Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Çfarë duhet të dimë që para lindjes?

Shkaqet e depresionit pas lindjes nuk janë shumë të qarta

Fëmija mund të dëgjojë duke filluar nga java e 28-të e shtatëzanisë (ose muaji i 7-të). Pikërisht në këtë periudhë të jetës, korja e trurit është zhvilluar në mënyrë të mjaftueshme për të njohur zërin e nënës së vet: ai nuk është më pasiv, por bashkëvepron dhe e “ndjen” se çfarë ndodh përreth (dëgjon zërat, tingujt, zhurmat, ndjen dhimbje dhe ka ndjenjën e ekuilibrit). Atëherë flitini fëmijës, thirreni në emër (nëse se i keni vënë një emër): mos t’ju duket e çuditshme, në këtë mënyrë e nxisni inteligjencën e bebit tuaj.

(Një kuriozitet: shija e ushqimit që nëna ha gjatë kësaj periudhe do të jetë dhe shija e preferuar e fëmijës më vonë.)

Para së gjithash, duhet që gradualisht të grumbulloni sendet e dobishme dhe të shmangni mbledhjen e sendeve të padobishme dhe të panevojshme. Pastaj bëni gati vendin ku do të rrijë dhe jetojë fëmija.

Së fundi, lexoni dhe mësoni përmendësh faqet e librit që flasin për ushqyerjen me gji. Mos u ndikoni nga ato që lexoni dhe shihni në çdo lloj reviste dhe reklame; gjërat që vërtet ju nevojiten janë shumë pak.

Çfarë duhet të blejmë apo të bëjmë gati?

Tryeza e ndërrimit të fëmijës - (mundet dhe ta merrni hua tek ndonjë shoqe që ka lindur më parë)

Karroca - me të cilën do të filloni shëtitjet me bebin tuaj.

Xhepi i kangurit. Mund të përdoret sapo ka lindur fëmija dhe është i dobishëm. Jo vetëm është i rehatshëm dhe thjeshton lëvizjet e të rriturit, por mbi të gjitha përforcon lidhjen fizike të fëmijës me prindin. Mund të përdoret qysh në shëtitjen e parë që bën bebi. E vetmja gjë duhet mbajtur parasysh është se duhet të zgjidhet në përpjesëtim me peshën e fëmijës. Ka disa modele që mund të shërbejnë për mbajtjen e fëmijëve të lindur parakohe.

Krevati i fëmijës - duhet të jetë të paktën 110 cm, sepse do të shërbejë derisa fëmija të vejë 4-5 vjeç. Anët e krevatit duhet të respektojnë një distancë jo më të madhe se 11 cm (kaq është diametri i kokës tek i porsalinduri), sepse përndryshe rrezikohet që koka e fëmijës të ngecë midis ndarjeve të anëve të krevatit.

Ndenjësja - (kolltuku) e fëmijës kur shëtitet me makinë: mund të përdoret deri në moshën 4 vjeçare, kur fëmija rri mbrapa në makinë dhe deri në moshën 10 vjeçare, kur fëmija mbahet para. Më e sigurt është të mbahet fëmija mbrapa. Kjo karrike mund të shërbejë edhe për të shëtitur fëmijën ose për ta lënë të flejë aty, përsa kohë ia lejojnë përmasat. Ajo është e përshtatshme sepse zakonisht fëmija ndihet më i qetë kur mbahet në pozicionin me duar dhe këmbë të mbledhura (si ka ndenjur në bark të nënës). Ky është një pozicion në të cilin ai jo vetëm qetësohet, por edhe në të cilin harxhimi i energjive dhe i oksigjenit është më i ulëti.

Interfoni. Është një mjet i dobishëm por jo i domosdoshëm, në fillim të jetës së bebit. Ai lejon që të dëgjohen të qarat e fëmijës kur ai është në dhomë vetëm; pra lejon një kontroll me anë të zërit, të fëmijës që rri në dhomën e vet. Por përveçse fëmija sigurohet, në këtë rast ai ndihmohet në zhvillimin psikologjik. Në fakt, si do të shohim edhe më tej, fëmija duhet të kuptojë se nëqoftëse ai do, mund të kushtëzojë mjedisin, domethënë kur qan merret vesh se çfarë kërkon. Ai nuk e di që kur qan dhe dera është e mbyllur, nëna e vet nuk vjen se nuk e dëgjoi: kështu tek ai mund të krijohet bindja se nuk arrin të kuptohet. Për këtë arsye sa herë që fëmija qan, i duhet përgjigjur sipas nevojave dhe nuk duhet të lihet që të qajë.

Themi për interfonin që nuk është një mjet i domosdoshëm, sepse supozohet dhe në fakt kështu duhet, që nëna dhe fëmija të mos ndahen nga njeri-tjetri. Kur ka mundësi, pse duhet të lihet fëmija vetëm në dhomë? Fëmija i porsalindur e ndjen shumë mungesën e kontaktit të ngushtë fizik dhe do të rrijë gjithmonë ngjitur me trupin e nënës (edhe në banjë, nëna duhet të shkojë së bashku me fëmijën e vet). Të mësuarit e fëmijës të flejë vetë dhe në dhomën e vet, mund të fillojë vetëm pas muajit të gjashtë, kur fëmija ndihet i sigurt dhe ka fituar besim tek bota që e rrethon.

Panolinat - (pampersat – pelenat me një përdorim) duhet të blihen në njëfarë sasie për t`i pasur gjithmonë gati.

Rrobat. Është mirë që të merren trup (bluzë dhe tuta bashkë) dhe që mbërthehen e zbërthehen kollaj (fëmijës nuk i pëlqen veshja dhe zhveshja – atij i pëlqen më shumë të rrijë lakuriq). Rrobat e fëmijës është mirë të jenë prej pambuku dhe jo prej leshi. Ato nuk duhet të jenë tepër të trasha, sepse fëmijët e vegjël nuk djersijnë dhe nuk e kontrollojnë dot vetvetiu temperature trupore (nxehen kollaj nga veshja e trashë). Lidhur me madhësinë e rrobave, kini parasysh se pesha mesatare e një fëmije është rreth 3.3 kg, gjatësia mesatare në lindje është rreth 50 cm dhe rrethi i kokës afërsisht 35 cm.

Çfarë nuk duhet të blejmë?

Rrethorja. Nuk është e këshillueshme, sepse nëqoftëse fëmija e përdor, në vend që të mësojë të ecë, mëson të drejtojë rrethoren, domethënë përkulet me bark për para dhe ecën me majat e gishtave. Me kohë fëmija nuk e harron këtë mënyrë lëvizjeje dhe kur rritet, vazhdon të ecë me majat e gishtave.

Sterilizuesin e biberonave dhe kompletin për ushqyerjen artificiale. Së pari qëllimi juaj kryesor dhe i vetëm duhet të jetë ushqyerja me gji. Sidoqoftë, nëse vërtet keni arsye të forta për të ushqyer artificialisht fëmijën dhe e keni biseduar gjithçka me mjekun tuaj pediatër, përsëri nuk është e nevojshme që të bleni sterilizuesin. Biberonat, shishet, dhe çdo gjë që mund t`ju duhet për ushqyerjen artificiale, mund t’i sterilizoni në çfarëdo lloj ene.

Biberon i rremë. Nuk është i domosdoshëm.

Çfarë të marrim me vete në maternitet?

Duhet përgatitur një çantë me gjëra që duhet për të veshur fëmijën që sapo ka lindur: panolina, bluzat, çorapet, kapuçi prej pambuku, këpuckat etj. Ka maternitete që nuk lejojnë veshjet personale, qoftë për nënën, qoftë dhe për fëmijën. Gjithsesi, interesohuni qysh më parë.

Zakonisht në të gjitha maternitetet lejohen tashmë rrobat personale. Ndonjëherë mund të merren në spital edhe çarçafë të vjetër, veçanërisht kur keni merak për pastërtinë. Normalisht do t`ju duhen 2-3 çarçafë për vete dhe të paktën 2 çarçafë të vegjël për fëmijën tuaj. Gjithashtu do t’ju nevojitet një veshje, për çastin kur do të dilni nga materniteti.

Çfarë të bëjmë gati në shtëpi?

Këndi i ndërrimit të fëmijës. Përgatitni një cep të shtëpisë për të vendosur tryezën e ndërrimit të fëmijës. Nuk është e thënë që patjetër ta bleni, sepse mund edhe ta sajoni. Sidoqoftë në treg ka të gatshme, të formave dhe përmasave të ndryshme.

Kini parasysh që afër kësaj tavoline ose në sirtarët që vetë tryeza e gatshme mund të ketë, ju duhet të mbani teshat që ju nevojiten për ndërrimin e fëmijës, mjetet e tualetit dhe të pastrimit të fëmijës.

Nëse keni gjetur ose blerë një peshore për peshimin e fëmijës, gjejini një vend aty afër, sepse fëmijën duhet ta peshoni të zhveshur, prandaj ju vjen për mbarë ta keni afër.

Vendi ku do t`i jepni gji fëmijës

Fëmijën mund ta vini në gji ku të doni. Por për të krijuar një atmosferë më të këndshme, zgjidhni një kënd të shtëpisë që ju pëlqen më shumë. Është shumë e rëndësishme kur ushqeni me gji, që në radhë të parë ju të rehatoheni (pra zgjidhni një kolltuk, ose poltronë të rehatshme, për ta rregulluar në pjesën e shtëpisë që e keni përzgjedhur për të ushqyer fëmijën).

Ky vend duhet të jetë larg telefonit dhe televizorit, që të mos ju shqetësojnë.

Përgatitja për lindje

Lindja përbën kulmin e periudhës së shtatëzanisë, është kurorëzimi i gjithë kujdesit të treguar për nëntë muaj me radhë dhe është momenti kur ju do të shihni fëmijën tuaj, të cilën e keni pritur me padurim. Ky moment nuk matet me sekonda, por me orë, nga 6 deri në 12 orë. Nëse ju jeni të përgatitura, këto orë nuk do t’i përjetoni me shumë ankth.

Si ta kuptoni se akti i lindjes po afron? Përvoja e çdo gruaje është e ndryshme, por ato që presin të bëhen nëna për herë të parë janë të shqetësuara nëse do të dinë t’i njohin shenjat e para të aktivitetit të lindjes në kohën e duhur.

 

Shenjat që tregojnë se lindja është pranë

Gratë shtatëzëna shpesh herë tremben kur dallojnë një si “tapë” të trashë, të përzier edhe me copëza gjaku t’u dalë nga vagina, pa bërë ndonjë sforcim dhe mund të jetë ditën ose natën. Kjo nuk ka përse t’ju trembë, por tregon se për 24 ose 48 orë do fillojë aktiviteti i vërtetë i lindjes dhe quhet “tapa mukoide”.

Përveç kësaj tape, gratë shtatëzëna, në ditët e fundit para lindjes kanë një ndjenjë rëndimi në fund të barkut, ndiejnë shpesh nevojën të shkojnë në tualet, urinojnë shpesh dhe në sasi të pakët, dhe ndodh të bëjnë gjumë të çrregullt.

Është shumë e rëndësishme që nëna në këtë fazë të numërojë lëvizjet e bebit të saj gjatë kohës që ajo është zgjuar. Nëse këto lëvizje numërohen më pak se 12 për kohën që u përmend më sipër, kjo përbën shenjë alarmi dhe ju duhet t’i drejtoheni menjëherë mjekut apo mamisë që keni më pranë.

Plasja e ujrave

Fëmija juaj rrethohet nga një cipë brenda mitrës, e cila përmban ujë, i domosdoshëm për rritjen normale të bebit. Në momentin që afrohet aktiviteti i lindjes, ky xhep ujrash çahet dhe gruaja ka rrjedhje uji nga organet seksuale, pa ndjerë kurrfarë dhimbje, madje mund të jetë në gjumë. Ky nuk është moment për t’u alarmuar, por sidoqoftë duhet të vihet në dijeni mjeku (kjo shprehje ka vend kur bëhet fjalë për fundin e shtatëzanisë).

Një grua mund të qëndrojë edhe 24 orë, me ujra të plasura, pa pasur kontraksione, dhe pa ndonjë rrezik, nëse përdor peceta sterile.

I vetmi rrezik është mundësia e infeksionit nga poshtë-lart, gjë që mund të ndodhë në rastet kur mungon higjiena vetjake. Pra mund të pritet deri në 24 orë, pa pasur nevojë të shtroheni ne spital, por gjithmonë kur ka mundësi të kontaktoni me një personel shëndetësor.

Nëse kalojnë këto 24 orë dhe nuk fillojnë kontraksionet, duhet të drejtoheni menjëherë në spital dhe të kërkoni ndihmë të kualifi kuar.

Kontraksionet

Do t’i quajmë kontraksione dhe jo dhimbje, për t`ju dhënë idenë e mirë që këto nuk përjetohen vetëm me dhimbje. Kontraksionet mund të fillojnë si një forcim i barkut, i shoqëruar me ndjenjë rëndimi në fund të tij, apo edhe me shtrëngime të mesit. Ato perceptohen mjaft të durueshme nga gruaja dhe kanë karakteristikë që mbarojnë për disa sekonda dhe ripërsëriten çdo 20 apo 30 minuta. Ju mund ta matni vetë kohëzgjatjen e tyre dhe sa është intervali ndërmjet tyre.

Në këto momente partneri apo një njeri i afërt i familjes mund t‘ju japë një ndihmë të mrekullueshme duke ju fërkuar mesin, nëse kjo gjë ju lehtëson. Mënyra e frymëmarrjes gjithashtu mund t‘ju ndihmojë mjaft. Në fillim të kontraksionit filloni të merrni frymë thellë, rrallë, duke marrë frymë me gojë dhe duke e nxjerrë po me gojë, ose të njëjtën gjë mund ta bëni me hundë, ka të njëjtin efekt. Kjo lloj frymëmarrjeje ndihmon në kalimin më të lehtë të kontraksionit, sepse e kalon dominancën e trurit në tjetër qendër, dhe në të njëjtën kohë i jep më shumë oksigjen bebit, i cili në momentin e kontraksionit ka më shumë nevojë për të se në çdo moment tjeter.

Me kalimin e kohës kontraksionet afrohen me njëra tjetrën, zgjasin më shumë deri në 60 sekonda (maksimumi), muskujt e barkut forcohen më shumë, dhe perceptohen më të dhimbshme nga gruaja.

Këto kontraksione bëjnë të mundur hapjen e qafës së mitrës, gjë që ndodh shumë gradualisht (norma është 1cm hapje në orë) dhe janë të pavullnetshme. Sado mirë të jeni përgatitur për lindjen, ndjenja se trupi juaj është përfshirë në një proces që ju nuk e kontrolloni dot vetë, mund t`ju bëjë të ndjeni frikë dhe pasiguri. Ky është moment kur prania e partnerit ju ndihmon mjaft dhe ju bën të ndiheni më mirë. Edhe frymëmarrja e bërë në mënyrën si u përshkrua me sipër, ju ndihmon në kalimin më lehtë të kontraksionit dhe sidomos nëse edhe partneri bën të njëjtën frymëmarrje me ju.

Pozicioni që mund të mbani

Jeni të lira të zgjidhni pozicionin në të cilin e ndjeni veten më komode dhe ndjeni më pak dhimbje. Në fillim të kontraksioneve mund të qëndroni ulur “në bisht”, ulur në karrike, në këmbë, apo shtrirë anash. Mundeni edhe të vendosni gjunjët në krevat dhe kokën në një pirg jastëqesh. Mund të qëndroni të mbështetur te partneri dhe ai t`ju fërkojë mesin apo shpatullat. Pra çdo pozicion që ju bën të ndiheni mirë, është i favorshëm. Në fazën kur kontraksionet bëhen më të afërta (deri çdo një minutë), nëse ndjeni nevojën për të urinuar është mirë të shkoni në tualet, se boshatisja e fshikëzës së urines ndihmon daljen e bebit (ose nuk e pengon atë). Ndërkohë nëse lëvizni në këmbë gjatë intervalit, kjo bën mirë për të shtyrë poshtë kokën e bebit.

Gjatë kësaj faze gratë mund të jenë më të shqetësuara, të kenë ndjenjën e të vjellit dhe humor të keq. E përsëris që prania e partnerit e lehtëson gjendjen dhe duhet të dini që kjo fazë zgjat 30 minuta ose pak më shumë. Nëse në këtë moment ndjeni nevojën për të shtyrë poshtë, mos e bëni pa marrë mendimin e mjekut. Është ai që do të vendosë kur është momenti që duhet shtyrë. Po u bë më parë se duhet, aktiviteti i lindjes mund të zgjasë më shumë.

Faza e dytë e lindjes

Kjo fazë fillon kur hapja e qafës të mitrës ka arritur 10 cm, ose ajo që quhet hapje e plotë. Gruaja këtë fazë e ka më të lehtë edhe pse kontraksionet janë çdo 1 minutë dhe zgjasin 60 sekonda, sepse ajo ka një ndjenjë të fortë të të shtyrit poshtë, gjë e cila shumë gra i lehtëson. E gjithë periudha është 30 minuta deri në një orë (tek gratë të cilat lindin për here të parë). Nga ana tjetër kjo është një fazë kur gruaja e ndjen veten të nevojshme sepse duhet edhe ndihma e saj e vullnetshme gjatë çdo kontraksioni për të shtyrë poshtë, duke përdorur muskulaturën e barkut.

Pozicioni që mund të merrni është ai që ju krijon mundësinë të shtyni më mirë, i cili mund të jetë në kurriz, anash apo ndenjur. Po të gjeni pozicionin e duhur dhe me ndihmën e partnerit, çdo gjë do t´ju duket më e lehtë.

1. Qafa e mitrës është holluar, por ende nuk është hapur.

2. Qafa e mitrës është hapur plotësisht dhe koka e bebit ka filluar të shtyjë në kanalin e lindjes (vaginën).

3. Duket maja e kokës.

4. Koka, pjesa më e gjerë e bebit, ka dalë jashtë. Pjesa tjetër e lindjes do të vazhdojë qetësisht.

Momenti i shumëpritur tani është shumë pranë dhe ju shpejt do të keni mundësinë të shihni fëmijën tuaj dhe ta mbani në gji. Në këtë moment provoni një ndjenjë çlirimi fizik dhe psikologjik të veçantë, ku gëzimi përzihet edhe me lotët. Por lindja nuk quhet e përfunduar derisa nuk ka dalë ende placenta, e cila del disa minuta (deri në 30) mbas lindjes. Gjatë kësaj kohe ju humbisni një sasi gjaku, e cila vlerësohet nga personeli mjekësor deri kur do të quhet normale.

Për të realizuar daljen e placentas do t´ju duhet të shtyni përsëri, këtë herë pa dhimbje, vetëm për të ndihmuar daljen e saj. Më pas, mbasi mjeku sigurohet që placenta ka dale e plotë, lindja mund të konsiderohet e kryer dhe ju mund t’i gëzoheni tërësisht fëmjës suaj, duke e vënë menjëherë në gji, në mënyrë që ai të ndiejë afërsinë e nënës deri në lëkurë.

Depresioni pas lindjes - si ta përballojmë?

Depresioni pas lindjes prek rreth 10% të grave për pothuajse një jave pas lindjes. Meqenëse është një çrregullim i zakonshëm, vetëm gjysma e grave ndiejnë nevojën e ndihmës mjekësore. Çrregullimi shoqërohet me gjendje jo të mira humori dhe shpesh shoqërohet me lëvizje të tij (humorit).

Këto ndryshime të shpeshta dhe të zgjatura të humorit nuk duhet të ngatërrohen me eksperiencën e mrekullueshme të nxjerrjes në jetë të një foshnjeje.

Çfarë e shkakton depresionin pas lindjes?

Shkaqet e depresionit pas lindjes nuk janë fort të qarta, por duket se gratë janë më të ndjeshme psikologjikisht ndaj problemeve për gjatë javës dhe muajit të pare pas lindjes.

Më fort këtë goditje psikologjike e përjetojnë më tepër gratë të cilat kanë një shtatëzani të paplanifikuar, ato me mbështetje të ulët sociale, apo që vijnë nga familje me një prind etj. Edhe vet këta faktorë mund të shkaktojnë depresion, ndërsa shtatëzania dhe lindja veprojnë si faktorë stresues shtesë.

Gratë të cilat kanë pasur probleme të mëparshme psikologjike, janë më të rrezikuara.

Cilat janë shenjat e depresionit pas lindjes?

Shenjat janë të ndryshme, por pagjumësia, humbja e oreksit, ndjenjat e ankthit, ataket e panikut (gjendje ankthi shumë e fuqishme) dhe aktiviteti i tepërt ose I pakët janë shumë të zakonshme.

Nëna mund të ndihet e shqetësuar apo fajtore dhe mund të shprehë shqetësime të pazakonta për veten dhe për fëmijën. Përfundimisht, nëna mund të jetë e çorganizuar dhe ajo nuk mund të kujdeset për veten dhe për fëmijën.

Cilat janë mënyrat e mundshme të trajtimit për depresionin pas lindjes?

Shenjat e lehta mund të mund të zhduken brenda një periudhe një javore, përmes një trajtimi mjekësor. Për shqetësime më të zgjatura kërkohet këshillim psikologjik, psikoterapi dhe mjekim. Mjekimi zakonisht jepet me tableta kundër depresionit, që nuk krijojnë varësi për një periudhë prej një jave deri në një muaj. Një numër shumë i vogël nënash kanë nevojë për një trajtim më intensiv në spital.

Mbështetje praktike:

• Nëse ndjeni që nuk mund ta përballoni “problemin”, mos u druani t’i tregoni familjes dhe miqve, mjekut tuaj apo infermieres që keni nevojë për ndihmë

• Të merrni një kujdestare apo një të afërm për pak orë në ditë, që të mund t’ju ndihmojë.

• Përpiquni të mos shqetësoheni për punët e shtëpisë dhe të mos shpenzoni shumë kohë për to.

• Kërkojini bashkëshortit/partnerit tuaj, familjes apo miqve që t’ju japin ndihmë. Shëndeti dhe mirëqenia juaj janë shumë të rëndësishme.

• Duhet të përpiqeni të hani në mënyrë të balancuar, pak dhe shpesh, të pini shumë lëngje, sidomos nëse keni probleme me frymëmarrjen.

Nëse është përjetuar depresion pas lindjes së parë, a mund të ndodhë që të përsëritet?

Nëse keni kaluar një depresion pas lindjes së parë, mundësia për ta përjetuar atë përsëri është 1 në 5 raste (sipas disa studimeve). Duke qenë e informuar dhe kur e di se çfarë mund të ndihmojë për një trajtim të mirë, është më e thjeshtë të identifikosh dhe ta zgjidhësh problemin.

Shtatëzania, lindja e fëmijës dhe paslindja përbëjnë një periudhë ndryshimesh të mëdha psikologjike dhe fizike te gratë. Gjatë gjithë kësaj kohe ato e kanë të nevojshme të bëjnë kujdes për veten por edhe të mbështeten nga të tjerët për të përballuar ndryshimet fizike, si dhe ato emocionale që shkaktohen nga shtatëzania, lindja dhe paslindja, të cilat përbëjnë një ngjarje të rëndësishme të jetës së tyre.

Suksesi i mbështetjes së të tjerëve gjatë gjithë këtyre fazave varet nga kujdesi fizik dhe emocional i vazhdueshëm i gruas për veten.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë