Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Depresioni i paslindjes

05.11.2012 - Ardhja në jetë e një fëmije është eksperienca më e bukur që mund të ndodhë në jetë. Por çfarë ndodh kur gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet? Një lindje e vështirë apo dhe ditët e netët pa gjumë kur fëmija qan vazhdimisht nga dhimbjet e barkut nuk kalojnë pa lënë gjurmë dhe në jetën dhe marrëdhëniet në familje.

Megjithëse eksperiencat nuk i ngjajnë njëra-tjetrës, shumë nëna përjetojnë atë çfarë quhet depresion i paslindjes. Ndryshimet hormonale që ndodhin, por dhe rrethanat individuale dhe sociale mund ta bëjnë akoma më të vështirë këtë ndryshim të madh në jetën e një çifti. Por sipas studimeve më të fundit nuk janë vetëm nënat që e kanë këtë “ekskluzivitet”. Sipas një studimi britanik të Universitetit të Oksfordit, i publikuar në “Journal Psychological Medicine”, rreth 4-5 për qind e meshkujve që sapo janë bërë me fëmijë vuajnë nga depresioni pas lindjes, kundrejt 10 për qind të nënave.

Ekspertët britanikë morën për ekzaminim 38 baballarë të rinj me fëmijë të vegjël rreth 3 muajsh. Gjatë monitorimit u vu re se pas një periudhe të shkurtër që qëndronin vetëm me bebet, një pjesë e meshkujve tregonin shenja të trishtimit kronik, të cilat manifestoheshin përmes mungesës së komunikimit me bebet, madje shpesh duke u përqendruar shumë te vetja duke e lënë pas dore fëmijën e vogël.

Sipas ekspertëve, origjina e kësaj gjendjeje depresioni qëndron te netët e tëra pa gjumë dhe përgjegjësitë e reja. Kjo i bën meshkujt të qeshin dhe të luajnë pak me fëmijët. Si gjithmone eksperienca u vjen në ndihmë jo vetëm nënave, por edhe baballarëve.

Faza e paslindjes sjell gjithmonë vështirësi, por edhe momente të bukura e të paharrueshme, tek të cilat ndoshta duhet të kapemi më shumë për ta kaluar sa më shpejt atë periudhë të vështirë si për nënat ashtu dhe baballarët e rinj./tch/

/komuniteti