Ju kujtohet Yllka Gashi, që ka luajtur në serialit “Familja Moderne”, e që të gjithë e kanë njohur si Zana. Yllka është ndër aktoret më të suksesshme në Kosovë, ku përmes rolit ka sjellë gjithmonë para publikut talentin e saj prej aktoreje. Tanimë jeta e sa ka ndryshuar rrënjësisht dhe për këtë gjë ka ndikuar vajza e saj, dy vjeçe Nina. Yllka Gashi në këtë intervistë për portalin bebaime flet për familjen e saj dhe të qenit nënë.
Bebaime: Fillimisht na flisni nga kush përbëhet familja juaj?
Yllka: Ne ende jemi një familje e vogël tre anëtarësh që përbëhet nga Nina, Albiani dhe unë.
Bebaime: Ju keni një vajzë të cilën e keni pagëzuar me emrin Nina. Pse vendosët ta pagëzoni me këtë emër, dhe çfarë kuptimi ka ky emër?
Yllka: Emrin e pati propozuar Albiani dhe mua më ka pëlqyer, sepse është i shkurtë dhe thuhet pa problem në të gjitha gjuhët e botës. Ndërsa sa i përket origjinës së emrit supozohet se është emër i vjetër spanjoll, mirëpo, në hebraishten/arabishten e vjetër domethënia e emrit Nina është ‘hirësi, e hirshme”.
Bebaime: Në flisni pak për Ninen, nga dita e parë e gjer tani?
Yllka: Oh, që nga dita e parë e deri tash Nina ka ndryshuar jashtëzakonisht shumë. Është e mahnitshme se si rriten e ndryshojnë fëmijët, sa shumë gjëra mësojnë, sa shpejtë i thithin informatat, se si mbajnë mend, si zhvillohen e kuptojnë. Thjeshtë unë mahnitem e befasohem çdo ditë me risitë që i shoh tek ajo. Nina është fëmijë i urtë e i këndshëm. Është e shoqërueshme dhe shumë paqësore, ka ‘vesh absolut’ për muzikë, i pëlqen tej mase vallëzimi dhe lehtësisht po mëson çdo ditë fjalë të reja në shqip dhe anglisht.
Bebaime: Na tregoni si jeni ndjerë në momentin e parë që keni parë fëmijën tuaj, keni thënë dhe ju si shumë nëna “ashtu siç e kam imagjinuar”?
Yllka: Në momentin e parë kur e kam parë Ninën, më është dukur e pabesueshme që më në fund pas 40 javësh pritjeje po e shoh fytyrën e saj. Është përjetim që vështirë përshkruhet me fjalë. Ajo ishte bebe e bardhë me plot flokë të zeza, me një hundë të vogël, me faqe e buzë të kuqe. Ishte krijesa më e bukur që kam parë në jetën time. Nuk ka qenë ashtu siç e kam imagjinuar, ka qenë 100 fish më bukur. Ajo ishte aty, mund ta mbaja në duar e t’i merrja erë. Që nga momenti i parë i ‘takimit’ tonë, dashuria mori tjetër dimension e kuptim.
Bebaime: Tani Nina ka mbushur dy vjet, shkon në kopsht?
Yllka: Nina tash është 2 vjeçe dhe ende nuk shkon në kopsht. Besoj që në pranverë do ta regjistrojmë.
Bebaime: Çfarë ushqimi i përgatisni Ninës dhe cili është ushqimi i saj i preferuar?
Yllka: Mundohem që t’i përgatis ushqim sa më të llojllojshëm e të shëndetshëm, si dhe ta mësoj deri diku shijet e ushqimit tonë tradicional. Mirëpo, ajo është pak ‘nazelike’ dhe nuk ha gjithçka. Më gëzon fakti që i ha të gjitha pemët. Po ashtu i pëlqejnë qoftet me mish viçi ose pule të cilat ia përgatis vetë, jo ato të blera, orizi me spinaq, supat me thjerrëza e perime, buka me vezë, fasulet etj.
Bebaime: A gatuan ndonjëherë bashkëshorti për vajzën?
Yllka: Thënë të drejtën jo. Unë jam prej atyre nënave që dua të jem përgjegjëse vetë për gjithçka që ka të bëjë me fëmijën tim, posaçërisht sa i përket ushqimit e higjienës. Prandaj, edhe kur jam e zënë me obligime e lë ushqimin e gatshëm e të përgatitur në mënyrë që Albiani vetëm ta ngrohë dhe t’ia servojë Ninës.
Bebaime: Sa ju ndihmon bashkëshorti rreth fëmijës?
Yllka: Ndihmon aq sa unë e lejoj. Meqenëse ai punon gjatë ditës, jam unë ajo që përkujdesem në mënyrë konstante për Ninën. Unë me vetë dëshirë e vullnet kam bërë një shkëputje nga karriera dhe aktivitetet që lidhen me të, sepse profesioni im është i ndjeshëm dhe në njëfarë mënyre pa orar, prandaj kam dashur që të jem e qetë dhe pa stres të punës në mënyrë që energjinë time ta fokusoj në rritjen dhe mirëqenien e Ninës. Për çfarë jam tejet e lumtur, sepse çdo sekondë i kaluar bashkë me të është një thesar i paçmim.
Bebaime: Si mund të na përshkruani momentet e ardhjes së fëmijës tuaj në shtëpi. Jeni frikësuar se mos nuk do t’ia dilni, kush ju ka ndihmuar në ditët e para?
Yllka: Ditët e para kanë qenë pak sfiduese derisa e pata marrë veten pas lindjes. Bëja panik për gjithçka dhe mundohesha që në secilin sekondë t’ia plotësoj kërkesat. U pata obsesionuar me pastërti dhe të paktë kanë qenë ata njerëz që ‘ma mbushnin syrin’ që t’ua jepja Ninën në duar ose t’i afroheshin asaj. U pata bërë (jo që nuk jam më, por tash jam më e relaksuar, sepse kam fituar përvojë dhe Nina është rritur) tepër protektive ndaj saj dhe doja që vetëm unë të merresha me të. Mirëpo, kam pasur ndihmën konstante të Albianit dhe të nënës sime. Ata janë përkujdesur për ne të dyja vazhdimisht, madje nëna ime për tre muaj radhazi çdo ditë e ka larë Ninën, sepse unë të gjitha doja t’i bëja, mirëpo nuk merrja guxim ta laja.
Bebaime: Nënat janë të lidhur emocionalisht me fëmijët e tyre. Ju ka ndodhur ndonjëherë që edhe ju të qani bashkë me vajzën tuaj, në ndonjë rast të caktuar?
Yllka: Po natyrisht, nuk besoj që ka ndonjë nënë që të paktën njëherë nuk i ka rënë të qajë bashkërisht me beben e saj. Mua më ka ndodhur që gjatë javëve të para kur e mundonin ngërçet e barkut dhe ndihesha e pafuqishme t’i ndihmoj. Provoja çdo gjë. I jepnim shurup për lehtësimin e ngërçeve, i bëja masazh barkun, e mbanim në duar, madje unë me orë të tëra e mbaja në duar e i këndoja e sillesha nëpër shtëpi me të, mirëpo kur asgjë nuk bënte punë, ja krisja nga një të qarë të mirë... e pastaj i thosha vetes “çka do që bëj unë, Nina e ndjen energjinë time, prandaj përmbaju dhe rrezato pozitivisht që t’i ndihmosh asaj se kjo është vetëm fazë”. Dhe më besoni që ashtu ndodhte, sa qetësohesha unë, gradualisht qetësohej edhe ajo.
Bebaime: Keni menduar në të ardhmen ta zgjeroni familjen edhe me ndonjë fëmijë tjetër?
Yllka: Shpresoj që po.
Bebaime: Tani që jeni bërë nënë si fillon një ditë e juaj?
Yllka: Dita ime fillon herët në mëngjes, ndonjëherë edhe në 5 të mëngjesit dhe përfundon pas mesnate. Kur e kujtoj sa shumë e kam dashur gjumin para se të bëhesha nënë, nuk më besohet sa mirë po mundem të funksionoj me vetëm 4-5 orë gjumë në ditë.
Bebaime: Na përshkruaj pak se çfarë emocioni keni ndjerë në momentin kur keni kuptuar se do të bëheni nënë?
Yllka: Nuk ka qenë ndonjë befasi, sepse ne e kemi planifikuar krijimin e familjes. Ka qenë koha më e përshtatshme për të dy, sepse jemi ndier të gatshëm psikikisht e emocionalisht si dhe kemi dashur një fëmijë. Prandaj, disi e dija edhe më besoni që qysh në fillimin e hershëm të shtatzënisë, ende pa e bërë as testin e parë, e ndjeja njëfarë ndryshimi pozitiv në trupin tim. Isha me disponim të mirë, Albiani më bënte të qeshja derisa më dilnin lotët, ka qenë periudhë shumë e bukur dhe relaksuese e jetës. Kam pasur fatin të kem një shtatzëni të qetë, pa mundime e shqetësime të tjera që shumë gra fatkeqësisht i përjetojnë. Në mua kanë triumfuar hormonet e lumturisë për plot 40 javë.
Bebaime: Sa ka ndryshuar jeta juaj qe kur lindi Nina?
Yllka: 100%.
Bebaime: Cila është këshilla juaj për nënat dhe gratë që janë shtatzëna?
Yllka: Shtatzënave do t’u thosha që të kënaqen me këtë periudhë të jetës, sepse është e këndshme dhe e ka lezetin e vet. Shfrytëzojeni këtë kohë që të lexoni e të merrni sa më shumë informata për atë se çfarë ju pret në të ardhmen, edhe pse përjetimi do të jetë ndryshe nga ato që lexoni e dëgjoni nga të tjerët. Është mirë ta keni një pasqyrë dhe të jeni të përgatitura për sfidat e bukura që ju presin. Si dhe, pushoni e flini sa më shumë që të keni mundësi, sepse do të ketë faza kur gjumi i natës do të jetë luks. Ndërsa, nënave do t’u thosha të mundohen ta shfrytëzojnë secilin sekondë me të vegjlit e tyre dhe ta bëjnë të vlefshme e kualitative kohën që e kalojnë me ta, sepse koha shkon shumë shpejtë ,e fëmijët rriten dhe gradualisht pavarësohen, mirëpo momentet e bukura që mund të përjetohen me ta nuk mund të kthehen prapa, prandaj kushtojuni kohë fëmijëve tuaj, sepse askush dhe asgjë nuk është më i rëndësishëm.
Intervistoi: TEUTA SINANAJ