Dilema për të sjellë në jetë fëmijë sa po vjen e po bëhet më e madhe. Pjesa më e madhe preferojnë karrierën, por edhe komoditetin financiar, që u ofron një ekzistencë pa pasardhës.
Sot, përrallën e \"familjeve të lumtura me shumë fëmijë\" nuk e tregon më askush, sepse në të vërtetë nuk ka kush ta dëgjojë. Në shoqërinë e kohëve tona duket se janë kthyer në modë çiftet pa fëmijë, fëmijë vetëm me një prind dhe shumë beqarë, fenomene këto që në mënyrë të pashmangshme po çojnë drejt plakjes së popullsisë dhe shkatërrimit së familjes. Faktikisht, sipas statistikave, gjysma e dytë e viteve ‘70 ishte edhe periudha e fundit e artë që u dhuroi evropianëve famën e popujve që lindin shumë fëmijë dhe kanë familje të mëdha, sepse sipas studimeve të fundit, në vendet perëndimore rreth 34 çifte në 100 të tilla vendosin të mos bëjnë fëmijë, 30 kanë vetëm një, 28 kanë nga dy fëmijë dhe vetëm 8 prej tyre kanë sjellë në jetë tre \"trashëgimtarë\".
Nuk thonë kot se kohërat kanë ndryshuar, kanë ndryshuar madje shumë. Sot gjen nga të gjithë. Ka nga ato gra që për t‘u bërë nëna sakrifikojnë gjithçka, por ka edhe nga ato që të frikësuara se mund të humbasin gjithçka, heqin dorë nga një privilegj i tillë. Në fakt, mendime të tilla si \"gruaja që vendos të heqë dora nga puna për të sjellë në jetë një fëmijë rrezikon të shkatërrojë jetën e saj\" duket se janë bërë ide fikse për pjesën më të madhe të femrave në botë. Kështu, në Francë, Amerikë, Angli dhe gjithë vendet më të zhvilluara të botës, shtypi, por edhe politikat sociale, nuk rreshtin së trajtuari temën se kush mund të jetë më i lumtur në jetë: nënat që vendosin të sjellin në jetë fëmijë, duke hequr dorë nga puna; ato që edhe punojnë edhe kanë fëmijë, apo ato që nuk duan të kenë fare fëmijë? Edhe këtu gjen për të gjitha shijet. Është vërtetuar se pjesa më e madhe e grave që marrin vendimin për të lënë punën për hatër të fëmijës janë të destinuara të \"shkatërrohen\". Të braktisësh gjithçka ke ndërtuar nuk është aspak një zgjedhje e mirë. Shumë prej tyre kur të vendosin për t‘u bërë aktive sërish do të gjenden në vështirësi të mëdha dhe tregu i punës do t‘i refuzojë. \"Pengesat që ato do të hasin pas një mungese të gjatë në punë do të jenë të jashtëzakonshme. Të qëndrosh në shtëpi është një zgjedhje e atyre që dëshirojnë të rrezikojnë shumë\", thotë autorja e librit \"The feminine mistake\" (\"Gabimi femëror\"), Leslie Bennetts, që ka ngjallur polemika të mëdha në SHBA. Kështu, sipas asaj që ajo shkuan aty, në Amerikën e Veriut 50 për qind e martesave janë të destinuara të përfundojnë në divorc, ndërsa mosha mesatare e atyre që kanë ngelur vetëm është 55 vjeç.
Po ashtu, shumë gra me moshë më të madhe se 35 vjeç gjenden pa punë stabël, pa një shtëpi, pa sigurim shëndetësor dhe ndoshta edhe me fëmijë që nuk mund të jenë akoma autonomë. Në të vërtetë, një nga arsyet kryesore që gratë vendosin të mos bëjnë fëmijë, është se ata \"kushtojnë\", shkaktojnë lodhje dhe stres dhe të detyrojnë të heqësh dorë nga karriera jote. Atëherë, cila është zgjidhja më e mirë për të gjitha? Ndoshta të mos kesh fare, fenomene këto që çojnë drejt prishjes së familjeve. Ndoshta ka qenë kjo arsyeja në shumë vende komuniste të Lindjes që aborti ka qenë rreptësisht i ndaluar, ndërsa shteti hartonte politika të tilla për të shpërblyer garë që sillnin në jetë shumë fëmijë.
Por sot asgjë nga këto nuk është më. Abortet janë të ligjshme në shumë vende, po ashtu edhe liria për të pasur apo jo fëmijë. Atëherë shtrohet pyetja për të gjithë: A mund të jesh nënë, pa hequr dorë edhe nga impenjimet e tua profesionale? Pra, a i bën dot të dyja këto? Ky do të ishte vërtet maksimumi për një femër: të udhëheqë profesionin drejt suksesit dhe të \"lidhë\" pranë vetes një familje të lumtur. Por sot gjen shumë pak që arrijnë t‘i bëjnë të dyja, ndaj fenomeni ka marrë përmasa të tilla. Megjithatë, ajo për të cilën të vjen më shumë keq është kur dëgjon se vajzat mes moshës 20 dhe 30 vjeçe thonë se nuk kanë ndërmend të kenë fëmijë, duke theksuar me forcë faktin se tashmë kanë zgjedhur stilin e tyre të jetesës dhe mendojnë se një fëmijë do të prishte ekuilibrat e krijuar, duke ndikuar negativisht mbi jetët e tyre, domethënë duke i penguar jo vetëm ekonomikisht, por edhe për kohën e lirë. Pothuajse të gjitha grave që u kërkohet një mendim në lidhje me këtë temë, i rreshtojnë gjërat në këtë mënyrë: nuk duan të kenë fëmijë, sepse mendojnë për karrierën dhe duan të jenë të lira në jetë. Po ashtu ato thonë se të zgjedhësh të mos bësh fëmijë është më e lehtë se të vendosësh të bësh.
Por për të ardhur keq është fakti se shumë organizata, si për shembull \"No kidding\", mbrojnë me forcë faktin se të mos kesh fëmijë dhe familje mund të jetosh shumë mirë. Vërtet që sot prirja është që gratë të preferojnë të mos bëhen nëna, por nuk duhet të harrojmë të theksojmë se ka edhe nga ato që për të pasur një fëmijë janë në gjendje të sakrifikojnë gjithçka. Sepse kjo \"kategori\" e konsideron të qenit nënë një moment fisnik për një grua, duke lënë karrierën në plan të dytë. Si përfundim, deri tani nuk është arritur akoma të zbulohet se kush mund të jenë më të lumtura në jetë, ato që kanë fëmijë, apo ato që vendosin të mos bëjnë. Por kështu siç po rrjedhin gjërat, mund të themi se nuk është e largët dita kur portreti i familjes do të jetë ky: një familje dhe qeni, apo macja, ulur mbi divan! 03/2013


