Gjatë javës së gjidhënies, që ka filluar të enjten, UNICEF është fokusuar në gjidhënien si mënyrën më efektive dhe më pak të kushtueshme për të shpëtuar një jetë fëmije.
Por me më pak se gjysma e të gjithë fëmijëve nën gjashtë muaj që përfitojnë ekskluzivisht nga dhënia gji, organizata e Kombeve të Bashkuara për kujdes të fëmijëve është fokusuar të promovojë këtë praktikë të shëndetshme.
“Nuk ka asnjë intervenim të vetëm shëndetësor që ka aq shumë ndikim te foshnjat dhe nënat sa dhënia gji dhe që kushton aq pak për t’u realizuar. Dhënia gji është ‘imunizimi i parë’ i foshnjës dhe shpëtuesi më i madh dhe më i pakushtueshëm i jetëve që ekziston”, ka thënë zëvendësdrejtori ekzekutiv i UNICEF, Gaeta Rao Gupta.
Fëmijët që ushqehen ekskluzivisht me qumësht gjiri, janë 14 herë më të prirë të mbijetojnë në gjashtë muajt e parë të jetës se sa ata nuk ushqehen me qumësht gjiri. Duke filluar dhënien gji që nga dita e parë pas lindjes, ju mund të reduktoni rrezikun për vdekje të të porsalindurit për 45 për qind.
Dhënia gji po ashtu ndihmon aftësinë e fëmijës për të mësuar dhe ndihmon parandalimin e obezitetit dhe sëmundjeve kronike më vonë gjatë jetës.
Studimet e fundit amerikane dhe britanike, kanë nxjerrë një varg të gjatë të dobive shëndetësore nga dhënia gji, përveç asaj se fëmijët e ushqyer me qumësht të nënës sëmurën më pak se sa të tjerët.
Veç dobive për beben, janë edhe nënat ata që përfitojnë. Gratë të cilat japin gji kanë më pak gjasa të mbeten shtatzënë sërish në gjashtë muajt e parë pas lindjes, rikuperohen më shpejt nga lindja, dhe rikthehen më herët në peshën e para-shtatzënisë. Dëshmitë tregojnë se ato përjetojnë më pak depresion të paslindjes dhe po ashtu kanë rrezik më të ulët për kancer të vezoreve dhe gjirit më vonë në jetë.
Pavarësisht këtyre dobive të dokumentuara të dhënies gji, në mbarë botën vetëm 39 për qind të fëmijëve nën moshën gjashtë muajsh janë ushqyer ekskluzivisht me qumësht gjiri në vitin 2012. Kjo shifër globale është përmirësuar vetëm pak në disa dekadat e fundit, për shkak të vendeve të mëdha ku ushqyerja me gji vlerësohet pak, dhe për shkak të mungesës të përgjithshme të një ambienti mbështetës për nënat gjidhënëse. 03/2014


