Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Hirsutizmi, problem jo vetëm kozmetik- Këshilla nga mjekët e Spitalit Amerikan

Te shumica e femrave, hirsutizmi vjen si tepricë e androgjenëve, që mund të kenë prejardhje nga ovaret, gjendra suprarenale ose nga medikamentet. Androgjenët e nxisin shtimin e numrit dhe trashësisë së qimeve terminale në fushat androgjen sensitive. Arsyet e shfaqjes së sëmundjes mund të jenë të ndryshme: PCOS (Sindroma e ovareve policistike), hirsutismi mund të paraqitet edhe për shkak të mungesës së enzimeve steroide të gjëndrës suprarenale dhe ovareve, për shkak të tumoreve ovariale dhe suprarenale sekretuese, apo te sëmundjet endokrine si: sindroma Cushing, sëmundja e metabolizmit të kortizolit, hiperprolaktinemia dhe akromegalia. 

Simptomat

Shfaqja e qimeve të tipit mashkullor: Qimet fillojnë të shfaqen në vende të trupit ku nuk kanë qënë të pranishme më parë , sidomos në vende tipike si: në fytyrë, mbi buzën e sipërme, në mjekër, në mesin e gjoksit, në shpinë, në pjesën e hernies, në fundshpinë, në mes këmbëve, në vijën e barkut prej pubisit deri tek kërthiza.

Virilizimi: Niveli i lartë i Androgjnëve është shkaktar i Hirsutizmit atëherë në këtë moment zhvillohen shenjat e tjera të njohura me emrin Virilizim që nënkupton: trashjen e zërit, shfaqjen e akneve, zvogëlimin e gjinjve, rënien e flokëve të tipit mashkullor. 

Shkaqet

Normalisht në pubertet vezoret e një vajze fillojnë të prodhojnë hormone seksuale në mënyrë të sinkronizuar dhe kjo çon në rritjen e qimeve normale në pjesën pubike dhe nën sqetulla që njihen edhe si shenjat sekondare të pjekurisë seksuale. Nëse ky prodhim i balancuar dhe miks i hormoneve seksuale femërore dhe mashkullore disbalancohet (çrregullohet) atëherë kemi të bëjmë me shenjat e para të Hirsutizmit. Disa nga shkaktaret kryesorë janë:

Sindroma e Vezoreve Policistike: është gjendje e shpeshtë sidomos tek vajzat e reja në moshë, që shkaktohet nga disbalancimi i prodhimit të hormoneve seksuale mashkullore e që mund të manifestohet me cikël menstrual të çrregullt, obezitet (shtim të peshës në masë të madhe), infertilitet (pamundësi për të ngelur shtatzënë) e nganjëherë edhe ciste multiple në vezoret e femrës.

Sindroma Cushing: kjo sindromë shkaktohet kur trupi është i ekspozuar ndaj niveleve të larta të hormonit Kortizol, që vjen si pasojë e prodhimit të tejshtuar të Kortizolit nga gjëndra mbiveshkore ose si pasojë e përdorimit të medikamenteve si Prednizoni për një kohë më të gjatë kohore.

Hiperplazioni (zmadhimi) i lindur i gjëndrës mbiveshkore: kjo gjendje e trashëguar e gjëndrës mbiveshkore karakterizohet nga prodhimi i tejshtuar dhe abnormal i hormoneve steroide duke përfshirë këtu edhe kortizolin dhe androgjenët. 

Faktorët e riskut

Faktorët të riskut që i kontribuojnë zhvillimit të hirsutizmit janë:

Historia familjare, shumë gjendje që e shkaktojnë hirsutizmin si sindroma e vezoreve policistike dhe rritja kongjenitale e gjëndrës mbiveshkore janë pjesë e ndonjë anëtari të familjes prandaj pritshmëria që disa prej anëtarëve të familjes të ballafaqohen me këtë problematikë është e madhe.

Origjina, femrat nga vendet e Mesdheut, Lindjes së Mesme dhe Azisë Jugore janë më të predisponuara të zhvillojnë hirsutizëm pa ndonjë shkak të definuar.

Komplikimet

Hirsutizmi shpeshherë është emocionalisht i veshtirë, sepse femrat me shumë të drejtë ndihen jo komode për shkak të qimeve të cilat rriten në pjesët e padëshiruara për një femër. Po ashtu nëse pacientja ka hirsutizëm dhe cikël menstrual të çrregullt ka të bëjë me sindromën e vezoreve policistike që çon deri tek infertiliteti ose pamundësia për të ngelur shtatzënë. Edhe femrat që përdorin medikamente për trajtimin e hirsutizmit duhet të evitojnë shtatzëninë për shkak të rrezikut për defekte të lindura. Qimet mund të largohen me rruajtje, me dyllë, pincetë, elektrolizë, zbardhje me peroksid hidrogjeni, lazer.

/komuniteti