Pëlqeje në
E pelqej BebaIme.com në Facebook

Shtatzënësi #Kujdesi për veten tuaj > Kujdesi i përgjithshëm për veten tuaj


Përmbajtja


Ushtrimet

Sportet e rrezikshme dhe ushtrimet fizike të sforcuara duhet të shmangen gjatë shtatëzanisë

Përgjithësisht duhet të themi se ushtrimet fizike të moderuara janë të pranueshme gjatë shtatzanisë, por ju duhet të pushoni të paktën për 1-2 orë pas tyre.

Sportet e rrezikshme dhe ushtrimet fizike të sforcuara duhet të shmangen. Ushtrimet në klasa me punonjës të specializuar dhe ushtrimet aerobike janë gjerësisht të përdorshme dhe mjaft të dobishme gjatë shtatzanisë.

Nëse jeni mësuar me ushtrimet aerobike para shtatzanisë, mund t’i vazhdoni ato edhe gjatë saj. Mund të themi pa ngurrim se shumë probleme për ju dhe fëmijën gjatë shtatzanisë mund të vijnë si pasojë e një jete të ndenjur e pa lëvizje si, për shembull, tensioni i lartë gjatë shtatzanisë.


Punësimi

Nëse keni një punë jo të lodhshme, me pak lëvizje, mund të vazhdoni të punoni normalisht gjatë shtatzanisë. Punësimi që kërkon aktivitet të shprehur fi zik dhe lodhje trupore, kërkon vlerësim të kujdesshëm nga mjeku i familjes dhe ai gjinekolog, për të vendosur vazhdimin e mëtejshëm. Duhet pasur parasysh që çdo grua ka gjendje shtatzanie të ndryshme dhe tolerancë të ndryshme ndaj aktivitetit fizik.

Aktiviteti fizik rrit nevojën për oksigjen të nënës dhe rrit punën e zemrës, duke ulur në të njëjtën kohë prurjen e oksigjenit në placentë, për pasojë ulet oksigjeni për bebin.

Nga ana tjetër, studimet kanë treguar se pesha e bebeve të lindura nga nëna që bëjnë punë të rënda, është deri në 400 gram më e vogël se ajo e bebeve, nënat e të cilave bëjnë punë normale, apo nuk kanë punuar fare. Kjo shpeshtësi është 20 herë më e lartë tek nënat që punojnë në fushë. Gjithashtu, nëse keni punë me qendrim të gjatë në këmbë, jeni në rrezik më të madh për lindje para kohe, se sa gratë me punë të tjera.

Është mirë që t’i shmangni punët e rënda, dhe t’ju sigurohen periudha të përshtatshme pushimi gjatë ditës. Nëse keni pasur probleme dhe komplikacione gjatë shtatzanive të mëparshme, duhet të shmangni punët fizike.


Udhëtimet

Udhëtimi me tren, avion apo me makinë, nuk ka efekte të dëmshme gjatë shtatzanisë, më i dëmshëm mund të jetë largimi nga mjeku, i cili ndjek shtatzaninë. Natyrisht udhëtimet e gjata duhet të bëhen me leje të mjekut dhe mbasi të jenë marrë masat e duhura për çdo lloj problemi që mund të rezultojë gjatë udhëtimit. Çdo gjë do varet edhe nga mosha e shtatzanisë në momentin e udhëtimit.

Kujdes duhet në rastet e udhëtimeve me makinë, kur rrugët nuk janë në gjendje të mirë. Në këto raste rekomandohet një shpejtesi mesatare dhe shmangia e sipërfaqeve të thyera (gropa etj).


Banjat

Gjatë shtatzanisë banjat janë më se të rekomandueshme. Vetëm në tremujorin e tretë nuk rekomandohen banjat në vaskë me ujë shumë të ngrohtë, sepse mund të sjellin marrje mendsh dhe gjendje të fikëti.


Veshja

Gjatë shtatzanisë rekomandohen veshje të lehta, praktike dhe të rehatshme. Nuk duhen të përdoren veshje të shtrënguara, por sa më të lirshme, sepse pengohet qarkullimi i mirë i gjakut.

Veshjet këshillohen të jenë prej pambuku, dhe rritja e masës së gjoksit, kërkon përdorimin e të brendshmeve të lirshme, me numër më të madh se më parë dhe prej pambuku, gjithashtu.

Nuk këshillohen këpucë me taka të larta apo të ngushta. Ato duhet të jenë sa më të rehatshme, për të mos e bërë ecjen të lodhshme.


Probleme të tretjes dhe të jashtëqitjes

Gjatë shtatzanisë jashtëqitja fillon të çrregullohet, si pasojë e lëshimit të muskulaturës së lëmuar, shtypjes së mitrës mbi zorrën e trashë në fillim të shtatzanisë dhe nga pjesa e paraqitur në fund të saj. Përveç bezdisjes së shkaktuar nga kapsllëku, kalimi i materialeve të forta fekale nëpër zorrën e trashë mund të shkaktojë çarje të dhimbshme të saj dhe të japë hemorragji nga zorra e trashë.

Nëse nuk keni pasur probleme të tilla gjatë shtatzanisë, mund ta shmangni këtë gjendje me shtimin e lëngjeve, ushtrimeve jo të rënda fizike, dhe kur është e nevojshme me laksativë (ilaç kundër kapsllëkut) të lehtë.


Marrëdhëniet seksuale

Ka gjithmonë një dyshim në opinionet e popullit se marrëdhëniet seksuale gjatë shtatzanisë mund të shkaktojë aborte apo lindje para kohe. Natyrisht nëse mbas një kontakti të tillë vërehen hemorragji vaginale apo dhimbje të forta të barkut, ky rrezik bëhet i dukshem.

Në fakt, mendimi se kontaktet seksuale gjatë shtatzanisë janë të dëmshme për ju apo fëmijën, duhet të zhduket një herë e përgjithmonë. Kontaktet janë të ndaluara vetëm në rastet kur rreziku për abort apo lindje para kohe është i vërtetuar nga mjeku specialist gjinekolog.

Pranohet gjerësisht nga të gjithë specialistët se për gra të shëndetshme dhe shtatzani pa rrezik, marrëdhëniet seksuale nuk janë të dëmshme.

Edhe në muajt e fundit të shtatzanisë, marrëdhëniet seksuale nuk janë të ndaluara. Megjithë studimet e shumta, nuk është gjetur lidhje midis lindjes para kohe dhe shpeshtësisë së kontakteve seksuale. I vetmi problem mbetet gjetja e pozicionit të duhur, sidomos në muajt e fundit të shtatzanisë.


Shpëlarjet vaginale

Shpëlarjet vaginale mendohet të përdoren vetëm kur janë të domosdoshme, sepse shpesh mund të jenë të dëmshme, ndonjëherë edhe nga keqpërdorimi nga vetë gratë. Ato përdoren kur ka sekrecione të shtuara vaginale, të cilat tregojnë për një infeksion vaginal dhe të rekomanduara nga mjeku.

Sidoqoftë nuk duhet përdorur “poire” (pompë, e cila çon material të lëngët me presion) llastiku, dhe nuk duhet të futet kanjula (maja e kësaj pompe) më thellë se 6-7 cm brenda në vaginë.


Kujdesi për dhëmbët

Mjaft protokolle të ndjekjes para lindjes përfshijnë edhe kontrollin rutinë të dhëmbëve. Koncepti se shtatzania e rëndon prishjen e dhëmbëve, ende nuk është i vërtetuar.

E vetmja gjë që dihet me siguri është që gjatë shatzanisë ju keni më shumë nevojë për kalcium, mungesa e të cilit mund të sjellë dëmtime të dhëmbëve.

Procedurat normale me anestezi lokale mund të kryhen gjatë shtatzanisë pa problem, ndërsa ndërhyrjet më të vështira të cilat kërkojnë anestezi më të thellë, është mire të shtyhen për tremujorin e dytë të saj.

Në rastet e infeksioneve të rënda të dhëmbëve, të quajtura absese, trajtimi me antibiotikë është i domosdoshëm, por ky i fundit duhet të zgjidhet në bashkëpunim me gjinekologun.

 


Kujdesi për gjoksin dhe barkun

Kujdesi për thithat e gjirit është trajtuar edhe më sipër, edhe rëndësia e tij gjithashtu. Ndërsa përdorimi i kremrave të ndryshëm për lyerjen e gjirit apo barkut për të parandaluar striet (të çarat e lëkurës), nuk është i provuar nga asnjë studim shkencor.

Ato nuk bëjnë dëm, sidoqoftë, por janë të kushtueshme për ekonominë e familjes. Në përgjithësi përhapja e këtyre strieve përputhet me rritjen e mitrës dhe shtesën në peshë të nënës. Këtu duhen pare edhe mundësitë e parandalimit të tyre.

Tani po diskutohet gjithnjë e më shumë se rritja e konsumit të lëngjeve nga gruaja shtatzënë, luan një rol shumë të madh në parandalimin e strieve, madje shumë më tepër se kremrat apo vajrat nga më të kushtueshmet.


Duhani

Nënat të cilat pijnë duhan gjatë shtatzanisë, lindin fëmijë me peshë më të vogël se sa pjesa tjetër e popullatës.

Monoksidi i karbonit dhe nikotina, të cilët janë përbërësit kryesorë në përmbajtje të duhanit, janë shkak për efektet negative tek bebi. Krahasuar me grate të cilat nuk pijnë duhan, nëse pini, ju jeni më të rrezikuara të bëjnë aborte spontane, plasje para kohe të membranave, hemorragji gjatë tremujorit të dytë apo të tretë të shtatzanisë, si dhe prapa-mbetje të zhvillimit fizik të bebit.


Alkooli

Është e provuar që përdorimi i alkoolit gjatë shtatzanisë është mjaft i dëmshëm dhe këshillimi para lindjes konsiston në ndalimin e plotë të tij gjatë kësaj kohe.

Përbërësit e pijeve alkolike e kalojnë barrierën e placentës dhe shkojnë direkt në gjakun e e bebit. Etanoli ka rezultuar shumë i rrezikshëm, sidomos në tremujorin e parë të shtatzanisë.

Efektet që alkooli mund të japë tek bebi janë:

• Prapambetje e zhvillimit të bebit në bark

• Keqformime të fytyrës

• Çrregullime të sistemit nervor qendror

Për fat të mirë këto efekte pushojnë së vepruari, menjëherë sapo të ndaloni marrjen e alkoolit.


Droga

Përdorimi kronik i drogave është mjaft i rrezikshëm gjatë shtatzanisë, sidomos për bebin dhe mirërritjen e tij.

Vuajtja kronike brenda barkut të nënës, nënpesha, vdekjet para lindjes, janë disa nga komplikacionet serioze që shkakton përdorimi i drogave dhe janë të dokumentuara mirë.

Na duhet të theksojmë gjithashtu se midis grave që përdorin narkotike, shkëmbimet e shpeshta të shiringave, çojnë në 50% mundësinë e infektimit të bebit nga virusi HIV (SIDA) apo hepatiti B.


Kafeina

Nga të gjithë specialistët rekomandohet kufizimi i përdorimit të kafeinës gjatë shtatzanisë, megjithëse deri tani nuk është vënë re ndonjë veprim i dëmshëm i saj ndaj bebit.


Ilaçet

Me përjashtime të rralla, çfarëdo lloj ilaçi që përdoret tek ju, e kalon placentën dhe për pasojë arrin tek bebi. Prandaj ju nuk duhet të merrni asnjë lloj ilaçi, pa marrë mendimin e specialistit (gjinekologut).

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë




Shto Koment

kthehu
Kontakt
© Beba Ime 2010. Kjo uebfaqe përmban informata të një natyre të përgjithshme dhe është e dedikuar vetëm për nevoja edukative. Nëse keni shqetësime për shëndetin tuaj apo për shëndetin e fëmiut tuaj, duhet gjithmonë të konsultoheni me mjekun apo me personel tjetër profesional medicinal.