Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

/Java e 30 e shtatëzanisë

Si po rritet fëmija juaj

Që tani e tutje, fëmija juaj do të shtojë shpejt në peshë. Mushkëritë e tij si dhe aparati i tretjes janë maturuar thuajse plotësisht tashmë, dhe ndoshta ai ka mundur ti hapë e ti mbyllë sytë tani, kështu që ai mund të shohë brenda jush.

Zhvillimi i fetusit – java e 30 e shtatëzanisë

Mushkëritë dhe aparati i tretjes së fëmijës tuaj, tashmë janë pothuajse plotësisht të zhvilluara. Ndërkohë që rritja e gjatësisë së fëmijës tuaj tani mund të ngadalësohet disi gjatësia e tij tani është rreth 39 centimetra nga maja e kokës deri te maja e këmbës, ai do të vazhdojë të shtojë në peshë deri në kohën kur të lindë.

Gjatë kësaj jave fëmija vazhdon të hapë dhe të mbyllë sytë e tij. Ai ndoshta mund të shohë se çfarë është duke ndodhur brenda mitrës, të dallojë dritën nga errësira dhe madje edhe të ndjekë një burim drite. Nëse ju lëshoni një dritë mbi barkun tuaj, fëmija juaj mund të kthejë kokën e tij për të ndjekur dritën ose mund të zgjatet për të prekur këtë ndriçim të lëvizshëm. Disa studiues mendojnë se ekspozimi i barkut tuaj ndaj dritës stimulon zhvillimin vizual. Por mos prisni shikim 20/20 kur fëmija juaj të lindë – të porsalindurit mund të shohin në një distance prej rreth vetëm 20 deri në 30 centimetra. (Fëmijët me shikim normal e arrijnë shikimin 20/20 rreth moshës 7 deri në 9 vjeç.) Për të përfunduar, fëmija tashmë ka vetulla dhe qerpikë të formuar.

Fëmijën tuaj tani e rrethon përafërsisht rreth një litër lëng amniotik, por ky volum zvogëlohet gjatë kohës që fëmija juaj rritet dhe zë më tepër vend në mitër. Ndërkohë që ju dhe fëmija juaj vazhdoni të rriteni, mos u alarmoni nëse ndiheni pa frymë dhe nuk ngopeni sa duhet me ajër; është thjesht mitra juaj që shtyn diafragmën tuaj. Megjithatë, ka një drite në fund të tunelit. Rreth javës së 34 (ose vetëm pak para lindjes, nëse kjo është shtatzania e dytë apo e tretë për ju), koka e fëmijës tuaj do të lëvizë poshtë drejt legenit tuaj, ndërkohë që fëmija vendoset në pozicionin e duhur për të lindur. Kjo do ta bëjë frymëmarrjen dhe të ushqyerit tuaj shumë më të lehtë.

Si po ndryshon jeta juaj

Ju ndoshta keni shtuar disi në peshë këtë muaj – zakonisht 1,4-1,8 kg. Shtimi i rreth 450 g në javë është diçka normale gjatë tre muajve të fundit. Kërkesat e fëmijës tuaj për vlera ushqyese janë në maksimumin e tyre, në vrullin përfundimtar të rritjes para lindjes. Ju mund ti doni ose ti urreni përmasat tuaja të rritura – sidoqoftë, kujtojani vetes 50 arsyet pse është e mrekullueshme të jeni shtatëzënë.

Nuk është asnjëherë vonë për të lënë duhanin, pasi fëmija juaj do të përfitojë nga një rritje e furnizimit me oksigjen gjatë ditëve qe ju nuk do te pini duhan. Përpiquni të inkurajoni dhe ata që janë rreth jush për të lënë duhanin – kjo jo vetëm që do t'ju ndihmojë më tepër për të ndaluar pirjen e duhanit, por gjithashtu mund të ndihmojë edhe fëmijën tuaj në një afat më të gjatë. Kërkimet kanë treguar se foshnjat janë në një rrezik me të lartë për sindromën e vdekjes së papritur të foshnjes / SIDS nëse një prind ose kujdestar pi duhan rreth tyre.

Bërja e një gjumi të mirë natën, mund të bëhet sërish e vështirë gjatë tremujorit të tretë të shtatëzanisë. Ndërkohë që barku juaj rritet, gjetja e një pozicioni të rehatshem bëhet gjithnjë e më e vështirë dhe ju mund të konstatoni presion mbi fshikëzën tuaj të urinës, që do të thotë udhëtime të shpeshta aspak të këndshme por të nevojshme gjatë natës për në WC. Gjithashtu edhe ëndrrat që duken reale mund të ndikojnë në cilësinë e gjumit tuaj duke ju shqetësuar e çrregulluar! Mos harroni të pyesni edhe partnerin tuaj në lidhje me ëndrrat e tij.

Fakte për tu marrë në konsideratë

Mendoni rreth mundësisë së blerjes të një sedilje të vogël makine për fëmijën tuaj – mund t’ju duhet për tu kthyer në shtëpi, në rast se do ta lindni fëmijën tuaj në spital.