Alaudin Hamiti është ndër moderatorët më të mirë në Kosovë. Ai udhëheq emisionin “Nin”, në “Klan Kosova”, ku edhe është drejtor i një departamenti në këtë televizion. Alaudin Hamiti në një intervistë për portalin bebaime.com flet për familjen e tij.
Bebaime.com: Alaudini është fytyrë e njohur e televizionit. Duket se televizioni është bërë pjesë e jetës tuaj?
Alaudin Hamiti: Televizioni gjithnjë ka qenë pjesë e jetës sime. Më kujtohet që nga fëmijëria kam qenë fanatik i madh i serialeve si Dinastia, Alf, Beverly Hills, Twin Peks. Adhurues i madh i MTV-së dhe çdogjëje që ka qenë e largët për neve që jetonim në një kohë pa shumë mundësi, por me imagjinatë të bujmë. Ajo dëshirë më ka përcjell gjithmonë deri në realizim tani.
Bebaime.com: Ju njohim si moderator dhe tash edhe drejtor në TV Klan Kosova, por lexuesit dinë pak për Alaudin Hamitin. Na flisni disa fjalë për familjen tuaj?
Alaudin Hamiti: Familja ime e ngushtë përbehet nga unë Yllka, Noari Maeli dhe Eva. Në moshë të re u bëmë prindër (26), njëkohësisht me energjinë rinore ia kemi dal të jemi prindër, karrieristë, miq dhe punëtor të mëdhenj për të arritur këtu ku jemi sot.
Bebaime.com: Ju keni tre fëmijë. Na flisni për secilin diçka. Për moshën, shkojnë në kopsht apo shkollë?
Alaudin Hamiti: Maeli dhe Noari tash mbushin 9 vjet, janë të pasionuar pas futbollit shumë, më shumë sesa ndaj mësimit. Sikurse çdo fëmijë edhe këta 2 kanë kërkesat e veta. Kurse, Eva është 3 vjeçare dhe është krijimi më i bukur në botë.
Bebaime.com: Sa ka ndryshuar jeta juaj që nga lindja e fëmijëve?
Alaudin Hamiti: Nuk më pëlqejnë familjet klasike. Si një i ri në moshë unë konsideroj që të qenurit prind është sinonim i durimit, qetësisë dhe komunikimit. Shpeshherë mendoj që çaloj, por kjo do të vërtetohet në të ardhmen. Kam ruajtur balacin mes të qenurit baba, njeri me profesion dhe kllabër. Deri vonë shumë mirë i kam mbajt këto 3. Tashmë edhe prioritetet kanë ndryshuar daljet nuk më tërheqin aq shumë sa përpara.
Bebaime.com: Si është një ditë e juaj në shtëpi me fëmijët dhe cili nga fëmijët ka prirje për tu bërë si babai pjesë e televizionit?
Alaudin Hamiti: Dita ime fillon me alarmin ne ora 6:50 dhe një kaos për t’u bërë gati që të arrijmë me kohë në shkollë dhe kopsht. Nga 8 dhe deri vonë shpeshherë pa orar mbes në punë. Dërgoj djemtë në stërvitje futbolli, kthehemi dhe përgatitemi për ditën e nesërme. Fundjava më krijon hapësirë gjatë ditës për aktivitete të përbashkëta. Djemtë janë totalisht të dhënë pas futbolli, gjë që nuk e kanë marrë nga unë, sepse jam out me këtë kategori të sportit, kurse Eva është shumë e vogël. Por, që atyre ju duket shumë interesante kur më shohin në tv. Magjia e tv-së ekziston edhe sot.
Bebaime.com: Në të shumtën e rasteve nëna është ajo që ka barrën më të madhe në familje për rritje të fëmijëve. Por, ju sa keni mundur ti ndihmoni rreth fëmijëve?
Alaudin Hamiti: Jap kontribut të madh, se kam pas problem të ndërroj pelena, t'i laj, t'i ushqej etj. Përveç meje dhe Yllkës, nëna ime është ajo që gjithashtu ka bërë dhe bënë punë të madhe në rritjen dhe edukimin e 3 fëmijëve.
Bebaime.com: A duhet sipas jush edhe ne kosovarët më në fund ta planifikojmë familjen?
Alaudin Hamiti: Dinamika e jetës sot është shumë më e shpejt sesa më parë, rritja e një fëmije ka kosto dhe në qoftë se prindërit dëshirojnë ta rrisin fëmijët në kushte normale, atëherë duhet planifikuar. Sot vetëm dashuria nuk mjafton për fëmijën.
Bebaime.com: Keni në plan në të ardhmen ta zgjeroni familjen?
Alaudin Hamiti: Jemi shumë mirë si një 5-she fantastike. Nuk kam në plan të rris më shumë numrin. Por, nëse në të ardhmen kemi shumë lekë, mbase mund të konsideroj të adaptoj ndonjë fëmijë.
Intervistoi: Teuta SINANAJ