Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Studimi, lindja me operacion ndryshon përbërjen gjenetike të fëmijës

Ndryshimet gjenetike i hapin udhë sëmundjeve të diabetit, kancerit dhe astmës. Sipas mjekëve që kryen studimin, lindja me operacion është e rrezikshme

Lindja me operacion ndryshon përbërjen gjenetike të fëmijës. Në këtë përfundim kanë dalë mjekët suedez, pasi kanë kryer një studim për fenomenin e lindjes së fëmijëve me operacion çezarian. Sipas studimit të kryer në Suedi, te fëmijët që lindin me operacion çezarian vërehen ndryshime në përbërjen gjenetike.

Mjekët suedezë nisën ta studionin këtë fenomen, pasi gratë në një masë të madhe preferojnë t’i lindin fëmijët e tyre me operacion. Sipas Institutit Karolsinska në Stockholm, në lindjet me operacion çezarian te fëmijët vihen re ndryshime gjenetike, të cilat mund t’i hapin udhë sëmundjeve të diabetit, kancerit dhe astmës.

Studimi

Gjatë studimit janë krahasuar lidhja e kordonit mes fëmijëve që lindin me operacion dhe atyre me lindje të natyrshme. Në rruazat e kuqe të dy rasteve u panë ndryshime të dukshme. Mjekët e lidhin këtë ndryshim me stresin që përjetojnë fëmijët gjatë operacionit çezarian. Sipas tyre, gjatë një lindjeje normale fëmija përjeton gjithashtu stres, porse është i përballueshëm.

Ndërsa në radhët e fëmijëve që lindin me operacion stresi është i menjëhershëm dhe shumë më i theksuar, ç’ka ndikon tejet negativisht në shëndetin e tij. Prof. Dr. Michael Norman i ka kushtuar një rëndësi specifike këtij studimi. “Gjatë lindjes disa gjene janë aktivë e të tjerë pasivë. Stresi gjatë lindjes me operacion çezarian ndikon në këto gjene ndaj ndryshon DNA e fëmijës.

Në studimet tona fëmijët që përjetojnë këto ndryshime gjenetike janë të predispozuar të vuajnë nga sëmundje kanceroze, diabet dhe astmë”,- sqaroi ai. Më tej, profesor Norman kërkoi nga nënat që të jenë më të vëmendshme, duke mos e parë operacionin çezarian si të parrezikshëm.

Fenomeni

Lindjet me operacion apo në mënyrë çezariane janë rritur së tepërmi gjatë dhjetëvjeçarit të fundit. Por, specialistët e Shëndetësisë theksojnë se lindjet me operacion shpeshherë janë të rrezikshme dhe lënë jo pak pasoja te nëna dhe fëmija. Maternitetet në shifrat e tyre, shënojnë mesatarisht 30 për qind të lindjeve me operacion.

E thënë ndryshe, nga 4 mijë lindje në një maternitet, mbi 1 mijë prej tyre kryhen në sallën e operacionit. Këto shifra konsiderohen të larta duke pasur parasysh disa faktorë që i çojnë nënat drejt operacionit. Specialistët sqarojnë se nëse lindja vjen ashtu siç nuk ishte parashikuar, atëherë ndërhyrja me operacion në këtë rast është e nevojshme.

Në të shkuarën, kjo praktikë, ndryshe nga sot, që është bërë më e shpeshtë, është përdorur vetëm në raste emergjente, kur lindjet natyrale shfaqnin rrezik për jetën e nënës dhe të fëmijës. Shkaqet e lindjes me operacion ndodhin vetëm në rastet kur lindja natyrale bëhet e pamundur.

Të tilla raste janë kur fundi i barkut të nënës është tepër i ngushtë dhe nuk mundëson daljen e foshnjës, apo kur fëmija është i shëndoshë dhe nuk mund të kalojë normalisht për të dalë jashtë. Raste të tjera varen dhe nga pozicioni i fëmijës, siç ndodh kur rezulton se fëmija në momentin e lindjes është në një pozicion të papërshtatshëm për të lindur në mënyrë natyrale.

Në raste të tjera ndodh ndonjë pengesë që ndalon daljen e fëmijës, për shembull, kordoni ombelikal, një cist në trupin e nënës, një malformim i placentës etj. Në disa raste duhet të ndërpresë shtatzëninë për shkak të disa komplikimeve gjatë periudhës së shtatzënisë. Nevoja për të ndërprerë shtatzëninë përpara përfundimit të saj me anë të operacionit ndodh për arsye shëndetësore të fëmijës apo të nënës.

Të tilla raste mund të jenë kur specialistët vënë re sëmundje të fëmijës (diabet, tosiemi ose vonesa në rritjen e tij), kur nëna ka hemorragji, kur ka lindje binjakësh me probleme, apo kur nëna vuan nga ndonjë sëmundje etj.

Komplikimet

Komplikimet e paslindjes me operacion përsa u përket infeksioneve janë trefish më të mëdha se lindja natyrale. Prandaj dhe mjekët u japin të gjitha nënave disa këshilla dhe duhet të jenë nën kujdesin e vazhdueshëm të tyre.

Pas këtij operacioni nëna mbahet në kontroll në sallën përkatëse. Shpesh lodhja në lindjet me operacion është më e madhe se ajo e lindjeve natyrale. Fillimi i procesit të të ushqyerit shpesh sjell dhimbje, që kërkon një ushqim special.

Plaga e operacionit mund të dhembë edhe më pas, edhe pse shenja nuk është më e dukshme për shkak të qimeve.

Plaga merr pamjen e saj përfundimtare pas rreth tetë muajsh, por nuk duhet të ekspozohet në diell të paktën për një vit. Në raport me fëmijën, në këtë rast qumështi i nënës ndodh që mund të vijë më vonë për shkak të lodhjes së nënës nga operacioni. Më pas kurat që ndërmerren për nënën dhe fëmijën pas lindjes me operacion mund të keqinterpretohen nga të dyja palët për shkak të ndarjes që u shkaktohet.

Një grua vdes çdo minutë nga lindja

Çdo tetë minuta në të gjithë planetin, një grua vdes për shkak të ndërlikimeve nga abortet e realizuara në kushte të pasigurta. Ndërkohë një grua vdes çdo minutë për probleme shtatzënie dhe 110 nga ndërlikimet e lindjes. Problematike mbeten vendet jugore të botës dhe problemet e hasura te gratë atje janë plotësisht të evitueshme.

Vendet më të fuqishme të botës, duhet të shqetësohen për planifikimin familjar, mbrojtjen e shëndetit nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme, përndryshe kostoja ekonomike për të përballuar pasojat do të jetë shumë e madhe dhe gjendja në vitet në vazhdim do të jetë jashtë kontrollit.

 

/gazeta-albania