Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Tema

Shuplaka si formë edukimi

Disiplinimi i fëmijëve është një problem me të cilin përballen të gjithë prindërit e rinj. Disa zgjedhin të edukojnë fëmijët nëpërmjet komunikimit, por kjo nuk është gjithmonë e mundur. Në momentin kur një fëmijë bën kokëfortin, disa prindër vazhdojnë të komunikojnë në përpjekje që ta bëjnë të arsyetojë.

Prindër të tjerë zgjedhin t’i sillen ashpër verbalisht ose ta dënojnë nëpërmjet ndonjë shuplake. Por, cila është mënyra e duhur për të edukuar fëmijët. Ishte pikërisht kjo pyetja që emisioni i “Pasdites” u përpoq t’i jepte një përgjigje në serinë e të hënës.

Jonila Gabrani, nënë e dy vajzave të vogla, Josita Hoxha, nënë e tre djemve dhe psikologia e specializuar tek fëmijët, Enila Cenko, argumentuan në studio mbi metodat e ndryshme të disiplinimit.

Në një lidhje direkte nga shtëpia e saj, në rrëmujën e shkaktuar nga dy binjakë 7-vjeçarë pjesëmarrës në “1001 pse” dhe vëllai i tyre 4-vjeçar, Josita rrëfeu përvojën e saj si “nënë e hekurt”.

“Të rrisësh tre djem është e vështirë, por jo e pamundur. Jam një nënë e lumtur, ndonëse lodhem shumë. Të tre djemtë janë shumë energjikë, ekspresivë dhe impulsivë. Kjo e bën edhe më të vështirë për t’i manaxhuar”, shpjegoi Josita. “Në kopësht dhe shkollë, ata reflektojnë afrimitet me shokët, janë shumë komunikues, zënë shumë shpejt shoqëri. Të njëjtën energji shfaqin edhe me shokët e tyre dhe si rrjedhojë në shtëpi kemi kufizuar orenditë dhe mbajmë vetëm gjërat më të domosdoshme. Të tjerat kanë qenë të destinuara për t’u prishur”.

Sipas nënës së tre djemve, “disiplinimi i fëmijeve meshkujt është i ndryshëm nga ai i vajzave. Ndërsa me vajzat duhet pak më shumë delikatesë, me djemtë sillem në mënyrë pak më të ashpër. Me ndëshkime, nënkuptoj moslënien që të shohin emisionet e tyre të preferuar, heqjen nga lojrat… Megjithatë, fëmijët kanë një armë tepër të fortë siç është qarja, e cila bëhet e padurueshme për një prind, përveçse prekëse. Sidoqoftë, fëmijët e sotëm kanë shumë informacion, njohin të drejtat e tyre dhe befas të ndodh që të kundërpërgjigjen me një pyetje ose përgjigje të goditur dhe ngelem e them se si mund të ma thotë këtë një 7-vjeçar”.

A është stres të kesh 3 djem? “Jam njeri pozitiv dhe e nis ditën me një energji që më pëlqen që jam nënë e tre djemve. Kam marrëdhënie të mirë, s’kam komplekse që s’kam vajzë, por ndihem më mirë, mbase nga që se kam provuar të kem vajzë. Sidoqoftë, miqtë e mi më thonë që me tre djem, jam një nënë e hekurt”.

Nga ana e saj, Jonila, nëna e dy vajzave, 3 dhe 1-vjeçare, thekson se: “Nuk pretendoj t’i mbaj nën kontroll. Në ambientin ku janë, përpiqem t’i lejoj të ndërveprojnë, të luajnë lirshëm, nuk dua të jem nënë e rreptë, etj… Vajzën e madhe, pasi e vogla është ende tepër e vogël, përpiqem ta sfidoj, por është e qartë që nuk kam receta për të dhënë. Sidoqoftë, nuk dua kurrsesi t’i mbaj vajzat të ndrydhura”.

“Vajza më sfidon dhe përpiqem ta mësoj edhe me pjeën që disa gjëra nuk do t’i realizohen”, rrëfen Jonila. “Nuk e marr të mirëqënë faktin që fëmija duhet të bindet, siç e di që ndonjëherë, disiplina mund të vijë pak dhunshëm në sensin e të bërtiturave, por nuk duhet të jetë kjo forma kryesore e edukimit. Mendoj se formë më e efektshme është t’i mohosh afrimitetin normal që ke me fëmijën. Personalisht jam kundër shuplakës si metodë disiplinimi”.

Nga studio, si e specializuar në mënyrën e trajtimit të fëmijëve, psikologia Cenko shpjegoi se: “Disiplinimi i fëmijëve vjen duke i treguar se çfarë është vetkontrolli. Kjo nuk është e lehtë. Mosha sjell vështirësi të niveleve të ndryshme. Sa më shumë rritet një fëmijë aq më e lehtë është. 12 vjeç ka më shumë përvojë në jetën e tij. Nuk jam dakord që brezat e mëparshëm kanë qenë më të urtë. Ndoshta më parë kultura e trajtimit të fëmijëve ishte ndryshe, kur trajtoheshin më shumë si objekte, pronë e prindërve dhe subjekt i dëshirave dhe vullnetit të tyre, ndërsa sot trajtohen si qënie njerëzore, me hapësirën dhe lirinë e tyre… Pa dyshim, edhe liria e fëmijëve mbaron ku mbarojnë kufinjtë e përshtatshëm për moshën”.

Ka pak gjëra që një prind mund të bëjë për të ndrysuar temperamentin dhe karakterin e fëmijës së tij. “ Temperamenti i fëmijëve është i ndryshëm. Mendohet se është i lindur, i trashëguar dhe ata që janë më aktivë e impulsivë, është më e vështirë t’i mësosh si të sillen, por s’është e pamundur. Prindërit duhet të përshtasin stilin e edukimit dhe të përshtasin stilin sipas fëmijëe të tyre nëse kanë më shumë se një”.

Metodat e dhunshme nuk janë rezultative në mënyrën e edukimit. Sipas psikologes, ato në rastin më të mirë nuk sjellin asnjë efekt edukues, ndërsa në rastin më të keq vetëm sa shkaktojnë trauma të thella tek fëmijët. “Shuplaka nuk ndihmon në disiplinim, pasi prindi tregon se e ka humbur kontrollin dhe i jep një model të shëmtuar, pasi problemet dhe momentet kur je i inatosur zgjidhen duke shprehur dhunë. Sigurisht kjo është problematike, pasi nuk e ndihmon fëmijën të kuptojë se çfarë ka bërë gabim, ndërsa në rastet ekstreme fizike dhe kur përdoret për arsye banale mund të krijojë trauma që zgjasin për të gjithë jetën”.

“Prindërit duhet të kenë të qartë që shuplaka nuk e ka efektin tek sa i dhemb, por e tremb, se e bën të ndihet të paaftë, të padashur nga prindërit. Kështu, nuk ka shumë rëndësi nëse e godet lehtë, fortë ose në pjesë të parrezikshme në kuptimin mendor. Pa dyshim, nga ana tjetër, është gjithmonë më mirë të godasësh një fëmijë lehtë dhe në zona të parrezikshme, se sa në fytyrë ose me grusht e dorë të mbyllur, veprime që pastaj janë të dënueshme dhe me ligj”, theksoi psikologia./tch/

/komuniteti