Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Ushqyerja zemër e shëndetshme

Fëmija i vogël ka stomak të vogël dhe mbushja e tij tri herë në ditë nuk mund t’i japë energjinë e duhur për rritjen dhe lëvizjet e tij. Prandaj ka rëndësi dhënia e vakteve të ndërmjetme, që quhen vakte zemër. Këto vakte të ndërmjetme janë të rëndësishme për fëmijët, por ne nuk duhet të harrojmë që edhe ushqimet që jepen në kohën e vakteve të plota, janë gjithashtu me rëndësi. Ju duhet harxhoni pak kohë për të menduar se çfarë t’i jepni fëmijës për vaktet zemër.

Edhe në këto vakte të ndërmjetme ushqyerjeje, duhet të jepen ushqime nga të gjitha grupet ushqimore: Buka/ drithërat

Sanduiçët. Përgatisni në shtëpi sanduiçë të ndryshëm, duke i mbushur me ushqime të ndryshme, për shembull me djathë, vezë të zier, domate, gjalpë etj. Gjatë kohës që përgatisni sanduiçët, afrojini fëmijët pranë jush, që t`ju ndihmojnë e më tej mund t’i lejoni t’i përgatisin vetë. Buka e thekur, keku i bërë në shtëpi, biskotat, gjithashtu pëlqehen.

Makaronat. Në përgjithësi, fëmijët në këtë moshë i pëlqejnë makaronat. Përgatitini bashkë me ta. Kujdes me salcat e gatshme që përdorni, se mund të jenë shumë të kripura.

Frutat dhe perimet. Frutat dhe perimet janë shumë të mira për ushqyerjen zemër. Frutat mund të jepen të prera në copa, ose të përziera me kos. Zarzavatet gjithashtu mund të jepen të gjalla ose të ziera. Frutat e thata, si kumbullat, kajsitë, kanë një sasi të madhe sheqeri dhe mund të shkaktojnë prishjen e dhëmbëve. Në rast se fëmija juaj i dëshiron shumë, mund t`ia jepni herë pas here së bashku me ushqime të tjera, si për shembull sanduiçët, për të pakësuar pasojat tek dhëmbët.

Qumështi dhe prodhimet e tij. Qumështi, për vlerat që ka është ushqim shumë i mirë për fëmijën. Jepeni në vaktet zemër, me fruta ose sanduiç. Deri në moshën 2 vjeçare qumështi mund të jepet i paskremuar, më tej duhet të jepet I skremuar, me përqindje më të pakët yndyre. Kosi dhe bulmetrat, si djathi, janë gjithashtu ushqime të mira për vaktet e ndërmjetme.

Lëngjet. Gjatë kohës se ngrënies, gjithnjë jepini fëmijës një lëng që të shoqërojë ushqimin. Uji është pija më e mirë. Po kështu edhe qumështi është një pije e mirë. Fëmijët duhet të mësojnë të pijnë ujin që në moshë të vogël. Ju si prindër duhet të jeni model për këtë. Tregojuni fëmijëve se si pini ujë. Lëngjet e frutave duhet të jenë të holluara dhe mos të kenë përmbajtje të lartë sheqeri. Shikoni me kujdes marrjen e qumështit dhe lëngjeve të frutave për fëmijët nazeli. Qumështi është ushqim shumë i mirë, por marrja e tepërt e tij mund të presë oreksin për ushqime të tjera.

 

© Unicef dhe Ministria e Shëndetësisë së Shqipërisë

/komuniteti