Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Dhëmbja gjatë aktit seksual

Ndonjëherë raportet seksuale mund të jenë të dhëmbshme duke sjellë si pasojë reduktim të numrit të tyre, ankth, depresion, anoorgazmi, sterilitet dhe kriza në çift. Kjo dhëmbje gjatë aktivitetit seksual normal, mund të lidhet me hyrjen e vaginës, me vaginën dhe me pjesën e brëndshme ku mbështeten organet gjenitale, që bazën e saj e ka në fundin e barkut.E quajtur me term mjekesor quhet dispareuni.

Ka raste kur kjo dhëmbje mund të ndodhë vetëm një herë, por edhe raste të tjera që mund të përsëriten (kronitizohet) dhe në këtë rast duhet kërkuar pa tjetër konsulta mjeksore.

Shkaqet e dispareunisë po i rendis si më poshtë:

- Cikatricat dhe traumat e pas lindjes, siç janë epiziotomitë apo laçeracionet dhe ndërhyrjet kirurgjikale vaginale.

- Ulja e elasticitet të mureve të vaginës dhe distrofia e tyre e lidhur kjo me moshën.

- Infeksionet e gjëndrave të Bartolonit (dy gjëndra të vendosura në anët e organeve të jashtme gjenitale që shërbejnë për të lubrifikuar hyrjen në vaginë).

- Vaginitet dhe vulvitet (infeksionet e vaginës dhe vulvës).

- Një reduktim i lubrifikimit të vaginës.

- Endometriozat.

- Infeksionet pelvike dhe aderencat.

- Shtatzënënia jashtë mitre.

- Infeksionet urinare.

- Sëmundejt kronike të zorrëve,

- Sëmundjet e mitrës dhe të vezoreve.

- Shkaqe psikologjike.

Në bazë të lokalizimit të dhëmbjes, dispareunia mund të jetë e sipërfaqshme kur shqetësimi vjen në hyrje të vaginës apo në vaginë dhe dispareuni e thellë kur dhëmbja lokalizohet në fund të barkut. Në rastet e dispareunisë sipërfaqësore shkaku më i shpeshtë janë infeksionet e vulvës apo vaginës, infeksionet e vijave urinare, disa anomali anatomike të himenit apo cikatricat e krijuara pas lindjes.

Në moshë të re më tepër mundësi për disparauni i lihet anomalive anatomike të himenit dhe të vaginës, ndërsa me kalimin e viteve dispareunia vjen kryeisht nga sëmundjet e pelvisit, të mitrës dhe të vezoreve, nga distrofia e mukozës vulvo vaginale, deficitet e lubrifikimit apo nga interventet kirurgjikale që mund të bëhen me rrugë vaginale.

Nëse dhëmbja vjen nga pozicionet e ndryshme gjatë seksit, është vështirë që të thuhet që është shkak i një infeksioni vaginal, por më tepër mundësi ka ekzitenca e një sëmundje të organeve pelvike.

Midis shkaqeve psikogjene bën pjesë vaginizmi, që paraqitet rrallë por, që është më tipiku dhe ndodh edhe tek gratë e reja. Karakterizohet me spazma të muskujve perivaginalë, perinealë me bazë ankthin. Këto spazma mund të bëjnë shumë të vështirë penetrimin, ndoshta edhe të pa mundur. Shpesh shoqërohen edhe me një lubrifikim mjaft të pakët ose edhe pa lubrifikim. Herë herë ky ç’rregullim mund të paraqesë dhe një infeksion, që në këtë rast është në karakter sekondar.

Duhet të ndalojmë gjithshtu në disa forma mjaft difuze të dispareunisë, që janë të lidhura me distrofinë e mukozave vulvo-vaginale apo me varësi nga deficiti i lubrifikimit.

Distrofia është tipike në menopauz dhe në moshën post menopauzale, që lidhet me defiçitin e estrogenëve por jo vetëm. Me të është e lidhur edhe mosha si dhe faktorët konstitucional dhe imunologjike. Mukozat bëhen rigide, të thyeshme jo elastike dhe jo rezistente kundrejt traumave. Në dukje, bëhen më të bardha në ngjyrë.

Në distrofitë vaginale përdorimi i estrogenëve lokalë, fitoestrogeneve, produkteve hidratuese, lubrifikantëvedhe vitaminës E kanë efekt mjaft pozitiv.

Në distrofitë vulvare kanë gjetur përdorim të madh preparatet me bazë androgenësh dhe kortizoni si dhe produktet lubrifikant që e lehtësojnë raportin seksual. Duhet mbajtur parasysh që një pjesë e produkteve siç janë xhelët lubrifikues, nuk kanë asnjë kundërindikim dhe mund të përdoren gjatë gjithë kohës që dëshiron çifti. Ndërsa pjesa tjetër e terapive që u përshkrua më lartë, mund të bëhen për disa muaj dhe përdoren gjithmonë nën përshkrimin e recetave mjeksore pasi mund të kenë problem dhe efekte anësore.

Lubrifikimi vaginal është mjaft i rëndësishëm, për të patur raport seksual të pëlqyeshëm. Ndjenja e lagështirës gjatë raportit seksual varet nga sekrecioni i prodhur nga dy gjëndra të vogla të vendosura në afërsi të hyrjes së vaginës, që janë gjëndrat e Bartolinit. Sëmundjet inflamatore dhe defiçiti i estrogenëve, pjesërisht mund të ndërhyjnë të ulin funksionin e këtyre gjëndrave. Por shkaku më i shpeshtë, është stimulimi jo i mirë nervor.

Në fakt këto gjëndra funksionojnë nën stimujt nervor që vijnë nga eksitimi, nga dëshira seksuale. Në mungesë të këtij komponenti të rëndësishëm, sekrecioni i tyre do të jetë i pakët ose nuk do të jetë fare.

Raportet jo të dëshëruara apo raportet emotive, raportet që vijnë nga një kohë e pamjaftueshme për përgatitjen e pentrimit (siç janë përkedhelitë dashurore), kanë treguar se shpesh raportet seksuale kanë qënë të dhëmbshme.

Përkëdhelitë dashurore bëhen të rëndësishme pas moshës 50 vjeçare, kur koha midis eksitimit dhe pikut maksimal të sekrecioneve vaginale është progresivisht e zgjatur. Lidhja e ngushtë midis sekrecionit dhe reagimeve nervore, shpjegon edhe lubrifikimin jo të mirë shpesh herë të thatë dhe shpesh me problem psikologjike dhe seksuale mjaft komplekse.

 

Obst-Gyn Mimoza Keta
Janar 2011