Ishte shtatzënia ime e parë, shtatzëni pa komplikime, shtatzëni e shëndoshë.
Isha në javën e 39 +4. Më datë 19.12.2012 rreth orës 10:00h të paradites filloi të më biente uji, filluan edhe disa dhimbje. Kisha kuptuar që lindja po afrohej. Nxitova sa më shpejtë me bashkëshortin tim për në Qendrën Spitalore Gjinekologjike në Prishtinë.
Së pari hyra në sallën e pranimit, ku aty më kontrolluan, më thanë që duhej të shtrihesha në spital sepse nuk është ende koha për lindje sepse isha hapur vetëm 1 gisht. Qëndrova tërë ditën dhe tërë natën me dhimbje, pa asnjë vizitë nga asnjë mjek dhe asnjë motër!
Erdhi dita e nesërme prapë me dhimbje të mëdha. Në mëngjes më ftuan për kontrollë nga që kisha dhimbje të mëdha. Prapë më tha një doktor të cilit nuk ia di emrin që nuk je ende për lindje dhe se je hapur vetëm 4 gishta! Ç`të bëja unë? Ashtu duroja, dhimbjet vetëm shpeshtoheshin dhe uji vazhdonte të më binte. Afrohej nata me dhimbje të rënda sa që mezi lëvizja nga dhembja. Pastaj erdhi ora 00:01 mesnatë, po ndjeja që lindja po afrohej. Kisha shumë dhimbje, më digjej i tërë trupi, po më copëtohej.
Shkova për ti treguar një motre, e cila ishte në gjumë, e zgjova nga gjumi duke i kërkuar ndihmë. Erdhi një doktoreshë e cila quhej Igballe, më tha je hapur 7 gishta dhe se lindja është afër. Tha merr valixhen dhe ngjitu lart për në sallën e lindjes. Në shoqërim të një motreje u ngjita lart. Hyra në sallën te e cila ishte e ndarë me xhama. Aty Dr. Igballe më tha të ndahesha anash. Pastaj më ftoi për kontrollë, ku mbeti e habitur dhe ftoi disa mjek të cilëve nuk u mbaj në mend emrat nga që nuk i njihesha më parë.
Shikonin njëri tjetrin dhe thanë të më përgatitnin për një kontrollë tjetër. Më dërguan tek Dr. F.A. i cili më kontrolloi me ultrazë dhe në mënyrë manuale dhe tha “kordon”! I pyeta se çka po ndodhë, nuk më dhanë përgjigje. Më dërguan prapë tek dhomat e ndara me xhama, isha në fund. Aty më thanë të shtrihesha dhe se lindja ime ishte më e vështirë sepse bebi im nuk dinë të lind!
U habita nga kjo! Si mund të ndodhë? Më udhëzuan mos të lëvizja fare sepse keqësohej gjendja e bebit. Pa dashje lëviza. Erdhi një doktoreshë duke më bërtitur, duke thënë pse ke lëvizur dhe me një shirit (rryp) më lidhi për shtrati dhe më vendosën ctg.
Kërkoja ndihmë nga dhembjet. Më thonin nuk po del në ctg që ke dhembje ndërsa unë vdisja nga dhembjet e mëdha. I lusja të më tregonin se çfarë po ndodh por nuk më treguan. I thash një doktoreshe të lutem më afro telefonin ti tregoj burrit që diçka nuk është në rregull. Duke më kapur në fyt më tha “mirë je, nuk ke pse e shqetëson burrin”. I thash pse nuk po mund të lind? Tha: “Pyet doktorin që e ke përcjellur shtatzëninë”.
Pastaj më mbeta vetëm në atë dhomë, askush nuk vinte të më shikonte. Më pas filloi gjendja ime të keqësohej edhe më shumë, fillova të humbja vetëdijen dhe shikimin dhe se beba ime vazhdimisht më bënte presion për lindje. Nga dhimbjet e padurueshme humbja nganjëherë vetëdijen. Kërkoja ndihmë vazhdimisht. Por asnjëherë nuk mu ofrua ndihma.
S`më kishte mbetur aspak fuqi. Filloi dita të agonte, erdhi një motër, duke e lutur me gjysmë zëri sepse nuk mundja as te flisja i thash, më trego të lutem pse jam unë këtu?.Tha: “Nuk mund të lindësh sepse bebit tënd i ka rënë kordoni para kokës nuk po mund të lind në mënyrë natyrale”! I thash pse nuk më fusin në operim? “Tha po presin të vijë ndërrimi tjetër dhe doktori që e ke përcjellur shtatzëninë”! U tmerrova! Thash më afro telefonin. Më afroj. Telefonova bashkëshortin, duke i kërkuar ndihmë si dhe një familjare R. Sh. Mezi më dilte zëri, pastaj i tregova se çfarë po ndodh.
R.Sh. kishte telefonuar një doktoreshë T. K. që të më ndihmonte. Përderisa T. K. po përgatitej të vinte dhe të mblidhte doktorët ndërkohë erdhi një doktor më kontrolloi dhe ia therri bebit kordonin dhe tha shkoj më duket bebi! Por nuk i bëri përshtypje aspak se po e mbyste një fëmijë. Mua s`më mbeti aspak fuqi, nuk shihja më! Pastaj erdhi doktoresha T.K. e cila është pediatre, ia dëgjova vetëm zërin por nuk mund të shihja dot, duke udhëzuar mjekët të më fusnin në operacion.
Më kapën, më bënë në formë topi që ti afrohej pak kordoni që të ketë frymëmarrje edhe pak bebi, më mbanin në formë topi, më mbuluan me një çarçaf dhe duke bërtitur me doktorët “më shpejtë, më shpejtë”, më futën në operacion.
Nuk mundja më të shihja se çfarë po ndodh. Po dikush më kapi dorën dhe nënshkruante për mua në disa letra. Rreth orës 07:30 erdhi në jetë engjulli im. Duke e faleminderuar zotin dhe familjarët që më ndihmuan, tani jam mirë e shëndosh dhe kam në krahë engjullin tim.
Për bebaime.com
Venera Azizi - Ismaili
12.08.2013

