Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

/pyet-gjinekologun

Dhëmbje gjatë aktit seksual

Përshëndetje e nderuar,


Gjatë marrëdhënjeve intime kam dhembje nv organin seksual dhe në bark, prej çka rrjedh kjo dhe çka duhet të ndërmar? Ju faleminderit, me të mira, Shkurta.

Shkurta (14 vite më parë)

MD Mimoza Keta - obstetre - gjinekologe
Gjinekologja përgjigjet
MD Mimoza Keta

Ndonjëherë raportet seksuale mund të jenë të dhëmbshme duke sjellë si pasojë reduktim të numrit të tyre, ankth, mos kënaqësi seksuale, sterilitet dhe deri kriza në çift. Kjo dhëmbje gjatë aktivitetit seksual normal, mund të lidhet me problemet në hyrjen e vaginës, me vaginën dhe me pjesën e brëndshme ku mbështeten organet gjenitale që bazë të tyre kanë fundin e barkut. Me term mjeksor quhet dispareuni.

Shkurta, më mungon anamneza jote, vizita gjinekologjike dhe disa ekzaminime specifike, prandaj nuk mund të them se nga se të shkaktohet ty kjo dhëmbje gjatë aktit seksual. Shkaqet e dispareunisë janë të ndyshme.

Në moshë të re, më tepër mundësi për dispareuni i lihet anomalive anatomike të himenit dhe të vaginës, ndërsa me kalimin e viteve dispareunia vjen kryesisht nga sëmundjet e pelvisit, të mitrës dhe të vezoreve, nga distrofia e mukozës vulvo-vaginale, deficitet e lubrifikimit apo nga interventet kirurgjikale që mund të bëhen me rrugët vaginale.

Nëse dhëmbja vjen nga pozicionet e ndryshme gjatë seksit, është vështirë që të thuhet së shkaku është infeksioni vaginal por, më tepër mundësi ka ekzitenca e një sëmundje të organeve pelvike.

Midis shkaqeve psikogjene bën pjesë vaginizmi, që ndodh jo rrallë e kryesisht tek gratë e reja. Karakterizohet me spazma të muskujve perivaginalë dhe perinealë, që ka bazë ankthin. Spazmat mund të bëjnë shumë të vështirë penetrimin ndoshta edhe të pa mundur. Shpesh shoqërohen edhe me lubrifikim mjaft të pakët ose edhe pa lubrifikim. Këtë ç’rregullim mund të paraqesë dhe një infeksion, që në këtë rast është me karakter dytësor.

Për moshën e menopauzës dhe post menopauzës, situata paraqitet akoma më specifike. Vlerësohet se i gjithë problemi lidhet me defiçitin e estrogenëve për shkak të moshës, faktorëve konstitucional dhe imonologjisë.

Lubrifikimi vaginal është mjaft i rëndësishëm për të patur raport seksual të pëlqyeshëm. Sekrecioni prodhohet nga dy gjëndra të vogla të vendosura në afërsi të hyrjes së vaginës, që janë gjëndrat e Bartolinit. Sëmundjet inflamatore dhe defiçiti i estrogenëve pjesërisht mund të ndërhyjnë në funksionin e këtyre gjëndrave. Në fakt këto gjëndra funksionojnë nën stimujt nervor që vijnë nga eksitimi dhe dëshira seksuale. Në mungesë të këtij komponenti të rëndësishëm, sekretimi i tyre do të jetë i pakët ose nuk do të jetë fare.

Ka raste kur kjo dhëmbje mund të jetë vetëm një herë në disa kohë, por edhe raste të tjera që mund të kronitizohet (të behët e vazhdueshme, e përhershme), dhe në këtë rast duhet kërkuar pa tjetër një konsultim mjeksor.

Shkurta, u përpoqa të tregoj në përgjithësi mbi dhëmbjet gjatë aktit seksual. Mbetem me shpresë që të kem qënë e kuptueshme duke të këshilluar, kontrollohu tek gjinekologu për të përcaktuar shkakun e dhëmbjeve gjatë aktit seksual.

/komuniteti