleme shëndetësore.
Ndërkohë mjekët specialistë theksojnë se foshnjet e parakohshme kanë nevojë për kujdes të veçantë. “Foshnja e lindur para kohe ka nevojë për shumë vëmendje, kujdes dhe ngrohtësi. Secila pikë e qumështit të nënës ka rëndësi të madhe për foshnjën të posalindur, sidomos kur të jetë e lindur para kohe apo e sëmurë. Meqë foshnja e parakohshme, zakonisht nuk mund të thith derisa të forcohet pak, më së miri është ta mblidhni qumështin tuaj dhe t`ia jepni foshnjës me ndihmën e sondës”, pohojnë mjekët pediatër.
Ndërkohë mjekët pediatër shpjegojnë se fëmijët e lindur para kohe për të arritur moshatarët e vet në rritje kjo varet nga gjenet, mjedisi, nga ajo se mos ka ndonjë sëmundje kronike, probleme neurologjike dhe të ngjashme. Megjithatë, nëse nuk ka komplikime, moshës rritjes gjer në tre vjeç, foshnja e parakohshme do ti arrijë moshatarët e vet.
Problemet që kanë foshnjet e lindura para kohe
- Probleme me frymëmarrjen (zhvillimi i sëmundjeve kronike të mushkërive, probleme me zhvillim të mushkërive)
- Probleme kardiovaskulare
- Verdhëza si pasojë e pazhvillueshmërisë së mëlçisë dhe organit për tretje
- Probleme në të ushqyer (paaftësi në kordinim të thithjes dhe gëlltitjes, jo toleranca në qumësht)
- Probleme neurologjike (gjakderdhje në tru, tonus të ulët, konvulzione)
- Çrregullime në zhvillim të enëve të gjakut në sy
- Tendencë për infeksione 03/2012


