Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Gonorrea gjatë shtatzënisë

Çfarë është gonorrea?

Gonorrea mund të shërohet me antibiotikë të cilët janë të sigurtë për përdorim gjatë shtatzënisë

Gonorrea është infeksion serioz, që shkaktohet nga bakteria gonokok, e cila mund të shërohet, ndërsa bartet me anë të seksit oral, anal apo vaginal, ashtu që nëna e infektuar mund ta infektojë foshnjen gjatë lindjes. Periudha e inkubimit (koha prej momentit kur infektohet organizmi gjer në paraqitjen e simptomeve të sëmundjes) zgjat 2-10 ditë pas ekspozimit ndaj infeksionit.

Gonorrea është sëmundja më e shpeshtë bartëse, kështu që nëse nuk mbroheni nga partneri i infektuar, mundësitë janë shumë të medha për tu infektuar edhe ju. Sipas disa hulumtimeve, mbi 700.000 njerëz në Amerikë ishin të infektuar në vitin 2007, duke përfshirë këtu rreth 13.200 gra shtatzëna.

Si ndikon gonorrea në shtatzëni?

Gratë të cilat infektohen me gonorre gjatë shtatzënisë, janë të ekspozuara ndaj një rreziku shumë të madh për abort, për infektim të lëngut amniotik, lindjes së parakohëshme, këputje e parakohëshme e membranave para terminit të lindjes, megjithatë shërimi i shpejtë, zvogëlon rrezikun nga paraqitja e këtyre problemeve. Nëse gonorrea nuk shërohet, ju bëheni të ndjeshëm ndaj virusit HIV dhe rritet rreziku nga infeksioni i mitrës pas lindjes.

Nëse jeni infektuar me gonorre gjatë lindjes, mund të bartni bakterien në foshnje. Gonorrea tek të posalindurit, zakonisht bartet në sy, dhe nëse nuk shërohen, foshnjat mund të verbohen.

Rekomandohet që foshnjat menjëherë pas lindjes, të shërohen me anë të kremave apo pikave për sy, si masa preventive. Nëse nëna është në dijeni që është e infektuar me gonorre apo që foshnja ka infektim të syve me gonorre, atëherë sistematikisht do të shërohet me antibiotikë.

Rrallëherë ndodh që infeksioni me gonorre tek foshnja të mos shërohet, dhe të zgjerohet në organe të tjera, duke shkaktuar kështu infeksion të nyjeve dhe meningjit.

Cilat janë simptomet e gonorresë?

Shumë gra të infektuara me gonorre nuk kanë simptome, kështu që nëse nuk testohen nuk do të jenë në dijeni që janë të infektuara.

Simptomet, nëse janë të pranishme, janë të ndryshme dhe mvaren nga vendi i infeksionit. Nëse është infektuar qafa e mitrës, vagina dhe uretra (kanali i urinës), simptomet janë rritja e sekreteve vaginale, djegësima dhe dhembjet gjatë urinimit, gjakrrjedhja dhe dhembja gjatë marrëdhënieve seksuale. Tek infeksionet anale, ndoshta do të keni sekret të shtuar, kruarje apo dhembje në stomak.

Nëse aplikoni seks oral me partnerë të infektuar, mund të infektoni buzët dhe fytin me gonorre. Simptomet janë skuqja dhe dhembja në këto zona.

Nëse sytë tuaj janë të infektuar me këtë bakterie (psh. nëse prekni organin gjenital të partnerit tuaj, dhe më pastaj prekni sytë tuaj), sytë mund të infektohen ndërsa simptomet janë qelbi, kruarja dhe skuqja e syve.

Cilët janë rreziqet nëse gonorrea nuk zbulohet dhe nuk shërohet?

Nëse nuk shërohet, gonorrea mund të zgjerohet dhe mund të shkaktojë probleme serioze të përcjella me simptome. Para dhe pas shtatzënisë, gonorrea mund të zgjerohet në mitër dhe në qelizën vezë, duke shkaktuar pezmatim të legenit, ndërsa simptomet janë dhembjet në fund të barkut, marrëdhënie seksuale me dhembje, gjakrrjedhje vaginale, ethe dhe neveri.

Është e mundur të keni pezmatim të legenit gjatë shtatzënisë, por kjo ndodh rrallë. Pezmatimi i legenit mund të lë pasoja, si dëmtim kohëgjatë të kanalit vezorë dhe të shpie në dhembje kronike të legenit, sterilitet dhe shtatzëni jashtë mitres nëse jeni shtatzënë.

Në raste të rralla, bakteria mund të hyjë në gjak dhe të shkaktojë gjendje serioze siç është infeksioni gonokok. Nëse kjo ndodh, simptomet janë, ethet, dridhjet, plagët në lëkurë, infeksione dhe dhembje në nyje. Problemet tjera të cilat mund të paraqiten janë pezmatimi i mëlçisë, dhe në raste shumë të rralla, meningjiti dhe infeksioni i zemrës. Kjo mund të lajmërohet tek secili, i cili nuk shëron gonorrenë, dhe më shpesh lajmërohet tek gratë sesa tek meshkujt, dhe si duket më shpesh lajmërohet gjatë shtatzënisë.

A do të ketë partneri im simptomet të infeksionit?

Me gjasë do të ketë simptome. Për dallim nga gratë, shumica e meshkujve kanë simptome, e ato janë ndjenja jo e këndshme dhe dhembja gjatë urinimit, sekreti nga penisi dhe testise të fryrja, të ndjeshme në prekje.

Nëse partneri juaj, ka cilindo nga këto simptome, duhet menjëherë ti drejtohet mjekut. Ju dhe partneri juaj duhet të testoheni për gonorre sa më parë dhe domosdoshmërisht të shëroheni.

Në ndërkohë, nuk duhet të praktikoni marrëdhënie seksuale. Në rast se njëri partner është pozitiv, apo që të dy janë pozitivë, nuk duhet të praktikoni marrëdhënie seksuale derisa të përfundoni me shërimin.

A do të testohem për gonorre gjatë shtatzënisë?

Ndoshta do të testoheni gjatë shtatzënisë. Preferohet që shtatzëna nëse jeton në rreth ku infeksioni është relativisht i përhapur, atëherë në atë rreth edhe ato janë të ekspozuara ndaj rrezikut, dhe duhen të testohen për gonorre, gjatë vizitës së parë të shtatzënisë tek mjeku dhe përsëri në tremujorin e tretë të shtatzënisë nëse janë ende nën ekspozim ndaj rrezikut.

Vajzat seksualisht aktive, të cilat janë nën moshën 25 vjeç, janë më të rrezikuarat nga infeksioni. Faktorët tjerë të rrezikut janë infeksioni paraprak me gonorre, sëmundjet e transmetueshme seksualisht, përvoja me partnerë të rinj apo me më shumë partnerë, prostituimi, mospërdorimi i kondomëve dhe përdorimi i drogës. Njerëzit të cilët nuk i përkasin racës së bardhë dhe janë të statuseve më të dobëta social-ekonomikë, janë të ekspozuar rrezikut më të madh nga infeksioni.

Nëse mendoni që egziston mundësia që edhe ju jeni të infektuara me gonorre apo ndonjë sëmundje tjetër seksualisht të transmetueshme, duhet menjëherë ti drejtoheni mjekut dhe të testoheni. Do të testoheni në çfarëdo periudhe të shtatzënisë nëse ju apo partneri juaj keni simptome gjatë shtatzënisë apo nëse keni ndonjë sëmundje tjetër seksualisht të transmetueshme, sepse ato zakonisht manifestohen së bashku.

Nëse testoheni për gonorre, gjinekologu do të merr nga ju një mostër sekreti nga qafa e mitrës dhe do ta dërgojë për analiza laboratorike. Ndonjëherë verifikohet edhe mostra e urinës.

Nëse testi është pozitiv në gonorre, menjëherë duhet të filloni mjekimin. Duhet ti bëni edhe disa teste tjera që të shikohen nëse keni ndonjë sëmundje tjetër bartëse. Do ta bëni testin e gonorresë pas 2-3 muajve (ndoshta edhe më herët nëse keni simptome) dhe përsëri në tremujorin e tretë të shtatzënisë që të vërtetoni përsëri që nuk jeni të infektuara.

Si shërohet gonorrea gjatë shtatzënisë?

Gonorrea mund të shërohet me antibiotikë të cilët janë të sigurtë për përdorim gjatë shtatzënisë. Partneri juaj poashtu mund të shërohet me antibiotikë dhe duhet të përmbaheni nga marrëdhëniet seksuale derisa të përfundoni me shërimin në mënyrë që të mos infektoheni përsëri.

Nëse keni më shumë sëmundje bartëse, mjeku juaj do ti shërojë të gjitha njëkohësisht. (Rreth 40 % e grave të cilat janë të infektuara me gonorre, janë të infektuara edhe me klamidia poashtu.)

Si mund ti shmangem infeksionit me gonorre?

Të praktikuarit e marrëdhënieve seksuale me partnerin e njejtë për një kohë të gjatë, i cili nuk është i infektuar dhe i cili praktikon marrëdhënie vetëm me ju. Përdorni kondomë nga lateksi gjatë marrëdhënieve në mënyrë që të zvogëloni rrezikun nga gonorrea dhe nga sëmundjet tjera bartëse. (Tabletat, injeksionet, implantet kontraceptive apo unazat vaginale, diafragmat dhe preparatet kontraceptive nuk mund të ju mbrojnë nga gonorrea dhe nga sëmundjet tjera seksualisht të transmetueshme.)

Mbani në mend, që nëse jeni të ekspozuara ndaj rrezikut nga gonorrea apo nga sëmundje të tjera seksualisht të transmetueshme, menjëherë lajmëroni mjekun në mënyrë që të testoheni dhe të shëroheni nëse është e domosdoshme.