Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Nënat Shkruajnë

Si ta mësoni fëmijën me librin?

Të gjithë e dimë se numri i lexuesve në vendin tonë është i ulët. Por, nëse prindërit kërkojnë që fëmijët e tyre të lexojnë, le t’iu blejnë libra në vend të lodrave të shtrenjta.

Ja rrugët e mësimit të fëmijës suaj me librin që foshnje, sipas një lajmi në revistën Reader's Digest:

1. Flisni me fëmijën tuaj dhe lexojini libra atij që foshnje: asnjëherë nuk është herët t’i lexoni libër fëmijës suaj. Kemi dy faktorë të cilët ndikojnë në aftësinë e leximit të fëmijës në të ardhmen: njëra sa keni folur me fëmijën dhe e dyta sa libra i keni lexuar atij. Kur fëmijët dëgjojnë shpesh gjuhën e tyre mësohen lehtë me fjalët dhe janë më të gatshëm për të lexuar.

2. Mbajeni pranë vetes kur t’i lexoni një libër: nëse fëmija ndihet mirë kur ju i lexoni një libër atëherë edhe në të ardhmen do të ndihet po aq mirë kur të lexojë diçka.

3. Lëreni fëmijën ta mbajë vetë librin: fëmijët kërkojnë t’i prekin dhe zbulojnë librat me duart dhe gojën e tyre. Tregojini atij mënyrën sesi mbahet libri. Krahas librave që përmbajnë elementë të prekshëm nga fëmija, përpiquni të zgjidhni libra që i qëndrojnë kohës.

4. Zgjidhni libra me rimë: rimat ndihmojnë në ndërthurjen e muzikalitetit dhe strukturës së gjuhës. Krahas kësaj janë shumë të rëndësishme për zhvillimin e fjalorit. Këta fjalë u drejtohen veshëve të fëmijëve të vegjël. Studimet tregojnë se rimat dhe muzikaliteti lehtësojnë mbajtjen mend të fjalëve.

5. Përsëritini dhe zhvilloni fjalorin: kur fëmija fillon të flasë mundohuni t’ia mësoni drejt fjalët. Kur fëmija të thotë “maca” duke treguar me gisht macen ju drejtohuni “po kjo është macja”, nëse ai thotë “lapi” ju drejtohuni “po ky është laps bojë qielli”, në këtë mënyrë do të zgjeroni fjalorin e tij.

6. Luani rolin e një modeli: kënaqësia e një libri të mirë përhapet shpejt dhe është ngjitëse. Kur familjet lexojnë edhe fëmijëve u lind dëshira për të lexuar.

7. Vendosini librat në një vend të arritshëm nga fëmijët: vendosini librat në një vend të lehtë për t’u arritur nga fëmija në dhomën e tij. Lëreni atë të luajë apo të zgjedhë librin që ka dëshirë të lexojë. Leximi shumë herë i të njëjtit libër mund t’ju acarojë pak por përsëritjet ndihmojnë në mësimin e fëmijëve.

8. Të zbaviten duke lexuar: fëmija nuk duhet të mendojë se leximi i një libri është diçka e mërzitshme. Për këtë arsye këndoni këngë komike apo bëni lojëra fjalësh për ta bërë sa më zbavitës leximin e librit. 02/2012

Dita Rrustemi

/komuniteti