Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Këshilla për baballarët në ditët e para pas lindjes

Merrni ditë të lira

Bëni marrëveshje me mbikqyrësin tuaj të punës që të merrni ditë të lira pas lindjes së gruas tuaj. Besoni, që do t`iu duhen juve dhe asaj. Nuk do të fleni mirë që të mund ti kryeni punët e juaja normalisht ndërsa ndihma juaj në shtëpi do të kishte një rëndësi të madhe.

Mos harroni që gruaja juaj nuk mund të ecë, e le më ti kryej punët e shtëpisë. Madje nëse ka lindur me operim cezarian, do të ju duhet ti jepni ju foshnjen në krahë, që të mund ta ushqej me gji. Dhe mos harroni që ta regjistroni fëmijën tuaj.

Pastroni pas festës

Mos prisni që gruaja kur të kthehet nga materniteti ta gjejë shtëpinë rrëmujë. Sidomos nëse keni festuar me shoqërinë në shtëpi. Më së miri do të ishte që të festoni jashtë shtëpisë apo nëse keni festuar në shtëpi, pas festës merrni ndonjë pastruese. Gruaja juaj nuk do të ketë fuqi dhe as kohë që të pastrojë shtëpinë – mundohuni që gjatë javëve në vazhdim ti ndihmoni gruas tuaj rreth pastrimit të shtëpisë dhe rreth pregatitjes së ushqimeve.

Bëhuni të saktë

Mos u vononi për maternitet, që të mos ju presin gruaja dhe foshnja, sepse kjo do ta mërziste edhe foshnjen edhe nënën, dhe për tërë jetën do të jua kujtonin këtë!

Merrni me vete gjërat për nënën e foshnjen pas daljes nga materniteti

Mos harroni që të merrni me vete gjërat për daljen e nënës dhe foshnjes nga materniteti. Ajo me siguri që disa javë para i ka paketuar të gjitha – nëse jo, atëherë thërrisni dhe pyeteni se çfarë rrobesh i duhen. Nëse harroni ta bëni këtë – ajo do të acarohet dhe do ti vie turp të dalë nga materniteti me këmishë gjumi! Vetëm paramendoni se si do të ndiheshit ju, po të ishit në vend të saj?

Rregulloni makinën

Para nisjes për maternitet, fiksoni ulësen e makinës për foshnja dhe pastroni makinën, pastroni mbrendinë e makinës. Nëse nuk keni makinë merrni taksinë, dhe le të ju pres jashtë, mos lejoni që nëna dhe foshnja të presin përderisa ju me panikë thërrisni kompanitë e taksive.

Spjegojini të afërmve që keni nevojë për qetësi

Kur të mbërrini në shtëpi, sigurojini gruas tuaj qetësi. Spjegojini këtë familjarëve dhe shoqërisë që të mos vijnë në ditët e para për vizitë (ditët e para mund të nënkuptojnë një muaj apo më shumë).

Secili duhet të respektojë dëshirën e nënës së re – është e vërtetë që të gjithë dëshirojnë sa më parë të shohin të posalindurin, por nëse gruaja juaj është shumë e lodhur dhe e raskapitur, nëse ka ngërçe në bark, dhembje në plagë nga operimi cezarian, nëse është e ngarkuar rreth gjidhënjes, kujdesit ndaj foshnjes etj, atëherë kjo duhet të respektohet.

Tani më së paku i duhet të servojë kafe dhe lëngje për mysafirët…

Lajmërojini të gjithë

Pasi keni bërë me qindra fotografi të foshnjes tuaj, dërgojini ato me email të afërmve tuaj, apo vendosini tek Beba Ime (mirëseardhje bebeve) apo në Facebook – ndoshta në këtë mënyrë do ti kënaqni ata, meqë i keni kërkuar që të mos vijnë në vizitë në ditët e para të paslindjes.

Siguroni ndihmën

Para lindjes, bisedoni me gruan tuaj për mënyrën se si do të organizoheni derisa ajo të shërohet nga lindja – kjo zakonisht zgjat 6 javë. Mund të kërkoni ndihmën e nënës tuaj apo nënës së gruas, rreth pastrimit dhe ushqimit, por mos harroni që gruas tuaj tani nuk i preferohet ushqimi i rëndë, dhe shumë i kriposur.

Keni kujdes nga gjërat ushqimore të cilat kalojnë nga qumështi, sepse mund të shkaktojnë irritim, ngërçe apo reaksion alergjik te foshnja. Mund të angazhoni një pastruese. Ndoshta para lindjes keni menduar që nuk do të keni nevojë për ndihmë, por besoni që nuk do të mundeni ti mbërrini të gjitha, prandaj organizohuni!

Limitoni vizitat

Ato ditë, nëna e re është e ndjeshme në gjithçka: këpucë të papastra, në duar, në prekje të foshnjes. Mos ia merrni për të keq. Lusni mysafirët nëse janë duhanpirës, që të mos pijnë duhan në shtëpi apo të mos e prekin foshnjen pa i pastruar duart. Më e rëndësishme është që vizitat ti limitoni në maksimum një orë – nëna duhet të jep gji, të ndërrojë foshnjen, të mirëmbajë gjinjtë etj.

Tregoni mirëkuptim

Si në fillim të shtatzanisë, ajo prap do të ndërrojë disponimin – për këtë janë fajtorë ndryshimet hormonale. Jeni të sigurtë që e gjithë kjo do të kalojë, dhe mos ia merrni për të keq ndërrimin e disponimit. Tregoni mirëkuptim për gjendjen e saj, shfaqni dashurinë tuaj dhe ndihmojeni rreth gjidhënjes dhe kujdesit ndaj foshnjes.

Llastojeni

Blejini lule dhe dhurata –mundohuni që për këtë rast të qëlloni se çfarë i pëlqen asaj, nëse nuk keni ndonjë ide adekuate, pyeteni që para lindjes. Tregojini shumë herë se sa e doni dhe sa jeni krenar që ka lindur fëmijën tuaj. Dhe në fund, kënaquni në ditët e para të jetës së foshnjes tuaj. Ato janë shumë të çmueshme dhe të papërsëritshme.