Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Vizita e dytë para lindjes

Në çdo vizitë do të maten presioni i gjakut dhe pesha juaj

Që në vizitën e parë ju do të ftoheni nga personeli mjekësor për t’u kthyer sërish në shërbimet e kujdesit të nënës dhe fëmijës, për vizita të tjera dhe duhet të mbani mend që kjo është shumë e rëndësishme. Shpeshtësia e këtyre vizitave do të varet nga gjendja juaj dhe e fëmijës.

Kur çdo gjë ecën normalisht, vizitat duhet të bëhen çdo muaj deri në muajin e 7-të, më tej çdo dy javë, ndërsa në muajin e nëntë çdo javë. Natyrisht në rastin e shfaqjes së problemeve nuk do të ruhet kjo shpeshtësi.

Cilat janë qëllimet e vizitës së dytë para lindjes?

1. Vlerësimi i vizitave të zakon shme të bëra mbas vizitës së parë, duke marre masa për trajtimin e problemeve që mund të dalin. Nëse niveli i hemoglobinës rezulton i ulur, jepet ilaçi përkatës si dhe mjekohet infeksioni vaginal, kur vërtetohet prania e tij me mbjellje.

2. Hartimi dhe zbatimi i protokolleve që do ndiqen për gratë me shtatzani me rrezik të lartë.

3. Vlerësimi i ecurisë së shtatzanisë.

4. Këshillimi për ushqyerjen, veshjen dhe mënyrën e jetesës.

5. Nëse Faktori Rh rezulton negativ, bëhet testi i imunizimit për të vendosur pastaj protokollin e ndjekjes së mëtejshme.

Cilat janë situatat për të cilat ju duhet të vizitoheni patjetër nga mjeku specialist?

• Mosha juaj më e vogël se 17 vjeç apo më e madhe se 35 vjeç

• Histori familjare për keqformime gjenetike apo të trashëguara

• Shtesë në peshë mbi 13 kg gjatë shtatzanisë

• Dobësia (në peshë)

• Gjatësia nën 145 cm

• Ekspozim ndaj lëndëve dëmtuese: radiacioni, infeksionet virale apo lëndë kimike.

• Përdorimi i duhanit

• Prania e vazhdueshme e faktorëve stresues dhe të problemeve psikologjike

• Vështirësi për të mbetur shtatzënë

• Keqformime të vërtetuara të mitrës apo të qafës së mitrës

• Prania e fibromiomave të ditura më parë, apo të diagnostikuara gjatë vizitës së parë para lindjes

• Nëse janë bërë ndërhyrje të mëparshme kirurgjikale, sidomos në sferën gjenitale.

• Pamjaftueshmëri e qafës së mitrës, e vërtetuar gjatë shtatzanive të mëparshme

• Fëmijë të lindur të vdekur apo që kanë vdekur menjëherë mbas lindjes, në shtatzanitë e mëparshme

• Lindje të shumta (mbi katër lindje)

• Dy ose me shumë aborte të mëparshme spontane

• Lindje të mëparshme para kohe

• Lindje të mëparshme të fëmijëve të vegjël për moshën e shtatzanisë

• Interval i shkurtër ndërmjet lindjeve (më pak se një vit)

• Lindje të mëparshme të fëmijëve me peshë mbi 4000 gram

• Lindje të mëparshme të fëmijëve me keqformime të lindura

• Lindje të vështira të mëparshme (asfiksi e bebit në lindje)

• Tension i lartë gjatë shtatzanive të mëparshme

• Lindje të mëparshme me operacion apo forceps

• Ngushtim i kockave të legenit, i lindur apo i fituar

• Paraqitje jo normale të fëmijës në lindjet e mëparshme

• Shtatzani të mëparshme me shumë fëmijë

• Gjendje depresive mbas lindjeve të mëparshme

• Kur ka pasur sëmundje të diagnostikuara më parë të zemrës, tension të lartë, sëmundje të veshkave, të mushkërive, diabet, sëmundje të gjakut, të tiroides, epilepsi, sëmundje malinje të mëlçisë, përdorim droge apo alkooli.

• Probleme të abuzimit fizik në familje.

• Hemorragji vaginale gjatë shtatzanisë, pavarësisht nga ngjyra e errët apo e hapur (dyshohet për ndërprerje të shtatzanisë)

• Të vjella të shpeshta, të cilat vështirësojnë gjendjen e përgjithshme

• Ankesa gjate urinimit

• Dhimbje barku të çfarëdo lloj natyre

• Rrjedhje ujrash para se të fillojë aktiviteti i lindjes

• Tejkalimi i dates se parashikuar për lindje (më shumë se një javë)

• Pakësimi i lëvizjeve të bebit (më pak se 12 lëvizje në 24 orë)

Asnjë ilaç nuk duhet përdorur gjatë shtatzanisë pa rekomandimin e mjekut specialist gjinekolog.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë