Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Sindromi i ovarit policistik

Sindromi i ovarit policistik është pasojë e çrregullimit të nivelit të hormoneve seksuale femërore

Sindromi i ovarit policistik është pasojë e çrregullimit të nivelit të hormoneve seksuale femërore. Ky çrregullim bëhet shkak i ndryshimeve të ciklit menstrual, i ndryshimeve në lëkurë, i kisteve të vogla në vezore, i shqetësimeve në fertilitet dhe i problemeve të tjera shëndetsore.

Kush janë shkaqet dhe faktorët e rrezikut?

Hormonet seksuale femërore përmbledhin estrogenin dhe progesteronin dhe një dozë të vogël androgenësh, të cilët quhen hormone mashkullore dhe që janë të pranishme edhe tek femrat, por në nivel më të ulët.

Hormonet ndihmojnë vezën, që të ketë një zhvillim normal gjatë ciklit menstrual. Sindromi i ovarit policistik, lidhet me çrregullimin e nivelit të hormoneve seksuale. Prodhimi më i shtuar i hormoneve androgenë, ndryshon nivelin e këtyre hormoneve në organizëm. Nuk dihet saktësisht përse ndryshon ky nivel hormonal në organizëm.

Folikuli është një thes i cili mban brënda tij, vezën. Normalisht një nga vezët e shumta të vezores, prodhohet dhe del në qarkullim gjatë ciklit menstrual. Ky moment quhet ovulacion. Në gratë me sindromë të ovarit policistik, vezët në këto folikuj, nuk maturohen dhe nuk dalin në qarkullim. Kështu ato mbeten brënda në folikuj, dhe kthehen në mikrokiste të vegjël në vezore.

Këto ndryshime janë shpesh shkak i infertilitetit dhe i të gjitha shenjave, që kanë shkak çrregullimin e nivelit hormonal. Gratë zakonisht diagnostikohen me këtë sindrom rreth moshës 20-30 vjeç. Por sindromi, mund të shfaqet edhe tek vajzat e vogla.

Shenja e parë e shfaqes është ndalimi i menstruacioneve. Po të vëresh në historinë e jetës së këtyre vajzave, zakonisht ato mund të kenë nënën apo ndonjë motër me shenja të ngjashme të ovarit policistik.

Cilat janë simptomat e ovarit policistik?

1. Ndryshimet në ciklin menstrual.

a. Mungesë e menstruacioneve me një histori të mëparshme me cikël menstrual të rregullt (amenorrea sekondare).

b. Periudhë menstruale e çrregullt, psh. menstruacione të shpeshta ose të rralla me sasi më të vogël apo më të shtuar.

2. Zhvillimet e shenjave seksuale sekondare mashkullore.

a. Zvoglim i volumit të gjirit.

b. Trashje e zërit.

c. Zmadhim i klitorisit.

d. Rritje e pilozitetit/qimeve në fytyrë dhe në areolat e gjirit, hirsutizmi.

e. Hollim i flokëve dhe rënia e tyre.

3. Ndryshimet në lëkurë.

a. Akne (puçra) dhe tharje e lëkurës.

b. Njolla të zeza në qafë, gjoks, fytyrë, që vijnë si rezultat i uljes së insulin- sensitivitetit.

Cilat janë shenjat dhe testimi i tyre?

Gjatë ekzaminimit pelvik, vihet re një rritje e klitorisit dhe zmadhim i ovarit.

Diabeti, tensioni i lartë, niveli i lartë i kolesterolit, rënia e theksuar në peshë dhe obeziteti janë disa shenja të sindromit të ovarit policistik.

Pesha, indeksi i masës trupore, matja e cirkumferencës abdominale (perimetri i barkut), ndihmojnë për determinimin e faktorve të rrezikut. Në testimet kryesore përfshihen:

- Niveli i estrogenëve,

- FSH/hormone folikulo stimulues,

- LH/hormone luteotrop,

- Niveli i testosteronit,

- Ketosteroidet,

Analiza të tjera përfshijnë:

- Testi për të vlerësuar rezistencën e insulinoreceptorëve,

- Niveli lipideve/yndyrnave,

- HCG/gonadotropina korionike humane,

- Niveli i prolaktinës,

- Testet funksionare të gjendrës së tiroides,

- Ekografitë vaginale për të vlerësuar gjendjen e vezoreve,

- Laporoskopia pelvike, e cila ndihmon për një vëzhgim më të imët të ovarit dhe për biopsinë e tyre.

Si duhet trajtuar sindroma e ovarit policistik?

Ulja në peshë do të ndihmojë për diabetin, për uljen e tensionit arterial të lartë dhe për uljen e nivelit të kolesterolit. Edhe një ulje qoftë 5% e peshës trupore, do të ndihmonte në rregullimin e nivelit hormonal dhe në infertilitet.

Çfarë medikamentet mund të përdoret?

Medikamentet që përdoren për trajtimin e sindromës së ovarit policistik janë:

- Pilula progestative,

- Metformina, rrit sensitivitetin ndaj insulinës dhe mund të ndihmojë në rregullimin e ciklit. Në disa gra, ky trajtim ndihmon edhe në uljen e peshës.

- Chlomiphene citrate, ndihmon maturimin e folikulit dhe rilashimin e vezës.

- Trajtimet me medikamente antiandrogen edhe mund të përdoret, kur nuk jep efekt trajtimi me progesteron.

- Kremrat për eliminimin e hirsutizmit. Heqja e qimeve me lazer, zakonisht, nuk rekomandohet, por ka raste kur ajo mund të kombinohet me mjekim hormonal.

- Glucophage, ndihmon të ulë insulin-rezistencën.

- Laparoskopia pelvike, në disa raste ndihmon për të trajtuar mungesën e ovulacionit dhe infertilitetin.

Cila është prognoza/e ardhmja

Kur trajtimi i sindromës së ovarit policistik realizohet korrekt, shtatzënia mund të ndodhë dhe të shkojë normalisht deri në fund.

 

Obst-Gyn Mimoza Keta

Janar 2012

/komuniteti