Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Gripi dhe të ftohurit gjatë shtatzënisë

01.03.2019 - Gjatë shtatzënisë organizmi juaj pëson ndryshime me qëllim që të mos rrezikohet mirëqenia e bebes suaj. Për këtë arsye ju jeni shumë më e ndjeshme ndaj të ftohurit dhe gripit krahasuar me periudhën para shtatzënisë.

 

Mënyra se si të mbroheni dhe që të mos ftoheni është nëse i ndihmoni sistemit tuaj imunitar që do të thotë:

? Hani ushqim të shëndetshëm me shumë fruta e perime.

? Pini shumë lëngje, çajra bimor dhe lëngje të cilat e furnizojnë trupin tuaj me vitamina dhe minerale.

? Kufizoni maksimalisht pirjen e pijeve të cilat kanë kafeinë dhe të cilat kanë sheqer.

? Pushoni sa herë që e ndjeni se jeni lodhur dhe se keni nevojë për pushim.

? Bëni ushtrime të lehta trupore për të përmirësuar qarkullimin e gjakut që ndihmon në luftimin e infeksionit.

? Mos pini duhan dhe mos qëndroni në vende ku pihet duhani.

 

Gripi dhe të ftohurit ju bën që të ndjeheni tmerrësisht keq. Mund të keni dhimbje të fytit, kolli, zënie të hundëve, kokëdhimbje dhe ethe.

Mos u shqetësoni shumë – pushoni dhe pini shumë lëngje në mënyrë që të mbani hidrimin e organizmit tuaj.

Bebja juaj është e mbrojtur nga viruset, pa marrë parasysh se ju nuk ndjeheni mirë.

Për kokëdhimbje mund të merrni paracetamol (është i sigurt të merret gjatë shtatzënisë). Për të lehtësuar kollitjen pini ujë të vakët ku keni qitur mjaltë dhe limon.

Për të çliruar hundët, lëreni të vlojë uji në tenxhere dhe mbani fytyrën mbi të, për të thithur sa më shumë avull; poashtu mund të provoni që të lëshoni ujin e nxehtë në banje në mënyrë që të mbushet me avull dhe qëndroni aty përreth 10 minuta.

Ndonjëherë shtatzënat janë të brengosura se a ndikon negativisht tek fëmija vaksina kundër gripit sezonal. Jo! Vaksina është e sigurt të merret edhe gjatë shtatzënisë. Në vaksinë ka virus inaktiv, që do të thotë se nuk do të mund të infektoheni prej vaksinës.

Për çdo problem që keni është mirë që të konsultoheni me mjekun tuaj. Nëse shqetësimet vazhdojnë, atëherë mund të jetë e nevojshme që të bëni një kontroll. Ka mundësi që do të ketë nevojë që të merrni ndonjë antibiotik, sepse mjeku mund ta vlerësojë se mund të jenë të nevojshëm.

Viruset e gripit nuk shkatërrohen me antibiotikë, por shpesh mund të ndodhë edhe infeksioni shtesë me baktere, prandaj mund të indikohet marrja e antibiotikut. Mos u bëni merak, sepse ka shumë antibiotikë të cilët janë të sigurt që të merren gjatë shtatzënisë.

Përmbajuni rekomandimit të mjekut për kohëzgjatjen e mjekimit.

Burimi: telegrafi/Dr. Memli Morina

/komuniteti