Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Si ta bëni fëmijën që të ju dëgjojë

Një nga fjalitë më të shpeshta të dëgjuara nga prindërit është “nuk më dëgjon fare”. Në fakt, kur mund të themi që fëmija nuk ju dëgjon? Zbuloni kur duhet të filloni me edukimin i cili do të ketë kuptim sa për ju aq edhe për fëmijën tuaj.

Gjer në moshën 2 vjeç fëmija nuk është i vedijshëm për jodëgjueshmërinë e tij, then rregulla nga mosdija. Pikërisht për këtë arsye nuk vlejnë qortimet e prindërve, ku në këtë periudhë detyra më e rëndësishme e tyre është të parandalojnë lëndimet fizike të fëmijës.

Rreth moshës 3-4 vjeç fëmija mund të kuptojë marrëdhënien në mes të shkakut dhe pasojës (nëse e bëj këtë, mund të ndodh…) dhe kjo i ndihmon të kuptojë se përse i lejohet ti bëjë disa gjëra dhe disa jo. Të kuptuarit e shkakut dhe pasojës paraqet hapin e parë kah adoptimi progresiv i standardeve familjare dhe formimi i asaj që mund ta quajmë “vedije” për detyrat vetanake dhe kufizimet. Për këtë arsye, tek pas këtij momenti, mund të flisni për mosdëgjim si sjellje e vedijshme e rregullave të percaktuara.

Cilin model edukativ duhet zgjedhur?

Pas moshës 2 vjeç, është koha për vendosjen e rregullave të para, të thjeshta, të cilat do ti mundësojnë fëmijës të mësojë se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe për prindërit e tij. Pas kësaj, me ndihmën e sqarimeve të nënës dhe babait dhe përvojës personale, do të kuptojë se përse disa sjellje vlerësohen si pozitive dhe disa jo. Megjithatë, kjo vendosje e thjeshtë e rregullave nuk është e mjaftueshme që ato të respektohen dhe shpesh do të jetë i nevojshëm ‘konflikti’ me vogëlushin tuaj, i cili, me thyerjen e rregullave, dëshiron të shfaq pavarësinë personale.

Prindërit shpesh dyshojnë në aftësitë personale dhe drejtësinë e masave edukuese të cilat i zbatojnë. Më së shpeshti vërejmë që prindërit zbatojnë modele nga fëmijëria e tyre, madje edhe nëse përballen me validitetin e skemave të mësuara nga familjet nga të cilat vijnë.

Megjithatë, gjëja themelore dhe më e rëndësishme është respektimi i natyrës personale dhe instiktit individual, duke shmangur metodat të cilat nuk i njohim. Në këtë mënyrë, prindërit e kanë më të lehtë të jenë koherent në sjelljet e tyre ndërsa fëmija ti besojë kur thotë diçka.

Çfarë është sjellja e drejtë?

Ja disa rregulla të cilat mund të ju ndihmojnë të krijoni dhe të mbani autoritet tek fëmija:

Mos krijoni shumë rregulla: është jo reale të prisni nga fëmija 3-4 vjeç të sillet sikurse një i rritur. Më së miri është ti mbani disa rregulla të thjeshta, të cilat janë të lehta për ti respektuar.

• Mos i ndryshoni apo improvizoni rregullat në mënyrë konstante: fëmija ka kujtesë të shkëlqyer dhe nëse i lejohet diçka sot, e cila i është ndaluar dje, ai mund të mendojë që rregullat nuk janë edhe aq të rëndësishme.

• Shmangni kërkesat të cilat duhen përmbushur po në atë moment (“shko pastroj duart”, “ulu menjëherë në tryezë”) nëse fëmija është i zënë me lojën. Ky urdhër me siguri do të shkaktojë ndonjë thyerje dhe sfidë që vë në pyetje autoritetin e prindit. Është më e mençur ti jepni fëmijës kohë “edhe një gjiro dhe ikim në shtëpi”.

• Kur fëmijës i urdhëroni të bëjë diçka toni duhet të jetë i vendosur dhe i fortë. Humbja e kontrollës dhe të bërtiturat mund ta frikësojnë fëmijën dhe ta bëjnë atë që të ju dëgjojë nga frika, por kjo nuk i kontribon autoritetit.

• Lavdëroni fëmijën kur bën diç të mirë. Nëse fëmija vetëm injorohet edhe për imtësirën më të vogël, do ta ketë më të vështirë të kuptojë dallimin në mes të mirës dhe të keqes.

Dënimet: Po apo Jo?

Gjer në moshën 2 vjeç, fëmija nuk është në gjendje të lidh sjelljen e tij me dënimin. Për këtë arsye kërcënimi se do të jetë i dënuar apo vendosja e dënimit nuk do të bëjë që fëmija të bëhet i dëgjueshëm.

Nga mosha 3-4 vjeç, ky mekanizëm jep rezultatet e para. E rëndësishme është megjithatë ti mbaheni rregullave të caktuara.

• Shmangni dënimet shumë të ashpra të cilat mund të shkaktojnë sjellje negative tek fëmija.

• Mos e kërcënoni fëmijën me dënim të cilin nuk do ta zbatoni. Kjo sjellje mund të shkaktojë mosbesim dhe dyshim tek fëmija.

• Shfaqja e sigurisë në sjelljet vetanale: kur vendosni për dënim, zbatojeni deri në fund. Asnjëherë mos ndryshoni mendim dhe reaksion në mënyrë të papritur.

• Asnjëherë mos përdorni dënim fizik tek fëmijët.