Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Autizmi në Kosovë: Një nënë bën ndryshimin

Dita Botërore e Autizmit, Kosovën këtë vit e gjen me qendër për fëmijët e prekur me këtë sindromë.

Shpresa Xhakli është nënë e fëmijës me autizëm, njëherësh nismëtare dhe financuese e kësaj qendre. Kjo qendër tashmë ka filluar punën e saj me një staf profesional dhe shumë të avancuar.

”Iniciativa për Qendrën e Autizmit ka qenë iniciativë personale. Qendra duke u përgatitur qe një vit. Kam ftuar psikologë nga Amerika... Kam sjellë pajisje dhe kam lëshuar banesën time personale që ta shndërrojmë në klasë për të filluar një program për fëmijët me autizëm”, thotë Xhakli.

Ndërkaq, drejtoresha e Qendrës së Bashkuar për Autizëm, Jeta Deva, thotë se qendra do të ofrojë shërbime të drejtpërdrejta, të cilat do të jenë unike si shërbime, ku do të punojë një terapeut me një fëmijë, pra është një mënyrë shumë e përkushtuar.

”Brenda kësaj qendre jemi gjashtë terapeutë të trajnuar me përvojë të gjatë evropiane. Në këtë qendër, do të bëhen plane individuale dhe varësisht se çka duhet të intervenohet te fëmija, ne do të merremi me atë çështje për të zhvilluar më tej potencialet e tyre. Aty do të mbahet edhe mësimi”, shpjegon Deva.

Zonja Deva thotë se do ta ngrenë zërin dhe do të kërkojnë shtytje institucionale që të bëjnë identifikimi e fëmijëve me autizëm në gjithë Kosovën, në mënyrë që këta fëmijë të kenë mundësi të marrin shërbime të drejtpërdrejta dhe efikase brenda kësaj qendre.

”Ne, gjithashtu, do të bëjmë trajnimin e prindërve, sepse ne e kemi si bazë që prindi është mësuesi më i mirë për fëmijën”, shton Deva.

Por, jo edhe institucionet e vendit do ta kenë prioritet këtë çështje. Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, në Ditën Botërore të Autizmit, zotohet se me problemet e fëmijëve të prekur me këtë sindromë, do të merret si prioritet i punës së tij, por jo edhe të institucionit që ai drejton.

”Ministria e Shëndetësisë këtë problem e ka një prej shumë prioriteteve, por do të ishte jokorrekte sikur të thosha se këtë e kemi prioritet në sistemin shëndetësor, duke e marrë parasysh se me çka përballet shëndetësia kosovare”, deklaron Agani.

Megjithatë, prindërit e fëmijëve me autizëm në Kosovë janë shumë të gëzuar me faktin se tashmë Qendra e Bashkuar për Autizëm do të jetë në shërbim të fëmijëve të tyre.

Violeta Hyseni, nënë e vajzës së prekur me këtë sindromë, thotë se brenda kësaj qendre është një staf shumë profesional që do t’u ndihmojë këtyre fëmijëve në shumë aspekte.

”Tashmë ekziston edhe qendra për fëmijët me autizëm. Është një staf profesional, me terapeutë të trajnuar... Për Ditën Botërore të Autizmit ne jemi organizuar për të sensibilizuar opinionin, sepse nuk kanë shumë informata për autizmin. Thirrja ime për këtë ditë është të bashkuar për autizëm, sepse të bashkuar do të mund të bëhet më mirë për këta fëmijë në të ardhmen”, shprehet Hyseni.

Autizmi është një sindromë që shkakton çrregullime në zhvillimin e fëmijës. Statistikat tregojnë se në botë, një në 150 fëmijë, rezulton i prekur nga kjo sindromë./evropaelire/

beki (11 vite më parë)
Ju pergezoj per punen dhe iniciativen,jam prind dhe ka dyshime se femija im 2 vjeqar mund te jete i prekur nga ky sindrom..kam vizituar disa pediater specialist ne Kosove por nuk eshte definitive se eshte autizem..nga brengosja e prindit per femijen e tij,ju kisha lutur,si dhe ku mund te vizitoj nje ekip kompetent qe merret me kete problematike..pres ndihemen tuaj

/komuniteti