Zhvillimi dhe rritja
javë pas jave

Si ti mbrojmë foshnjat nga i ftohti?

A duhet shëtitur foshnja dimrit?

Temperaturat e ulëta nuk janë pengesa për shëtitjet gjatë dimrit me fëmijët tuaj

Gjyshet sigurisht nuk do të pajtoheshin në lidhje me këtë, por foshnjen duhet që çdo ditë ta ekspozoni në ajër të pastër, duke filluar kështu prej javës së dytë pas lindjes.

Me foshnjet që kanë lindur gjatë periudhës së dimrit duhet të jemi më të vëmendshëm dhe të presim ti mbushin një muaj që të fillojmë me shëtitjet. Kohëzgjatjen e shëtitjes duhet rritur gradualisht nga dita në ditë që të mësohet foshnja me ajrin e pastër.

Temperaturat e ulëta nuk janë pengesa për shëtitjet, përderisa nuk ka rrënie të temperaturës në -10 gradë Celsius. Të vetmet pengesa në dimër janë era, shiu apo bora me shi, si dhe mjegulla.

Meqë dimrit paraditet janë më të ngrohta, mundohuni që ritmin e foshnjes ta sinkronizoni dhe të shëtitni çdo ditë paraditeve.

Shëtitjet me prindërit apo edhe me gjyshërit, përmirësojnë në përgjithësi gjendjen e fëmiut, sepse ajri pastër ndikon në apetit, gjumë, disponim si dhe në rezistencën ndaj infeksioneve.

Gjatë shëtitjes foshnja mëson tingujt, objektet, ambientin, njoftohet me botën e jashtme si dhe anasjelltas.

Si ta vesh fëmiun dimrit?

Meqë tek vogëlushët gjer në dy vjeç, trupi vështirë adaptohet me temperaturat e ulëta dhe shpejtë mund të ftohet, duhet që ti veshim mirë me rrobe më të trasha. Skafanderët gjatë dimrit janë të mirëseardhur sepse mbrojnë shpinën e foshnjeve.

Kapela, shalli dhe dorëzat janë pjesë të rëndësishme të veshjes gjatë dimrit, si dhe me rëndësi të veçantë janë çizmet të cilat duhet të jenë të përshtatshme për dimër, nëse foshnja juaj ka filluar të ecën.

Nëse fëmiu juaj ka filluar të ecë dhe të kënaqet në borë, në rastet nëse rrobet dhe çizmet i janë lagur atëherë duhet ti ndërroni menjëherë. Është gjë e mençur nëse dorëzat i lidhni me ndonjë lidhëse dhe i futni nën mëngët e skafanderit, ashtu që të mos i humbisni!

Fëmiun sipas rregullës duhet veshur ashtu si vishen prindërit. Por, edhe nëse jashtë është vetëm pak freskët, foshnja duhet të mbajë kapele.

Nëse temperatura është rreth zeros, veshët e foshnjes duhet të jenë të mbuluara me kapele, duart me dorëza dhe fyti me shall. Nëse fryn erë, me shallin e foshnjes duhet ti mbulohet edhe fytyra por jo edhe hunda.

Gjithsesi, në periudhën e dimrit merrni me vete gjatë shëtitjes edhe mbrojtësen për karrocë, në rastet e ndërrimit të motit, mund ta mbroni foshnjen tuaj.

Poashtu, edhe nëse gjatë shëtitjes bëhet ngrohtë, mund ti hiqni ndonjë nga palët e rrobeve nga foshnja. Kur hyni në ndonjë ambient të ngrohtë, madje edhe për ca minuta, foshnjen duhet ta bëni të ndihet rrehat. Duhet të keni kujdes që të mos e mbështjellni foshnjen së tepërmi, sepse mund të pësojë ndonjë sulm termik.

Ekspertët pohojnë që mbështjellja e foshnjeve gjatë muajve të dimrit, kur gripi dhe infeksionet tjera respiratore janë më të përhapura, mund të shkaktojë sindromin e vdekjes së papritur të foshnjave (SIDS).

Sa kohë duhet kaluar jashtë në ajër të pastër gjatë dimrit?

Se sa kohë do të kaloni në ajër të pastër mvaret se çfarë është temperatura e jashtme. Nëse temperatura është e ulët, edhe nëse foshnja e mbështjellur mirë nuk do të duhej të qëndrojë gjatë jashtë.

Nëse foshnja i ka duart e nxehta dhe po ndihet mirë, atëherë mund të qëndroni jashtë ende. Nëse duart e foshnjes janë të ftohta dhe ajo është e parrehatshme, atëherë sigurisht është koha të hyni mbrenda (përveç në rastet kur mund të jetë edhe e uritur, e etur apo nëse e ka bërë nevojën) atëherë është koha ti ktheheni ngrohtësisë së shtëpisë suaj. Nëse fillon të qajë, gjithsesi përfundojeni shëtitjen.

Mos të ju brengosë nëse hunda e foshnjes rrjedh përderisa jeni jashtë, kur të hyni në ambient të ngrohtë do të duhej të ndalonte.

A i duhet mbrojtje e veçantë lëkurës së foshnjes gjatë dimrit?

Lëkura e foshnjes mund të bëhet e thatë dhe mund të pëlcasë nga era. Për këtë përdorni ndonjë kremë më të yndyrshme të posaçme për lëkurën e foshnjave.

Nëse foshnja përdorë cucllën apo nëse i kanë dalë dhëmbët dhe i rrjedh pështyma duhet t`ia pastroni faqet kohëpaskohe ashtu që të mos i pëlcasë lëkura.

Nëse jeni në pushime në vende ku ka shumë borë, fëmiu do të duhej të përdorë syze mbrojtëse si dhe kremën mbrojtëse me faktorë të lartë UV.

Për zgjedhjen dhe përdorimin e kremës mbrojtëse konsultohuni me pediatrin tuaj sepse sikurse tek të rriturit edhe tek fëmijët lëkura e tyre ndryshon.

Sapunet dhe kemikalet e thajnë lëkurën, për këtë në periudhën e dimrit duhet ti përdorni më me masë. Pas larjes mos e fërkoni lëkurën e foshnjes, vetëm thajeni me peshqir ujin.

Gjatë periudhës së dimrit është mirë që të keni lagështi në ajrin e dhomës së foshnjes, që t`ia lehtësoni frymëmarrjen.

Cilat rreziqe i kanosen foshnjes sime gjatë dimrit?

Duhet të brengoseni seriozisht nëse hunda, veshët, faqet apo gishtërinjtë e foshnjes mbeten shumë të ftohtë dhe marrin ngjyrë blu-hiri. Kjo tregon morth dhe mund të shkaktojë lëndime serioze.

Në këtë rast foshnjen duhet ngrohur urgjentisht: zhvishni pallton tuaj dhe përqafojeni foshnjen që t`ia rritni temperaturën e trupit përmes temperaturës tuaj të trupit dhe sa më shpejt që mundeni vzitoni mjekun apo shërbimin e ndihmës së shpejtë.

Nëse nuk keni mundësi që të vizitoni mjekun shpejtë, mundohuni që ta ngrohni foshnjen në shtëpi, sepse mund të përkeqsohet situata.

Vendin e ngrirë të trupit duhet ta ngrohni në ujë i cili është i ngrohtë pak mbi temperaturën normale të trupit, në asnjë mënyrë më shumë se 39 gradë Celsius (gjithsesi përdorni termometër!) ose përdorni lecka të së njejtës temperaturë, të cilat nuk duhet shtypur.

Leckat duhet përdorur derisa lëkura të kthejë ngjyrën e saj dhe gjithsesi jepni foshnjes të thithë apo të pijë lëng të ngrohtë (kursesi shumë të nxehtë).

Nëse lëkura e foshnjes merr ngjyrë të kuqe, fluska apo fryhet, koha është për vizitën e mjekut – më së miri është që mjeku të ju vizitojë në shtëpi, që të mos e ekspozoni foshnjen përsëri në ajër të ftohtë.