Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Çdo gjë që duhet të dini në lidhje me verdhëzën tek të posalindurit! Këshilla nga mjekët e Spitalit Amerikan.

Erdhi momenti i shumëpritur, tashmë jeni bërë nënë! Ndërsa ende jeni duke u mësuar me rolin tuaj të ri, mjeku ju thotë se bebja juaj ka verdhëz. Mos u frikësoni, kjo është diçka mëse normale. Ju japim përgjigje për pyetjet më të zakonshme në lidhje me verdhëzën tek të posalindurit. 

Çfarë është verdhëza?

Verdhëza tek të posalindurit është një gjëndje e cila shfaqet për shkak të rritjes së sasië të bilirubinit në gjakun e fëmijës. Bilirubini (një komponim i ngjyrës së verdhë) është një produkt normal i ndarjes së qelizave të kuqe të gjakut. Pas përpunimit në mëlçi, ai largohet nga organizmi nëpërmjet sistemit të zorrëve. Tek të posalindurit ka një mungesë ekuilibri ndërmjet prodhimit dhe eliminimit të bilirubinit për shkak të të cilit ndodh rritja e vlerave të bilirubinit në qarkullim. Verdhëza tek të posalindurit është klinikisht e dukshme rreth 50% tek foshnjat të cilët kanë lindur në afatin e duhur, dhe rreth 80% tek foshnjat të cilët kanë lindur para kohe. Verdhëza zakonisht kalon pa nevojën e ndonjë trajtimi apo me ndërhyrje minimale. 

Cilat janë shenjat e verdhëzës?

Shenja klasike e verdhëzës tek të posalindurit është zverdhja e zbehtë në lëkurë dhe tek të bardhat e syve. Ngjyra e verdhë në lëkurë përhapet deri tek gjymtyrët e poshtme, ndërkohë që tërheqja e verdhëzës është në mënyrë të kundërt. Prandaj, fytyra e të posalindurit ka ngjyrë të verdhë për një kohë më të gjatë. Vlerat më të larta të bilirubinit e bëjnë fëmijën të përgjumur dhe të ushqehet më pak me gji. 

Sa lloje verdhëzash ekzistojnë?

Më e zakonshme është ajo e quajtur si verdhëza fiziologjike. Kjo shfaqet në ditën e dytë apo të tretë tek bebet të cilët kanë lindur në afatin e duhur, ndërsa tek bebet e lindura para kohe shfaqet diku nga dita e katërt apo e pestë. Kjo verdhëz zgjat rreth dy javë, ndonjëherë edhe më gjatë tek bebet të cilët ushqehen vetëm me qumështin e nënës, dhe më pas në mënyrë spontane, tërhiqet gradualisht. Verdhëza patologjike është rezultat i papajtueshmërisë së grupit të gjakut ndërmjet nënës dhe fëmijës. Shpesh ndodh për shkak të lindjes së parakohshme apo për shkak të peshës së ulët që mund të ketë fëmija. Shkaqe të tjera të verdhëzës patologjike janë: infeksionet, hipoksia, asfiksia, traumat e lindjes, gjakderdhje e brendshme, sëmundje të mëlçisë, mungesa e enzimës, anomali në rrugët e tëmthit, pamjaftueshmëria teroide, sëmundje të metabolizmit etj. 

Një lloj tjetër i veçantë i verdhëzës është verdhëza nga qumështi i gjirit. Kjo lloj verdhëze është e shpeshtë dhe e zgjatur pasi mendohet se shkak për këtë është ekzistenca e disa substancave në qumështin e nënës të cilat shkaktojnë rritjen e bilirubinit. Zakonisht ndodh më vonë, në javën e dytë pas lindjes, por edhe kur është tepër e zhvilluar, fëmijët duken të shëndetshëm dhe zhvillimi i tyre është normal. 

Si diagnostikohet?

Në varësi të kohës së shfaqjes së verdhëzës, intensitetit të saj, nga lindja në kohë apo e parakohshme, nëse fëmija është i shëndoshë apo i sëmurë, neonatologu vendosë për secilin fëmijë nëse është e nevojshme të kryhen teste dhe çfarë konkretisht duhet bërë. Të dhënat më të sakta për bilirubinin në gjak merren nga analizat laboratorike. Verdhëza patologjike kërkon një sekuencë të veçantë testesh shtesë për të zbuluar shkakun themelor apo sëmundjen. 

Si shërohet?

Meqenëse në të shumtën e rasteve bëhet fjalë për verdhëz fiziologjike, mjafton vetëm të jemi të vëmendshëm ndaj të posalindurit dhe të mund t'i vlerësojmë faktorët e rrezikut për shfaqjen e verdhëzës patologjike. Këshillohet që nëna ta ushqejë beben më shpesh me gji, pasi në këtë mënyrë përshpejton kalimin nëpër zorrë dhe bashkë më të edhe mënjanimin e bilirubinit. Vetëm në rastet e verdhëzës së prolonguar nga qumështi i nënës me vlera të larta të bilirubinit, mund të jetë e nevojshme ndërprerja e qumështit të gjirit për 2-3 ditë dhe të ushqehet me ushqim me formulë. Nëna gjatë këtyre ditëve duhet të përdorë pompë për qumështin e gjirit në mënyrë që të mos i grumbullohet tepër qumësht dhe të ketë probleme me gjinjtë, më pas mund të vazhdojë të ushqejë të voglin e saj përsëri me gji. 

 

* Artikull i sponzorizuar nga Spitali Amerikan