Gjatë periudhës shkollore, e cila i korrespondon moshës 6-22 vjeç, në trupin e fëmijës dhe të riut ndodhin mjaft ndryshime dhe perfeksionime. Kështu mund të themi se përfundojnë proceset e rritjes e të zhvillimit, fillon e mbaron adoleshenca, puberteti etj.
Si rrjedhojë, në këto grupmosha sëmundjet dhe turbullimet e ndryshme nuk janë të rralla dhe kjo se fëmija kalon nga një regjim i lirë, në një regjim të organizuar e të detyruar. Në këtë mënyrë, fëmija është shumë i ndjeshëm ndaj ndryshimeve të shprehive dhe të punës mendore, që sjell jeta shkollore, e sidomos, kur ajo fillohet për herë të parë.
Sëmundjet e moshës shkollore janë ngjitëse dhe jo ngjitëse. Nga sëmundjet jo ngjitëse më të shpeshta janë: Angina, reumatizmi, glomerulonefriti (sëmundje e veshkave), bronkiti, bronkopneumonia, disa turbullime etj. Ndërsa, sëmundjet ngjitëse ose infektive, që deri më sot njihen më shumë se 1100, shkaktohen nga mikrogjallesat sëmundjeprurëse, që mund të jenë baktere, viruse etj.
Nga sëmundjet më të përhapura është gripi, i cili është i shpejtë shumë ngjitës, i shkaktuar nga virusi i gripit, i llojeve te ndryshme dhe jep epidemi (brenda një shteti) dhe pandemi (me përhapje më të gjerë). Sëmundja karakterizohet nga një fillim i menjëhershëm e me temperaturë të lartë, me të dridhura, dhembje koke, dhembje muskulore të përgjithshme, si dhe të kyçeve, me shqetësime në aparatin e frymëmarrjes, si: Kollë, teshtitje, rrufë, nganjëherë edhe me dhembje e heqje të barkut, me të vjella etj. Gripi përhapet nga i sëmuri tek i sh! ëndoshi me anë të ajrit kur i sëmuri flet, kollitet, teshtin, fshin hundët ose pështyn, nxjerr spërkla shumë të imta, të cilat përmbajnë shumë mikrobe.
Gripi është një sëmundje që dëmton të gjithë organizmin dhe mund të japë ndërlikime në zemër, në enët e gjakut, në sistemin nervor, në veshka etj. Zakonisht gripi shoqërohet edhe me angina. Kjo e fundit është infeksion i grykës dhe i bajameve shkaktuar nga baktere, viruse ose kërpudha të ndryshme.
Më shpesh, shkaktarë të anginave janë dy baktere qelbësuese, stafilokoku (në formën e viles së rrushit) dhe streptokoku (në formën e zinxhirit). Prandaj dhe sëmundja shoqërohet me skuqjen e fytit e të bajameve ose me qelbëzim të bajameve. Kur procesi (mahihes- inflamator) kufizohet vetëm në bajamet, atëherë flitet për tonsilit ose amigdalit (bajame).
Shumica e rasteve të anginave janë ngjitëse dhe mund të shkaktojnë epidemi të mëdha në njerëzit që bashkëjetojnë në kolektiv, si: çerdhe, kopshte, shkolla, konvikte etj. 03/2012


