Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Ushqyerja me gji e të lindurit parakohe

“Nëna kangur”

Qumështi që prodhon një nënë e cila e ka lindur fëmijën para kohe, ka përbërje të ndryshme nga qumështi i nënës që e ka lindur fëmijën në kohë të vet. Ky qumësht i përgjigjet kërkesave ushqimore që ka vetë fëmija i lindur para kohe. Dhe në fakt, ky qumësht është më i pasur me proteina dhe kripëra minerale (i linduri para kohe ka më shumë nevojë për këto lëndë).

Nga ana tjetër, fëmija i lindur para kohe ka shumë më tepër nevojë për qumështin e nënës, se sa fëmija i lindur në kohë të vet:

• Fëmijët e lindur parakohe janë shumë më të prekshëm prej infeksioneve dhe qumështi i nënës i pasur me trupa mbrojtëse i ndihmon ata të mbrohen më mire prej mikrobeve të mjedisit.

• Fëmijët e lindur parakohe, nuk e asimilojnë mirë qumështin artificial, ndërkaq që e tresin dhe e thithin mirë qumështin e nënës.

• Fëmijët e lindur parakohe, megjithëse u nevojitet mjaft qumështi i nënës, mund të mos kenë të zhvilluar aq sa duhet thithjen e gëlltitjen (sidomos kur kanë lindur më parë se sa java e 34-t e shtatzanisë) dhe kanë vështirësi në kapjen e gjirit.

Të gjitha këto vështirësi shumohen, nëqoftëse fëmija pastaj ka ndonjë problem, është ende i sapolindur (në ditët e para të jetës) etj. Për këto arsye shpesh herë, ushqyerja e fëmijës realizohet ose me një tub që vendoset në stomakun e bebit, ose me biberon. Nuk është e thënë që të përdorim qumësht artificial, kur i linduri para kohe duhet të ushqehet me këto mënyra, sepse mund të shfrytëzohet qumështi i nënës i shtrydhur, derisa fëmija të jetë në gjendje të thithë vetë nga gjiri i nënës.

Nëna, në ditët e para pas lindjes së një fëmije të parakohshëm, është vërtet e çorientuar, por është vërtet po aq e rëndësishme që ajo të fillojë të shtrydhë gjirin, për të nxitur prodhimin e qumështit më tej. Nga ana tjetër, dhënia e qumështit të vet fëmijës është një motiv I rëndësishëm për të mbajtur gjallë atë, që pa frikë do ta quanim gëzim të jetës, duke zvogëluar ndjenjën e pafuqisë dhe të përjashtimit në kujdesin e fëmijës.

Të lindurit pas javës së 34-t të shtatzanisë, janë shpesh të aftë të marrin gjirin dhe të ushqehen nëpërmjet tij; mbështetja dhe nxitja nga ana e punonjësve të maternitetit të kësaj gjëje do të ishte thelbësore për suksesin e ushqyerjes me gji. Por shumë nga këta punonjës nuk janë të bindur se është vërtet e mundur ushqyerja me gji tek fëmijët tetanikë. Jo vetëm tetanikët, por edhe fëmijët e lindur në një moshë barre më të vogël janë në gjendje të thithin dhe të ushqehen prej gjirit të nënës.

Vëzhgimet e bëra nga disa studiues, në disa vende të botës, kanë treguar se mbajtja e fëmijës me peshë të vogël në gjinjtë e nënës (të ashtuquajturat “Nëna kangur”), ndihmon edhe fëmijë shumë të vegjël (me peshë 1000g), jo vetëm të ushqehen mirë, por edhe të mbahen më ngrohtë e të kenë më pak probleme me frymëmarrjen e tyre.